Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Tiranë njofton se gjatë muajit Mars është përmbyllur procesi i gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore për vitin tatimor 2026. Ky proces përfshin si subjektet tregtarë për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët që janë pronarë të njësive tregtare për detyrimet e taksës mbi pasurinë e paluajtshme.
Për të lehtësuar aksesin dhe transparencën, njoftimet janë vënë në dispozicion në mënyrë elektronike përmes platformës “e-Albania”, ku çdo taksapagues i kryeqytetit mund të konsultojë detyrimin përkatës në profilin e tij. Njëkohësisht, për të garantuar informimin e plotë, ato janë dërguar edhe me postë në adresat fizike të vetëdeklaruara nga taksapaguesit.
DPTTV u bën apel të gjithë taksapaguesve që të kryejnë pagesat në kohë dhe brenda afateve të përcaktuara ligjore, duke shmangur kështu penalitetet, kamatëvonesat dhe gjobat që aplikohen në rast vonese.
Afati për pagesën e taksave dhe tarifave vendore për bizneset është data 31 Maj 2026. Ndërkohë, për taksën mbi pasurinë e paluajtshme për pronarët e njësive tregtare, kësti i parë duhet të shlyhet deri më 20 Prill 2026 dhe kësti i dytë deri më 30 Qershor 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore mbetet e angazhuar për të ofruar shërbim dhe asistencë për çdo taksapagues, duke i ftuar të gjithë qytetarët dhe bizneset që të verifikojnë në kohë detyrimet e tyre dhe të respektojnë afatet përkatëse. Për çdo paqartësi apo informacion shtesë, mund të kontaktoni në adresën elektronike taksat@tirana.al ose të paraqiteni pranë sporteleve të shërbimit për asistencë të drejtpërdrejtë.
Komente











