Kontrata e qirasë që Igli Tare ka lidhur me Joana Bushin, vartëse dhe ish shefe e kabinetit të Belinda Ballukut, “është fiktive dhe është bërë për të humbur gjurmët e poseduesit real të kësaj pasurie” që për SPAK është pikërisht ish zvkryeministrja.
Nga dosja hetimore rezulton se kontrata e qirasë, e cila nuk është lidhur përpara një noteri, mban datën 25 maj 2022, dhe niste më 1 qershor 2022 me kohëzgjatje 2 vjeçare, për një pagesë prej 450 euro në muaj. Dy vjet më pas kontrata amendohet duke rritur qiranë muajore në 600 euro.
Sipas SPAK, Balluku rezulton ta ketë përdorur në mënyrë të rregullt që nga viti 2019, kur vilat kanë nisur t’u dorëzohen personave të besuar.
Ne telefonin e Viola Haxhiademit, hetuesit kanë gjetur një grup në Whatsapp, të krijuar në qershor të vitit 2019 nga Balluku i titulluar “Dhërmi”.
“Në këtë grup bëjnë pjesë shtetasit Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano”, të gjithë persona që rezultojnë të kenë njësi banimi në kompleksin “White Rocks”.
“Emri i grupit është titulluar "Dhërmi”, për shkak të vendndodhjes së këtyre njësive të banimit, ky grup është krijuar që shtetasit e mësipërm të koordinoheshin me njëri-tjetrin gjatë kohës që ndodheshin në kompleks”, shkruhet në dosjen e SPAK, ku vihet në dukje se “mungon emri i shtetases Joana Bushi, e cila ka lidhur fiktivisht kontratën e qirasë me shtetasin Igli Tare, për vilën F6, vilë e cila de facto rezulton të jetë e shtetases Belinda Balluku”.
Lajmi kryesor:
DOSJA/ ‘Vila e shefes’, provat që çuan SPAK te prona e fshehtë e Ballukut në Dhërmi! Vartësja: Bela ka vizatuar ku do bëhet pishina! U tradhtua nga antena e celularit dhe llogaria e 'Netflix'






