Të panjohurat e ndeshjes së shekullit, Shqipëria ‘nën udhëheqjen e Partisë’, eliminoi dhe la jashtë evropianit të 68-ës’, Gjermaninë Perëndimore të Helmut Schön

Të panjohurat e ndeshjes së shekullit, Shqipëria ‘nën udhëheqjen e Partisë’, eliminoi dhe la jashtë evropianit të 68-ës’, Gjermaninë Perëndimore të Helmut Schön

Nga e diela në të hënë, por me diferencë jo një javë, por 55 vjet…! Po, pak më shumë se gjysmë shekulli nga 17 dhjetori 1967, kur Shqipëria barazoi 0-0 me Republikën Federale Gjermane. Si kujtohet sot, cila ishte atmosfera në prag të saj? Një popull në këmbë për, aktin heroik të Shkurte Pal Vatës (“Heroinë e Punës Socialiste”) dhe në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti në rrethet e Dibrës e Librazhdit, ku ishte shpërngulur e qëndronte e gjithë udhëheqja e lartë e partisë dhe shtetit, me në krye Enver Hoxhën dhe kryeministrin Mehmet Shehu! Pastaj ndeshja: Nga mungesa e Gerd Mylerit e Franc Bekenbauerit, te parulla gjigante ku shkruhej: “Elektrifikimi i plotë i fshatit, vepër e ndritur e Partisë me në krye shokun Enver Hoxha…”, që habiti gjermano-perëndimorët! Befasitë e trajnerit Loro Boriçi, goli i mohuar i elbasanasit Fred Gjinali, festa në “Qemal Stafa” dhe eliminimi surprizë i Gjermanisë. Reagimi i shtypit sportiv botëror dhe një foto e rrallë e publikuar në Muzeun e Dortmundit. Çfarë bëjnë sot, ku janë protagonistët e sfidës monumentale të asaj kombëtareje, e cila eliminoi dhe la jashtë evropianit të ’68-ës, Gjermaninë Perëndimore të Helmut Schön?

Nga Dortmundi në Tiranë

Duke i’u rikthyer takimit Gjermani-Shqipëri (6-0), në prillin e vitit 1966, të nesërmen, kombëtarja e Lym Allës, pasi ka lënë Dortmundin, ka zbarkuar në Itali, për të qëndruar 24 orë në kryeqytetin italian, sepse mungonin linjat ajrore me Shqipërinë. Futbollistët kanë shfrytëzuar “lirinë”, duke u ndarë në grupe, dikush në mesditë ka ndjekur derbin ‘Roma’- ‘Lacio’, ndërsa të tjerë kanë përfunduar në kinema.

Ndryshe, trajneri Myslym Alla ka kërkuar dhe ka takuar shqiptarin Naim Kyeziu, ish-lojtari i Romës. Një takim që nuk është pëlqyer nga qeveritarët shqiptarë, reflektuar ky qëndrim, pas kthimit dhe debateve në analizat vijuese me drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Heroina”, Shkurte Pal Vata dhe tërmeti tronditës…!

E tillë ka qenë situata, që i parapriu takimit Shqipëri-Republika Federale Gjermane. Në aksionin e rinisë, për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në sektorin Dushk, gjatë punimeve në muajin tetor, dëmtohet dhe, pas disa javëve, ndahet nga jeta Shkurte Pal Vata, një vajzë 17-vjeçare, nga Dukagjini i rrethit të Shkodrës.

Vdekja aksidentale e saj, u propagandua duke e kthyer në një personazh mediatik me jehonë të madhe për kohën.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një ngjarje tronditëse ishte ajo e 30 nëntorit kur, një tërmet i fuqishëm goditi rrethet e Librazhdit dhe Dibrës në zonën veri-lindore të Shqipërisë, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 persona dhe u plagosën 174 të tjerë. Si rezultat, tashmë e gjithë Shqipëria ishte ngritur në këmbë, duke u solidarizuar me familjet e dëmtuara. Qeveria dhe udhëheqësit me në krye Enver Hoxhën vizituan fshatrat dhe pati një mobilizim të madh mbarë popullor.

