Administrata Tatimore njofton se ka përmbyllur procesin e fshirjes së gjobave tatimore të bizneseve të cilët nuk kishin kusht pagesën e detyrimeve. Në kuadër të ligjit për ‘fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve’, administrata tatimore thotë se janë fshirë 91.6 milionë euro, dhe kanë përfituar 105,409 tatimpagues.
Konkretisht, janë fshirë 70.5 milionë euro i përkasin gjobave administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014, ku kanë përfituar 13,667 tatimpagues.
Kategoria e dytë përfituese nga kjo fazë e parë është fshirja e 21.1 milionë euro gjobave administrative, përfshirë ato për dorëzim të vonuar të deklaratave, deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që deklaratat të kenë statusin ‘e dorëzuar’. Nga kjo kategori kanë përfituar 96,302 tatimpagues.
“Në përputhje me përcaktimet e ligjit, nuk kanë përfituar tatimpaguesit e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave. Gjithashtu, nuk janë përfshirë në procesin e fshirjes/shuarjes detyrimet tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore”, thuhet në njoftim.
Faza tjetër e këtij procesi është pagesa e një pjese të detyrimit për të përfituar falje detyrimi dhe gjobe. Bizneset që paguajnë 50% të detyrimit të krijuar për periudhën 2015-2019 brenda këtij muaj përfitojnë falje të gjysmës detyrimit bashkë gjobat e kamatat. Nëse nuk shlyhet brenda këtij muaji por zgjatet deri më 31 dhjetor 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit bashkë me gjobat e kamatat e tyre.
Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, përfitojnë vetëm falje të gjobave dhe kamatave, nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.
Pjesë e ligjit janë edhe borxhet e sigurimeve shoqërore, por në këtë rast bizneset duhet të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026, që t’ju fshihen gjobat e kamatat.
Nga ky ligj që do të jetë në fuqi vetëm për këtë vit preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada dhe përfitojnë afro 200 mijë biznese debitorë.
Komente








