Tapitë për tokat bujqësore, Ruçi:
Angazhim serioz për cdo familje 

Tapitë për tokat bujqësore, Ruçi:<br />Angazhim serioz për cdo familje 
Shpërndarja e titujve të pronësisë për cdo familje që disponon tokë bujqësore, është tashmë aksioni më kryesor i qeverisë, e cila po merr të gjithë vëmendjen e mazhorancës. Gjatë mbledhjes së djeshme, kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi u ka lënë porosi të gjithë deputetëve që sot në seancë plenare të diskutojnë pothuajse të gjithë për ligjet mbi pronat bujqësore të përfituara sipas 7501-shit. “Çdo deputet has me ketë problem ne zonat e veta të tregojmë që po e zgjidhim” mësohet të ketë thënë Ruci në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku mungonte kryeministri Rama. Po ashtu, Ruçi u ka kërkuar atyre që të bashkëpunojnë me kryetarët e bashkive për të ndihmuar cdo familje bujqësore në këtë proces.

“Qeveria e ka këtë cështje prioritet dhe jemi të angazhuar që cdo familje të përfitojë dokumentin e pronësisë. Tashmë kjo përgjegjësi u është kaluar bashkive, ndaj ju duhet të bëni gjithçka është e mundur, në bashkëpunim edhe me të zgjedhurit vendorë, për të ndihmuar cdo qytetar që ka nevojë”-mësohet të ketë thënë Ruçi. Janë mbi 5 mijë dosje të pashqyrtuara për pronat e përfituara nga ish-kooperativat bujqësore. Ndaj afati i vlefshmërisë së ligjeve “Për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve” dhe atij “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, shtyhet me 1 vit e gjysmë deri në 31 dhjetor të vitit 2017. Një tjetër shqetësim ka qenë dhe moratoriumi i gjuetisë i cili pritet të votohet sot në seancë plenare. Ai që ka ngritur shqetësimin ka qenë deputeti Paulin Sterkaj.

“Të bëhet ligj që të ndihmojë gjuhëtarët seriozë. Të bëhet dallimi mes gjuhëtarëve dhe kasapëve, e të mos penalizohen të gjithë një lloj kaq gjatë”, mësohet të jetë shprehur deputeti i Shkodrës.  Për dy vjet zogjve dhe gjitarëve iu kursye jeta (të paktën në letër) nga kasaphana në sajë të një moratoriumi për të gjithë gjuetinë, të miratuar nga qeveria shqiptare. Pavarësisht ndalimit, sërish gjuetarët e paligjshëm arritën vrasin kaproj e derra të egër larg syve të zbatimit të ligjit. Ligji, i cili u aprovua në janar të vitit 2014, pezulloi të gjithë licensat për ushtrimin e gjuetisë për dy vjet. Ky ligj do të ketë një shtyrje edhe për pesë vite të tjera. Në Shqipëri ka afro 75,000 pushkë gjuetie të regjistruara. Zyrtarë të lartë pohuan gjatë raportimit në Kuvend në mbrojtje të këtij ligji se, edhe pse kuadri ligjor për mbrojtjen e kafshëve të egra është përmirësuar gjatë viteve të fundit, të dhënat tregojnë për një situatë negative, e cila mund të rregullohet vetëm përmes një moratoriumi emergjent për gjuetinë, i cili me shumë gjasa do të shtyhet edhe për 5 vite të tjera. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë