Vijojnë kundërshtimet sa i përket tatimit për profesionet e lira. Gjykata Kushtetuese do të vendos nëse do ta marrë në shqyrtim si çështje në mes të muajit qershor, ndërsa afati i fundit për profesionistët e lirë të paguajnë faturën e kripur është fundi i qershorit.
Diskutimet për këtë temë vazhduan edhe sot në ‘Përballje’ në Report Tv. Ekonomisti Fatos Çoçoli u shpreh se kjo taksë e shtuar për profesionistët e lirë vjen edhe si pasojë asaj se çfarë ka ndodhur më parë me tatimet në vend, sidomos katër vitet e fundit pas pandemisë ku biznesi i vogël u trajtua në mënyrë sociale nga qeveria duke e çuar në zero tatim fitimin edhe prej pandemisë apo tërmetit.
'Dy gjëra janë të përhershme, vdekja dhe taksat. Taksat janë një e keqe e pashmangshme. Edhe mua më erdhi e kam 20 herë më shumë se përpara. E dija që do vinte në këtë sasi. Kështu është e vërtetë, një moment psikologjik i mirëfilltë. Deri tani jemi mësuar me një trajtim fiskal, krejtësisht tjetër. Tani është diçka tjetër. Më përpara paguaja vetëm sigurime shoqërore për pagën minimale, tani më ka ardhur kësti i parë më shumë se 20 herë. Por është detyrimi ndaj shtetit, kam menduar kur të kemi disa të ardhura ti shlyej. Dimë që kanë njoftuar Gjykatën Kushtetuese do ta shqyrtojë në mes të qershorit. Afati i fundit është në fund të qershorit për ne. Po shikoj mundësinë që të vë diçka për një ditë të vështirë që do të jetë fundi i qershorit', thotë Çoçoli.
Etleva Kondakçi, përkthyese e vlerëson si një situatë ku mungon proporcionaliteti dhe pothuaj të gjithë ishin të papërgatitur.
'Përveç mospërgatitjes psikologjike, është mungesa e parashikueshmërisë lexoj me vëmendje postimet e profesionistëve të tjerë dhe një nga problemet që jam dakord është efekti prapaveprues. Si mund të më tatosh për atë që kam bërë në 2023. Është shumë i beftë. Ndoshta ky ndryshim drastik do kishte dashur më shumë kohë. Efekti prapaveprues dhe e treta mungesa e proporcionalitetit të tatimit.
Deri më 2018 kam punuar me kohë t plotë dhe tani punoj si profesioniste e lirë. E di shumë ndryshimin. Është bërë më e vështirë. Mund të punojë vetëm në shtëpi, me ato problemet ose mund të marrësh një zyrë me qera që është kosto. Tregu i përkthimit ka ndryshuar. Përveç dy kontratave me organizata ndërkombëtare, që të duhet një njeri që të merret me kontratat. Nëse je me rrogë dhe thua nuk vij në punë. Është diferencë shumë e madhe dhe është dekurajuese', shprehet Kondakçi.
Eksperti i IT-së Tomi Kallanxhi tha se profesionistët e lirë duhet të inkurajohen dhe jo tu shtohen barra të tilla, pasi te ky grup futen dhe programues apo kodues, specialistë të IT-së që lidhen me kompani jashtë vendit dhe sjellin mjaft para në Shqipëri.
'Në fund ne do ta paguajmë, nuk ke çfarë i bën. Një person fizik, sjell lekë nga jashtë në Shqipëri. Kompanitë më të mëdhaja në Kinë, për çdo 100 dollarë të sjellur në Kinë shteti ja dyfishon buxhetin. Mijëra profesionistë në IT që sjellin mijëra euro në Shqipëri duhet të paguajnë më shumë tatim-fitim', tha Kallanxhi.
Çoçoli shtoi se ky ligj nuk ka efekt prapaveprues për profesionistët e lirë dhe nuk paragjykohen të ardhurat e kësaj kategorie për vitin e shkuar.
'Nuk ka efekt prapa veprues, ty të paragjykojnë për x të ardhurat në 2023 po kaq do kesh edhe gjatë këtij viti. Organet tona tatimore, mbi bazën e deklaratës tënde të vitit 2023, të ardhurat të kanë ardhur përmes rrugës bankare dhe ato shikohen nga sistemi', shton Çoçoli.
Ndërsa më pas Kallanxhi dhe Çoçoli patën dhe një replikë sa i takon nivelit të tatim fitimit.
Kallanxhi: Kryeministri ka mbi 1 vit që thotë Inteligjenca Artificiale dhe rritet administrata publike. Nuk mund të paguajmë me taksa një administratë që nuk dihet si është performanca. Biznesi i vogël, sot nuk po presin kuponat tatimore. Ne është kollaj për të na kapur.
Çoçoli: Një shtet mbahet nga taksa. Nëse je gati të paguhesh, më thuaj sa e do taksën. O do pranosh të paguash, ose nuk do pranosh. Mos u tremb të thuash si e ke menduar. Do paguash?
Kallanxhi: Po.
Çoçoli: Sa? Sa përqind?
Kallanxhi: Unë jam bashkë me TVSH-në.
Çoçoli: Sa e do 8, 5, 12 %?
Kallanxhi: Bashkë me TVSH-në.
Çoçoli: Lëre TVSH-në atë e paguan qytetarin.
Kallanxhi: Jo më shumë se 7%.
Çoçoli: Nuk jam dakord me atë që the se taksat shteti të na i marrë pasi e kemi mbaruar punën.
Kondakçi shton se kjo rritje e taksave duhet të përkthehet edhe në shërbime më të mira, aq më tepër për një shtresë si ajo e profesionistëve të lirë, ku ka edhe gra që janë sipërmarrëse dhe jo të punësuar diku, por që lidhin kontrata me kompani jashtë vendit.
'Sigurisht që do paguash. Ne profesionistët e lirë që mund të jemi më intelektualët, mund të jemi shembull për shoqërinë. Duhet të vijë edhe proporcionalisht. Duhet të reflektohet kjo taksa e rritur në shërbime. Sidomos për mua që jam grua dhe sipërmarrëse', theksoi Kondakçi.