Tallja e fundit me anëtarësinë e PD-së

Tallja e fundit me anëtarësinë e PD-së
Deklarimi përfundimtar i rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja pati një përgjigje të menjëhershme nga zëdhënësja e PD-së, çka mund të përmblidhet në dy fjali: 1. Zgjedhje të manipuluara nga opozita (Lezha, Shkodra); 2. Premtime piramidale po të opozitës (shëndetësia, etj.), së cilës populli shqiptar, i papjekur ende, u ka besuar votën. Një qëndrim i tillë ishte parathënë gjatë gjithë këtij muaji nga z. Berisha, dhe u përsërit dje prej klonit të tij, sipas të cilit maxhoranca e re ka ardhur në pushtet nëpërmjet deformimit të votës.

Jemi para një situate paradoksale: PD-ja e njeh humbjen e zgjedhjeve ndërkombëtarisht, por nuk e njeh si të tillë publikisht, gjë që e bën atë qesharake në raport me ndërkombëtarët dhe opinionin tonë publik. Por, kjo nuk është hera e parë për takticienin tonë të paradokseve, ndonëse sipas të gjitha gjasave, do të jetë e fundit.
Ndërkaq, kur rezultati ishte katastrofik për PD-në, pse mbahet ky qëndrim? Dikush sheh në këto taktika paralajmërimet për një opozitë të fortë, dikush tjetër tronditjen nga një humbje e madhe, prej së cilës dilet vetëm me paradokse.

Por në fakt, ky qëndrim s’ka të bëjë as me ndërkombëtarët, as me opinionin tonë publik. Kësaj radhe kemi të bëjmë thjesht me manipulimin e anëtarësisë së PD-së, atë që ka mbetur nga listat e “skuthëve” të bodrumeve. Nëpërmjet këtyre paradokseve, z. Berisha dhe kloni i tij duan të legjitimojnë qenien e tyre në krye të PD-së. Shkurt, ata po i thonë anëtarësisë së tyre që ne nuk jemi humbës, megjithëse zgjedhjet i kemi humbur.

Ndërkaq, ato mijëra anëtarë të PD-së që presin analizën e humbjes, qysh tani kanë mbetur me gisht në gojë. Nuk do të ketë analizë, siç nuk e ka pasur një të tillë në vitin 1994, pas humbjes së referendumit, siç nuk e pati pas 97-ës, dhe siç nuk e pati pas humbjes së zgjedhjeve të 2001-shit. Z. Berisha është një humbës i madh, jo pse ka humbur ose se humbi dhe tani, por se asnjëherë ai nuk i ka njohur humbjet. Nuk është rekordmen vetëm për Murin e Madh kinez.

Ndërkaq, anëtarësia e PD-së, e cila nuk e ka për herë të parë këtë gjë, siç nuk i ka për herë të parë dhe trukimet e listave nëpërmjet skuthëve të bodrumeve, duket se, në një farë mënyre, e meriton këtë tallje me të. Sepse, në fund të fundit, është ajo që ka pranuar një lider hibrid, i cili edhe kur i poshtëron, merr duartrokitje. Madje dhe qan për të, megjithëse ai është gjallë e ndonjëherë dhe thyen rekorde. Siç po pranojnë dhe tani që lider të jetë z. Berisha, kurse kukulla e tij të jetë z. Basha.

Ky pozicionim i PD-së për zgjedhjet ngre dhe një problem tjetër. Dorëheqja pompoze e z. Berisha, dorëheqja për të cilën u duartrokit si një politikan europian e broçkulla të tjera kësisoj, ka qenë thjesht një truk dhe një mashtrim i opinionit publik. As ka qenë vetëdije politike ballkanike, aq më pak europiane. Ka qenë thjesht një truk, gjithnjë për të mashtruar anëtarësinë e vet me zgjedhjet “një anëtar, një votë”.

Ka një version, sipas të cilit, ka qenë dhe një dorëheqje që i është kërkuar. Se kush mund t’ia ketë kërkuar këtë gjë me ultimatum, është e vështirë të thuhet publikisht, por sakaq është e lehtë të mendohet kush mund të ketë qenë.

Në fakt, në këtë rast, kemi të bëjmë me një milion vota plus një. Sidoqoftë, z. Berisha së bashku me kukullën e tij, me këto qëndrime që mbajnë për zgjedhjet janë legjitimë për një anëtarësi të listës së skuthave. Por, natyrisht, s’ka se si të jenë legjitimë për opinionin tonë publik dhe për ato qindra e mijëra anëtarë që janë pastruar nga listat e PD-së gjatë këtyre njëzet viteve.

Ndërkaq, dhe ata që kanë mbetur, e dinë se kur katandiset kaposhi një thelë, është e kotë ta mbash lugën në brez. Se, në fakt, shumica e tyre kanë ardhur në PD me lugë në brez, tani që, për fatin e tyre të keq, s’ka më kaposh.
 
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 08.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi, dy fraksionet rivale palestineze! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi, dy fraksionet rivale palestineze! Angazhim pas luftës në gaza