TË GJITHA dënimet nëse cenohet procesi zgjedhor...dhe pse u shkarkua kryebashkiaku i parë pas sulmeve të KZAZ

TË GJITHA dënimet nëse cenohet procesi zgjedhor...dhe pse u shkarkua kryebashkiaku i parë pas sulmeve të KZAZ

Kodi Penal është mjaft i qartë nëse dikush cenon procesin zgjedhor. Kreu X i Kodit Penal parashikon të gjithë veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, dhe dënimet për secilën nga veprat.

Neni 326/a përcakton se kush dëmton, prish, shkatërron me dashje materialet zgjedhore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në nenin 329 ku flitet për kanosjen apo dhunimin ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, përcaktohet qartë se nëse një zgjedhës kanoset për të mos marrë pjesë në votime dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Kur kjo dhunë i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit apo çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës për administrimin zgjedhor dënohet me burg nga një vit deri në 4 vjet. "Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet", thotë ky nen i Kodit Penal.

Nen 330 për pengimin e zgjedhësit për të votuar në qendrën e tj të votimit dënohet me burgim nga 1-5 vjet burg.  "Kur kjo vepër kryhet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgjedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet", përcakton neni 330.

Kodi Penal flet qartë edhe për pengimin e fushatës zgjedhore siç pd ka bërë disa herë ndaj aktiviteteve elektorale të kryeministrit Edi Rama.

Neni 325 thotë se "pengimi me anë të kanosjes, dhunës, apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve zgjedhore apo i kandidatëve  për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore, dënohet  me burgim nga një vit deri ne pesë vjet".

Nëndrejtoresha e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj në një konferencë zgjedhore për sulmet e ndodhura në KZAZ-në numër 16 në Bushat me bomba molotv tha se ndër të tjera ndaj të arrestuarve rëndon edhe akuza e "shkatërrimit të pronës me zjarr", ku sipas nenit 151, nëse ka kryer dëme të shumta materiale, ndëshkohet me me burgim gjer në dhjetë vjet. Në këtë ngjarje u plagosën edhe tre efektivë të policisë së Rendit që ruanin KZAZ-në, dhe kur nga kjo vepër shkaktohen pasoja të rëndë për shëndetin e njerëzve, dënimi është nga 5-15 vjet burg.

Po ashtu,për kundërshrimin e punonjsve të policisë, neni 236, parashikon  dënimin me burgim gjer në shtatë vjet.

Partia Demokratike nga dje ka nisur protesta, dhe ka paralajmëruar se do t'i vijojë ato deri më 2 korrik. Por të shtunën, është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën shqiptarët do të shkojnë të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

Në nenin 77 të Kodit Zgjedhor, përcaktohet se: Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj tha këtë të premte në një deklaratë për mediat, se "çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet".

Gjithashtu, në Vendimin e KQZ-së me Nr. 498 datë 24.06.2017 përcaktohet se gjatë ditës së votimit nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në orën 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit (oborret, korridoret, apo përpara hyrjes në objekt ku janë vendosur qendrat e votimit).

Po sot kryeministri Edi Rama shkarkoi nga detyra për herë të parë një kryebashkiak. Ishte Zef Hila i Bashkisë së Vaut të Dejës vendim që u mor pas sulmeve të dhunshme nga militantë të PD-së në KZAZ-në e Bushatit ku u shkatërruan të gjitha materialet e votimit që ndodheshin brenda palestrës së shkollës së mesme profesionale "Ndre Mjeda", ku ndodhej KZAZ-ja. Neni 62 i ligjit për Vetëqeverisjen Vendore në pikën a të tij cakton se kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve. Shkarkimi i Hilës u bë me propozim të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Ky vendim bazohet gjithashtu në nenin 100 dhe Neni 115 të Kushtetutës: 1.Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. 2. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.

NENET e kreut X në Kodin Penal

Neni 326/a

Dëmtimi  me  dashje  i  materialit  zgjedhor

(Shtuar  me  ligjin  nr.  23/2012,  datë  1.3.2012; shfuqizuar  pjesa  që  parashikon  edhe  dënimin  me  gjobë,  si  dënim kryesor,  krahas  dënimit  me  burgim,  me  ligjin  nr.  144/2013, datë  2.5.2013)

Dëmtimi,  prishja,  shkatërrimi  me  dashje,  apo  zëvendësimi  në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet.

Po këto vepra kur kryhen nga personat përgjegjës për administrimin zgjedhor ose në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, apo kur kanë sjellë  pasoja  të  rënda  në  mbarëvajtjen  e  zgjedhjeve,  kanë  sjellë pavlefshmërinë e tyre apo kanë cenuar rezultatin e votimit, dënohen me burgim nga tre gjer në tetë vjet

Neni 329

Kanosja  apo  dhunimi  ndaj  pjesëmarrësve  në  zgjedhje

(Ndryshuar  me  ligjin  nr.  23/2012,  datë  1.3.2012;  ndryshuar  me ligjin  nr.  89/2017,  datë  22.5.2017)

Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të veprimtarisë së tij në administrimin zgjedhor dënohet me burgim nga një vit deri në katër vjet

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet

Neni 330

Pengimi  i  zgjedhësit

(Ndryshuar  me  ligjin  nr.  23/2012,  datë  1.3.2012;  ndryshuar  me ligjin  nr.  89/2017,  datë  22.5.2017)

Pengimi i zgjedhësit për të votuar në qendrën e tij të votimit, duke shkelur rregullat e votimit, duke i marrë apo dëmtuar dokumentin e tij të identifikimit, apo në çdo formë tjetër, dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgjedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet

Neni  325

Pengimi i subjekteve zgjedhore

(Ndryshuar  me  ligjin  nr.  23/2012,  datë  1.3.2012;  ndryshuar  me ligjin  nr.  89/2017,  datë  22.5.2017)

Pengimi me anë të kanosjes, dhunës, apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve zgjedhore apo i kandidatëve  për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore, dënohet  me burgim nga një vit deri ne pesë vjet.

Neni 151

Shkatërrimi i pronës me zjarr

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur  nga  vepra  penale  janë  shkaktuar  pasoja  të  rënda  materiale, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 236

Kundërshtimi  i  punonjësit  të  policisë  së  rendit  publik

(Ndryshuar  paragrafi  i  II  me  ligjin  nr.  8733,  datë  24.1.2001; ndryshuar  paragrafi  i  dytë  me  ligjin  nr.  9686,  datë  26.2.2007)

Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim  për  ta  penguar  atë  për  të  kryer  detyrën  sipas  ligjit,  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gentifier: 28/06/2019 20:19

    E kujt i plasi se do vemi ne burg,sduam tja dim fare mjafton partia dhe shoku edi te jet ok me damianin ulsiu dhe qente e tjer,roft shqiperia

    Përgjigju
    • Tarasi: 28/06/2019 22:44

      Mire e ke... Bej burg për lul bajgen që nuk e meriton kurrë të bëhet kryeministër

    • Cubi: 28/06/2019 22:22

      Behuni njeher njerez se esht turp e na nxit faqen ne bot.Monika e ka shtepin me 11 hale ,ka edhe per macet edhe per qent,kurse ti numuron qindarkat ne fund te muajit.Femijet i ka cuar me studime jasht me parat qe te vjedh ty edhe gjith shqipetareve.Edhe cuni i bukur po ashtu,e mori nje dore te Vogel 250 mije euro,kurse ti edhe une ham nje barr hunj ne kurriz,bejm edhe ndopak burg.Prandaj lereni keto marrezi ,se ato neser i zgjidhin vet punet sna pyesin neve.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë