Të jesh shef është në modë, rriten bizneset profesionale në 2018-n

Të jesh shef është në modë, rriten bizneset profesionale në 2018-n

Tashmë ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shërbimet profesionale janë ato që po hapen më shumë vitet e fundit, teksa po mbyllen subjektet tregtare dhe ato të bar kafeneve.

Bizneset që kanë shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute në 2019-n janë ato në “Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit”. 186 subjekte të reja (shtesa neto) të kësaj kategorie u hapën në 2018-n, duke arritur në total në 793. Ndonëse numri total i tyre është i ulët në raport me sipërmarrjen tradicionale të shqiptarëve, atë të tregtisë (ku ka gjithsej 35 mijë subjekte), biznesi i shefave dhe i konsulencës ka arritur një rekord të tijin në 2018-n sa i përket hyrjeve të reja në treg. Në raport me vitin 2013, numri i tyre është katërfishuar.

Bizneset e konsulencës u rrit ndjeshëm vitet e fundit edhe për shkak se shumë profesionistë dolën nga skema e sigurimeve për shkak të tatimit prej 23% mbi pagat mbi 130 mijë lekë (nga 1 janari kufiri u rrit në 150 mijë lekë), dhe u regjistruan si biznese private, si një skemë për shmangin e këtij tatimi të lartë, duke shfrytëzuar hendeqet fiskale (bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kanë tatim fitimi zero). Kjo nxiti dhe autoritetet fiskale që të rishikonin legjislacionin këtë vit përmes një pakete ligjore që synonte uljen e shmangieve nga këta individë.

Në vend të dytë është kategoria e “aktiviteteve të shëndetit”, me 129 ndërmarrje të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,321. Vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm mjekësia dhe laboratorët private, si një kompensim i mungesës së cilësisë së shtetit në këtë shërbim jetësor.

Biznesi i tretë me rritjen më të lartë në vlerë absolute është ai i shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit, me 117 të tilla. Megjithatë, numri total i këtyre subjekteve prej rreth 1,200 të tilla mbetet i ulët në epokën globale të dixhitalizimit.

Shërbimet juridike e të kontabilitetit po bëhen të preferuara, me 116 subjekte të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,376.

Teksa sipas të dhënave të Moneyval vetëm 8% e transaksioneve të pasurive të paluajtshme kryhen përmes agjencive, duket se ka një hapësirë të lartë për këtë aktivitet. Numri i subjekteve të reja ishte 115, duke arritur në total në 847.

Kërkesa për ndërtime cilësore është rritur vitet e fundit, me shtimine vilave dhe apartamenteve luksoze. Kjo ka nxitur dhe aktivitetet në punime të specializuara ndërtimi, me 109 subjekte të reja, duke e çuar numrin e tyre në total, në 1,848.

Në fund të vitit 2018, në vend kishte 121 mijë biznese (pa përfshirë fermerët), me një rënie prej 4000 subjektesh (-3.3%). 29% e subjekteve totale janë në fushën e tregtisë me pakicë dhe 15% në atë të shërbimeve të ushqimit dhe pijeve (bareve e restoranteve). Mbylljet e 2018-s ishin pikërisht nga këto dy aktivitete, që kanë qenë historikisht të preferuarat e shqiptarëve, por që tashmë nuk po ecin më, duke ua lënë vendin bizneseve profesionale. Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Geke: 12/06/2019 09:14

    Po po te gjithe shqiptaret duan te jene shefa....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)