“Të ardhurat për ekonominë shqiptarë do të pësojnë një shumëfishim, nga ky projekt Shqipëria do të përfitojë1 mld euro në 20 vitet në vijim. Por këto nuk përfshijnë të ardhurat nga investimet zinxhirë. Shqipëria ka marrë të gjitha masat që të përfitojë gjithçka që potencialisht mund të fitojë nga ky projekt dhe procesi me TAP ka qenë konstruktiv. Ndërkohë në mbështetjen e BEsë dhe falë punës së ministrit të Industrisë, tanimë ka nisur puna për hartimin e masterplanit të gazit në Shqipëri, për të cilin BE jo vetëm që ka garantuar një grant prej 1.1 mln eurosh por ka siguruar dhe ekspertizën”, theksoi kryeministri.
Punimet e nisura sot janë vetëm hapi i parë në përgatitjet e TAP-it për ndërtimin e tubacionit, që parashikohet të fillojë në vitin 2016.
“Njoftojmë sot nisjen e fazës së parë të punimeve të një investimi që do të shtrihet deri në 5 vitet e ardhshme, – tha Rama. – Vlera e investimit në fazën e parë është shumë e konsiderueshme dhe krijon direkt 500 vende pune, krijon 500 km rrugë aksesi, 45 km për t’u rindërtuar në gjurmët ekzistuese, sikurse shëron plagë të mëdha për komunitetet që janë të lidhura me këto rrugë e ura e që deri më sot kanë qenë të izoluara.”
Nga ana tjetër, kreu i Ekzekutivit theksoi se Tapi nuk është një tub që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një nyje të furnizimit të energjisë nga lindja në perëndim.
“Për Shqipërinë do hapet një perspektivë e re dhe se qytetarët shqiptarë do përdorin gazin, si një formë më e lirë sesa energjia elektrike. Faleminderit për durim në shpërthejnë e kësaj panorame të përgjithshme. Dua t’ju shpreh investitorëve sigurinë e plotë të qeverisë shqiptarë, se ashtu si kemi punuar krah për krah, për të vënë një hartë investimet për të mbështetur investitorët, në kapërcimin e pengesave administrative apo burokratike, që janë tradicionalisht një problem për ta. Do punojmë së bashku me ju si partnerë dinjitoz, për të çelur çdo shteg që mund të gjendet në rrugën tuaj për shkaqe administrative, apo duke mos lejuar që të krijohen pengesa, për të cilat shqiptarët kanë paguar kosto të lartë në shumë vite, pasi administratat nuk kanë ditur të jenë në lartësinë e duhur për t’u zhvilluar.”- pohoi Rama.
Më herët foli Ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i cili vuri në dukje se gazsjellësi TAP është me rëndësi jo vetëm për BEnë dhe Rajonin për edhe për Shqipërinë.
“Sot moment historik për Shqipërinë. Gazsjellësi ka konkurruar edhe me versione të tjera, por u zgjodh ai projekt ku Shqipëria është vend transit. Gazsjellësi është me rëndësi jo vetëm për BEnë, Rajonin por edhe Shqipërinë”, tha Gjiknuri.
Punimet përfshijnë aksin rrugor nga Skrapari drejt Vithkuqit, një rrugë e njohur mesjetare, pasi këtej kalonin karvanët që lidhnin Korçën dhe zonat qendrore të Shqipërisë.
TAP do të ndërtojë dhe rehabilitojë mbi 100 kilometra rrugë përgjatë trajektores së tubacionit, duke nisur në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakrukes në rrethinat e Potomit, në rajonin e Beratit deri në Seman dhe Topojë në rajonin e Fierit.
Gjithashtu do të ndërtohen dy ura të reja dhe do të rehabilitohen rreth 50 ura ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Punimet do të kryhen nga një sipërmarrje e përbashkët si konsorcium, “Gener 2″ sh.p.k dhe “Sicilsaldo”, të miratuar pas një tenderi të hapur nga TAP-i.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)