Mban 75-vite mbi supe. Ashtu siç ata pak persona që kanë mbetur në fshatin Qebik të Fushë Arrëzit, edhe Lulash Nika jeton vetem me gruan.

Dita e tyre nis herët. Edhe pse në moshë të thyer, bashkë duhet t’ja dalin të gjitha punëve. Kanë plot prodhime, por siç thonë dhe vetë, nuk ka kush i konsumon.

Jetojnë me brengen e largimit të fëmijëve, teksa Lulash Nika thotë se koha erdhi e atillë që t’i shërbejnë botës.

Lulashi e çmon shume vendlindjen, madje thotë se ndoshta fshati Qebik nuk të ofron shumë pasuri, ama qetësinë e shpirtit po.

Mbarshtimi i bletëve për të është argëtim, ndaj çdo ditë kohën më të bukur e kalon aty.

Lulash Nika jeton me frikën e vetmisë, por është ë vendosur të mos largohet, edhe pse tashmë jeton në një fshat që ka vetëm disa të moshuar.

Fshatrat e veriut po veniten dita ditës teksa shërbimet janë tkurrur e banorët e mbetur ende atje, rendin drejt zonave urbane me qëllim lehtësimin e jetesës së tyre.