Inter u rikthyer te fitorja këtë fundjavë në “Seria A” pas 4 ndeshjesh, por edhe pse erdhën tre pikët e para për këtë vit, në shtëpinë ‘zikaltër’ vlon çështja Mauro Icardi. Për kapitenin po zgjatet më shumë se ç’duhet rinovimi dhe pasojat janë ndjerë në fushë, aty ku Icardi nuk shënon që prej 15 dhjetorit në kampionat.
Si të mos mjaftonte kjo kanë qenë edhe deklaratat kontradiktore të bashkëshortës dhe agjentes së futbollistit, Ëanda Nara, që shpesh herë ka turbulluar ujërat me klubin. Jo vetëm kaq, por pak ditë më parë vetë Icardi doli kundër tifozëve të Interit për rezultatet negative që po merrte klubi.
Nga të gjithë këto situata duket se klubit I ka ardhur në majë të hundës dhe ka marrë masat e parë. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, ‘zikaltërit’ kanë njoftuar se Mauro Icardi nuk do të jetë më kapiten dhe se shiritin do ta marrë Samir Handanovic. Kjo është hera e parë që Icardi-t I hiqet shëriti që nga sezoni 2015-2016, kohë kur Mancini e zgjodhi si kapiten në moshën 22-vjeçare.