Pulë me gështenja dhe kërpudha

Përbërësit:

1 pulë 1.5 kg

Kripë

1 lugë kafe piper i kuq

Rozmarinë

Trumzë

Dafinë

50 gr gjalp

4 qepë të vogla

3 lugë gjelle vaj ulliri

100 gr pançetë

500 gr kërpudha

350 gr gështenja

Piper i zi

Përgatitja:

Pastrojmë pulën dhe në pjesën e brendshme të saj vendosim pak kripë dhe pak piper të kuq dhe nëse keni erëza të freskëta, rozmarinë dhe trumzë vendosim nga një degë brenda në bark. Lidhim këmbët e pulës. (Nëse  erëzat nuk i keni  të freskëta atëherë nga pak nga këto erëza i përziejmë me gjalp dhe i vendosim në barkun e pulës).

Masazhojmë me pak kripë pulën nga jashtë, e vendosim atë në tavë, e lyejmë me pak vaj ulliri nga jashtë, vendosim disa copa gjalpi mbi të dhe e vendosim pulën në furrë në temperaturë 180 -190 gradë Celsius për 30 minuta.

Presim qepën Chalotte në fije, kërpudhat i presim në dysh nëse janë të vogla dhe në katërsh nëse janë më të mëdha.

Në një tigan ngrohim vajin dhe kavardisim qepën derisa të zbutet, shtojmë pançetën dhe i lëmë derisa qepa dhe pançeta të jenë karamelizuar. Shtojmë kërpudhat,  i kavardisim pak në temperaturë të lartë, më pas shtojmë gështenjat.

Rregullojmë shijen me kripë, i lëmë të ziejnë për 3-4 minuta. Nxjerrim pulën nga furra, e spërkasim atë me lëngun që ka lëshuar dhe shtojmë mbushjen përreth saj. Vendosim përsëri tavën në furë në temperaturë 170 gradë, për 30 minuta të tjera.

Pilaf me qiqra

Përbërësit:

2 lugë gjelle gjalp

2 lugë gjelle vaj

2 filxhan çaji oriz Olim

4 filxhane lëng perimesh ose pule

250 gr qiqra të gatuara

Kripë dhe piper i zi

Majdanoz

Përgatitja:

Shkrijmë gjalpin dhe vajin dhe pasi të kemi shpëlarë orizin, e kavardisim atë për 5 minuta.

Shtojmë lëngun e perimeve, ose lëng pule, ose leng mishi dhe ulim temperaturën në mesatare. E lëmë orizin të ziejë  për 12-14 minuta, por pasi të kalojnë 8 minuta nga zierja shtojmë qiqrat e gatuara. Largojmë tenxheren nga zjarri, e mbulojmë më një picetë dhe më pas vendosim kapakun, me qëllim që pilafi të mos zbutet më tepër seç duhet. Servirim pilafin të spërkatur me shumë pak majdanoz.

Shënim: Nëse qiqrat i kemi të pagatuara fillimisht i vendosim në ujë, në raportin 1 gotë qiqra, 3 gota ujë. Më pas i vendosim për të zierë 30 minuta, i kullojmë dhe qiqrat janë gati.