Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Supë me pashaqofte dhe Fërgesë me vezë të ziera
Në këtë hapësirë të faqes sonë do të gjeni mënyrën e përgatitjes së recetave të gatimit të përgatitura nga Zonja Vjollca .Këto receta Zonja Vjollca i gatuan çdo ditë në emisionin "Rreze Dielli" nga ora 08:45 -10:00.
Redaksia 12 Nëntor 2019, 10:29 | Përditesimi: 12 Nëntor 2019, 12:56
Vendosim në një tas mishin e grirë, shtojmë në të 1 qepë mesatare të grirë shumë hollë, 4 lugë gjelle oriz gjysmë të zier, të bardhën e një veze, pak nenexhik të thatë. Punojmë mirë brumin e pashaqofteve dhe më pas lagim duart dhe formojmë qofte të vogla sa një arrë.
Vendosim në zjarr një tenxhere me 1.5 l ujë dhe e lëmë ujin të marrë valë. Shtojmë në të një patate të prerë në kubikë shumë të vegjël, po ashtu dhe një karrotë të prerë në fije ose në kubikë njësoj si patatet. Shtojmë dhe pashaqoftet të pudrosura lehtë më miell. I lëmë perimet të ziejnë me qoftet për 15-20 minuta. Rrahim 2 të verdha veze, gjysmë limoni (lëngun), I përziejmë mirë dhe i hedhim në supë. Ulim temperaturën dhe e trazojmë ngadalë që të mos pritet veza. Sa të fluskojë supa, e largojmë nga zjarri.
Shkrijmë gjalpin sipas preferencës, mund të shtoni edhe piper të kuq dhe ia shtojmë supës kur ta servirim, bashkë me majdanoz të grirë hollë.
Fillimisht vendosim vezët për të zierë, nga momentet e zierjes i lëmë vetëm 6 minuta. Presim domatet në feta të holla rrumbullake dhe specin e presim në kubikë të vegjël.
Ngrohim vajin dhe gjalpin dhe shtojmë në të specat, i kavardisim pak, dhe mbi to vendosim fetat e domates. Qërojmë vezët dhe i ndajmë në 2 gjysma vertikalisht dhe mbi çdo fetë domate vendosim një gjysmë veze. Spërkatim vezët me kripë, piper të zi, pipër të kuq, majdanoz të grirë hollë. Mbulojmë në fund vezët me djathë cheddar ose mozzarella.