TIRANE-E ndërsa vijon konsultimi publik mbi projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” me grupet e interesit, në nivel qendror dhe rajonal, të gjitha subjektet private në fushën e IT të interesuara për zhvillime aplikacioni software në kuadër të projektit të Fiskalizimit, tashmë mund të aplikojnë online për certifikatë elektronike test në portalin e-Albania.
Certifikata elektronike test mundësohet pa asnjë kosto, nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe do të ketë vlefshmëri deri më datë 31 Dhjetor 2019. Pra, tani çdo kompani që kërkon të prezantojë një aplikacion për fiskalizimin duhet që fillimisht të marrë certifikatën nga AKSHI.
Në fund të shtatorit të gjitha kompanitë e IT të interesuara për të ndërtuar këtë aplikacionin që do të përdoret për faturat elektronike duhet të dorëzonjë pranë Ministrisë së Financave aplikacionin e përfunduar, i cili me pas do të shqyrtohet dhe nëse rezulton i saktë do futet në funksion kur të fillojë implementimi i projektligjit.
Aplikimi për këtë certifikatë, ndjek hapa shumë të thjeshtë dhe realizohet brenda një kohe të shkurtër jo më shumë se dy ditore. Drejtoria e Tatimeve njofton se 'Ju nevojitet vetëm NUIS/NIPT, i nevojshëm për t'u identifikuar si biznes në portalin e-Albania dhe zgjidhni shërbimin "Aplikim për Certifikatë Elektronike Test" https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13378;
Pasi ndiqni hapat e treguar, Certifikata Elektronike Test do t'ju dërgohet në adresën e emailit që keni plotësuar gjatë regjistrimit të biznesit në portalin e-Albania.