Tri jetë ikën sot në pak sekonda në një fshat të Dibrës: vëllai vrau vëllanë e nipin,  dhe më pas veten. Policia, media, do të raportojë si për të disatën herë "për motive të dobëta", siç quhen grindjet familjare që përfundojnë në tragjedi.  Në nisje të grindjes mund të jetë çdo gjë: prona, pasuria, xhelozia, apo të tjera çështje që shqetësojnë dhe kanë hedhur në kaos familjet shqiptare prej vitesh. E megjithatë, cilido qoftë shkaku i nisjes së konfliktit, mbrumjen e tij me shijen dhe rrugën e të keqes mund ta ketë bërë vetëm ajo, e pandara nga ligjërimet private dhe publike: doza e urrejtjes.

Urrejtja, e përzier me zili është një ndjenjë që shumë shqiptarë e ushtrojnë në të gjitha shtresat dhe nga të gjitha zonat nga ku vijnë. Në të shumtën e rasteve urrejtja ka si lëndë të parë injorancën dhe të pavërtetën dhe mbi to ngre kështjella dhune që përfundojnë siç zakonisht e dimë.

Urrejtja, para epokës së social mediave, gatuhej në tiganë të vegjël, brenda shtëpive, ndërmarrjeve, partisë, ndërsa tani ka shpërthyer kudo e ndaj kujtdo; që nga gardhet më të largëta të periferive shqiptare, në institucione, në politikë, televizione, mes asaj që formalisht quhet elitë.

Duket një shaka të luajmë sot me urrejtjen: dikush e ka bërë gati profesion, është bërë mjeshtër i përzgjedhjes së lëndës së parë, gënjeshtrës, për të ndërtuar mbi të një industri të së keqes që prek këdo që ka imunitet të brishtë.

Të infektuarit me urrejtje mund të kenë pamjen e kujtdo: të një kamarieri që gabon porosinë dhe nuk e pranon gabimin e tij, të një fatorinoje që kërcënon vetëm se i kërkon biletën që pagove, të një mjeku që nuk i bindesh të shkosh e të kurohesh në klinikën private të tij, të një shitëseje që nuk të jep kuponin pas një blerjeje, të një kolegu me të cilin nuk ndan, thjeshtë, të njëjtin mendim, të një shoku që thjesht refuzove duke i thënëse  nuk mund të jetë asgjë më shumë se një mik. Ja, urrejtja ushqehet me këto raste banale për të rëalizuar më pas tragjedinë. Dhe ne vazhdojmë të bëjmë shaka, vazhdojmë të luajmë nëpër televizione, rrjete sociale, në politikë me këtë instikt të rrezikshëm, primitiv.