TIRANE - "Pranoj se e kam vrarë Enton Nikajn, por gjithçka ndodhi nga pakujdesia nga një qitje e pavullnetshme e pistoletës". Me këtë version të bërë publik përmes avokatit të tij, 28-vjeçari me një të shkuar kriminale, Emiljano Tasho pranoi autorësinë e vrasjes së ndodhur një javë më parë në periferi të Tiranës. Gjykata e Tiranës vendosi këtë të martë masën e sigurisë të "arrestit me burg", por avokati i Tashos kërkoi ndryshimin e akuzës nga rasje me dashje e kryer në bashkëpunim, në vrasje nga pakujdesia.

Të njëjtën masë sigurie të arrestit me burg gjykata dha dhe për Erjon Bircanin. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të një krimi që t'i shmanget policisë, por i pyetur përse strehoi Tashon ai dha një tjetër version.

“Tashon e kisha klient, një ditë po e një ditë jo ai vinte në lavazhin tim. Në lajme e pashë që ishte në kërkim një Emiljano Nina, nëse do ta kisha parë që kërkohej Tasho nuk do kisha pranuar që të flinte në shtëpinë time”, - tha ai.

Për vrasjen e Enton Nikajt dhe plagosjen e Ismet Gaxherit, një nga bashkëpronarët e restorant "Muraga" ku ndodhi krimi,  numri i të arrestuarve ka shkuar në tre përfshi Emiljano Tashon, Mirsad Kucanaj dhe Emiljano Biracin. Në kërkim janë ende Bujar Hasani dhe Ervis Martianj.

Redaksia online
(Gre.M/Shqiptarja.com)