Këstet e parapagimit të tatimit mbi fitimin do tu mblidhen me forcë bizneseve nëse nuk paguhen në kohë. Ky propozim i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pritet të jetë pjesë e paketës fiskale për vitin e ardhshëm, për të cilën aktualisht po e punon Ministria e Financave. Ky propozim u njoftua nga vetë drejtori i tatimeve Ilir Binaj, i cili thotë se po hasen vështirësi në mbledhjen në kohë të detyrimeve nga ‘tatimi mbi fitimin’.
“Kemi bërë një propozim për ndryshim ligjor në kuptimin që parapagimit të atij fitimit të jetë i mbledhshëm me forcë, për faktin se ai nuk është deri tani. Në ligjin e vjetër ishte që nëse s'paguhen brenda afateve kishte një gjobë 10%, që ne e hoqëm për ta lehtësuar biznesin por nga ana tjetër kjo po reflektohet, në një vështirësi më të madhe për mbledhjen e parapagimit, për faktin se ai nuk quhet detyrim, sepse normalisht bëhet detyrim kur mbyllet deklarata në fund të vitit, gjë që vështirëson procesin e mbledhjes me forcë. Për këtë arsye dhe propozimi jonë, pra që i kemi bërë Ministrisë Financa me paketën e re fiskale, që të merret parapagimi në kohën që ai duhet të paguhet dhe mos të pritet një vit. Sepse në momentin që mbyllet viti mundet që biznesi të ketë probleme me likuiditetin dhe nëse e paguan çdo muaj është shpesh më e thjeshtë, ndërkohë që kur mblidhet i tëri në fund bëhet akoma më e vështirë”, tha Binaj.
Tatimi mbi fitimin paguhet çdo tremujor ose çdo muaj në formë paradhënie gjatë vitit, bazuar në bilancet e vitit paraardhës.
Sipas të dhënave të vetë tatimeve në fund të vitit 2025, gati 35.5% e detyrimeve të papaguara nga bizneset i takonin tatimit mbi fitimin. Ndërsa këtë vit ka rënie të të ardhurave që mblidhen nga ky tatim me 5.1% krahasuar me vjet. Binaj thotë se kjo gjë ka ardhur edhe për shkak të fokusit të administratës tatimore tek rritja e deklarimit të pagave dhe pagimi i sigurimeve shoqërore.
“Fokusi ka qenë te sigurimeve shoqërore dhe te tatimi mbi të ardhurat personale, por nga ana tjetër rritja e këtyre nënkupton ulje të fitimit për kompanitë, që do të thotë pastaj reduktim të një tatimi tjetër”, thotë Binaj.
Sa i takon synimit për formalizim të ekonomisë, aksionet e tatimeve pas turizmit dhe ndërtimit do të shtrihen në dy sektorë të tjerë.
“Njëra ka të bëjë me tregtinë online, të cilën sapo e kemi filluar. Nga ana tjetër kemi edhe pagat në shërbimet mjekësore që është një sektor që ne duam të trajtojmë duke filluar nga fundi i këtij viti dhe duke vazhduar dhe vitin tjetër për të krijuar një formalizim më të mirë të këtij sektori”, tha drejtori i tatimeve.
Ndërkohë vijojnë hetimet për mos-deklarim edhe ndaj 200 individëve me makina të shtrenjta por që rezultojnë pa të ardhura.
“Këta ishin individë që ne i konsideruam me risk të lartë, pra, kishin makina të shtrenjta, por nga ana tjetër nuk kishin asnjë deklarim në administratën tatimore. Pra ishin në një farë mënyre të paidentifikuar dhe këta u përzgjodhën për këtë arsye dhe kontrollet kanë qenë mjaft efektive dhe janë vënë penalitetet për pothuajse për çdo kontroll që është bërë. Penalitetet kanë qenë në vlerë për rreth 700.000 euro”.
Binaj u ndal edhe tek fshirja e detyrimeve dhe tha se deri në fund të gushtit janë falur 450 milion euro borxhe që biznesi i kishte ndaj administratës tatimore. sa i takon kompensimit të TVSH-së për fermerët deri më tani janë aprovuar 2906 kërkesa të bëra.
“Gjatë 2026-s administrata tatimore po kryen faljen e detyrimeve tatimore dhe deri më 31 gusht janë falur rreth 450 milion euro apo 41 miliard lekë. Deri në 31 gusht 2026 ishin rreth 4104 kërkesa nga të cilat 2906 janë aprovuar dhe pjesa tjetër janë në proces, për një vlerë prej 10 milionë eurosh”, tha Binaj.












Komente
Komento