Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Ukrainën me rindërtimin e shkollave dhe do të japë ekspertizën e saj për rimëkëmbjen e Ukrainës si pasojë e luftës. Një ditë pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Kryebashkiaku Erion Veliaj shkruan se Presidenti Zelensky i shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Shqipëria dhe Kryeministri Rama kanë dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe. 

“Shumë i lumtur që u takova me Presidentin Zelensky në Kiev, i cili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama në Këshillin e Sigurimit, strehimin e refugjatëve dhe çdo ndihmë tjetër. Tirana dhe Kharkivi janë qytete motra ne jemi zotuar të rindërtojmë shkolla aty dhe të japim ekspertizën tonë në rimëkëmbjen e Ukrainës”, thekson Veliaj.

Ndërkaq, kryebashkiaku Erion Veliaj ka shprehur mirënjohjen dhe për Dario Nardellan, Presidentin e Eurocities që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që ndërmorën nismën për fillimin e rindërtimit të Ukrainës.

“Jam shumë krenar për Dario Nardellan Presidentin tonë të Eurocities që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që nismuan procesin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës, çka shpresoj se do të ndiqet edhe nga qytete të tjera. Shqipëria, me rimëkëmbjen pas tërmetit, mund të japë shumë mësime që ia vlejnë të dëgjohen”,  shprehet Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte pjesë e grupit të Kryetarëve të Bashkive të Qyteteve Evropiane të Eurocities në mbështetje të Ukrainës. Në prani të Presidentit Zelensky, Shefi i Zyrës së Presidentit, Andriy Yermak dhe Presidenti i Eurocities Dario Nardella, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të mbështetur rindërtimin e qëndrueshëm të qyteteve të Ukrainës.

Kujtojmë që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të rindërtojnë një bllok banesash në Irpin, një ndër qytetet më të shkatërruara në Ukrainë si pasojë e sulmeve nga Rusia. Kjo u bë me dije mnga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që zhvilli në Ukrainë më 15 qershor, ku ishte i shoqëruar nga ish-kryeministri malazez Dritan Abazoviç.

Postimi i kryebashkikaut Erion Veliaj 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:20
Veliaj takon në Kiev kryebashkiakun Vitali Klitçko: Miku im e udhëhoqi qytetin në kohët më të vështira! Një kampion i vërtetë në çdo ring

Gjatë vizitës në Ukrainë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është takuar dhe me kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitçko, ish-kampion i botës në boks. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thekson se Vitali Klitçko e udhëhoqi qytetin në kohët më të vështira.

“Më vjen mirë që Kievi po i rikthehet normalitetit pas sulmeve të ashpra të Rusisë, teksa lufta vazhdon ende në qytetin motër të Kharkivit dhe në zona të tjera të Ukrainës.

Miku im Vitali Klitçko e udhëhoqi qytetin në kohët më të vështira! Si dikur kur ishte boksier, një kampion i vërtetë në çdo ring”, nënvizon Veliaj.