“Tanku” është automjeti për të cilin ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski është dënuar me dy vite burg. Nën akuzën e një afere korruptive, Gruevski e ka blerë atë me vlerë 600 mijë euro.
Sikurse raportojnë mediat fqinje, automjeti tip "Armored Mercedes” është vendosur edhe në dispozicion të zyrtarëve dhe delegacioneve. E fundit që ka hipur në të ka qenë kancelarja Angela Merkel, gjatë vizitës së saj në Shkup dy muaj më parë. Ndërkohë, edhe tri njerëz të afërt me Gruevskin si presidenti Gjorgje Ivanov, ish-kryeministri Emil Dimitriev dhe ish-kreu i Kuvedit maqedonas Trajko Veljanovski, e kanë përdorur mjetin e kushtueshëm . Por i parë burrështetas i huaj që ka udhëtuar me “Tankun” e Gruevskit ka qenë Bojko Borisov, një politikan ky bullgar.
Sipas të njëjtave media, “Tanku” është ende në shërbim të qeverisë së Maqedonisë, ndonëse qeveria Zaev deklaroi asokohe se e kishte nxjerrë në ankand.
Hetimi për mjetin e “frikshëm”, që ka bërë pak më shumë se 26.000 kilometra, nisi më 24 janar të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale. Hetimi u ndërmor si pasojë e akuzave të lëshuara nga Zaevi kur udhëhiqte përballë pushtetit mbi 10-vjeçar të Gruevskit.
Sot, “Armored Mercedes” i ka ndryshuar rrjedhën jetës së Gruevskit.