Në Shqipërinë e fundvitit sportiv dhe kulturorë-artistik

Nga vendimi i qeverisë, ai i 5 dhjetorit 1965, mbi elektrifikimin e të gjithë fshatrave të Dukagjinit, Kelmendit e rrethit të Shkodrës, shkojmë te sfida në volejboll për meshkuj, “Dinamo” e Tiranës, – “Partizani” i Beogradit, e cila përfundon 3-2, në ndeshjen e luajtur në Tiranë. Pastaj çelja e anketës tradicionale “5 Sportistët më të mire të vitit” dhe “Dinamo” e “Vllaznia” (kjo e caktuar në Kupën Ballkanike), janë finaliste të Kupës së FSHF-së.

Ekipi “Studenti”, fitoi Kupën e gazetës “Luftëtari”, (organ i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore), të rinjtë e “Vllaznisë” atë të “Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë”, ndërsa “Ylli Kuq” i Pogradecit merr Kupën e gazetës “Sporti Popullor”.

Në Turqi, mbyllet Kampionati i 7-të Europian i Volejbollit për Meshkuj dhe Shqipëria është e fundit në renditje. Ai dhjetor i vitit 1967, ka njoftimin historik në gazetën “Sporti Popullor” të datës 19 dhjetor, ku thuhej se: “Më 15 janar 1968, do të hapet Shkolla e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë”. Bashkë me to edhe disa evenimente artistike, si filmat “Duel i Heshtur”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, shumë të ndjekur nga qytetarët asokohe. Ndërsa botën muzikore, e përfshin “Sergeant Pepper’s lonely hearts club band”, i konsideruar disku më i bukur i “Beatles”.

Drejt përballjes, nuk vijnë Beckenbauer dhe Myler!

Para takimit të 17 dhjetorit Shqipëri-RF Gjermane, renditja e grupit ishte kjo: Jugosllavia 6 pikë (3 /1/ 0/ 7-3; R.F. Gjermane, 4 pikë (2/ 1/ 6-1); Shqipëria: 0 pikë, 0-10. Nga informacioni i ardhur në Federatën Shqiptare të Futbollit, skuadra gjermane, kishte grumbulluar këta futbollistë: H. Volter, H. Hotges, R. Libuda, M. Maglitz, V. Shulc, H. Siemensejmer, V. Veber, V. Overat, J. Lohr, H. Vogts, G. Netzer, P. Mayer, S. Mayer, G. Myller, B. Patzke, K. Fishtel, V. Ferdinat, H. Vimler, S. Gygiet, G. Volkert, H. Hornig, H. Kupert.

Nga formacioni i prillit 1966, trajner Helmut Schön, merr vetëm gjashtë lojtarë, mbrojtësit Patzke, Hotges, Shulc Veber, mesfushorin Overat dhe sulmuesin Lohr. Nuk vijnë portieri Tillkovski, Bekebauer, Dorfel, Ulsas, Myler. Ndërkohë, vjen portieri Horst Volter, i “Eintracht” B., (e para e tij me kombëtaren), lojtarët Peter Meyer dhe Siegried Held, të “Borusia” Dortmund, sulmuesi Hans Kupers i Futboll-Club “Nuremberg” dhe në mesfushë, duke mos marrë Zeler, bashkë me Overat, vjen Gunter Netzer nga Dortmundi.

Ndryshon edhe kombëtarja shqiptare

Edhe Shqipëria ka të tjerë lojtarë nga ndeshja e prillit dhe ajo e fundit me Jugosllavinë: Nga ndeshja e Dortmundit, nuk do të luajnë portierë Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Niko Xhaçka, Skënder Hyka dhe Bahri Ishka, ndërsa nga takimi me Jugosllavinë, nuk do të jenë: portieri Jani Rama, Gani Xhafa, Foto Andoni. Ndërsa kundër Republikës Federale Gjermane, trajnerët Boriçi dhe ndihmësi i tij, Ilia Shuke, do të aktivizonin dy emra të rinj: në portë, Koço Dinella i “Skënderneut” të Korçës dhe bashkë me të edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, elbasanasi Fred Gjinali, por të dy tashmë të “Dinamos” së kryeqytetit.

Në qendër të mbrojtjes, nuk lëviz Frederik Jorgaqi, rikthen Xhuxh Kazanxhiun, rikonfirmon Medin Zhegën, duke mbajtur stabël e të pandryshuar bllokun tradicional me Teodor Vason, Ramazan Rragamin, Ali Memën e Panajot Panon, protagonistë të të gjitha takimeve, ndërsa shiritin e kapitenit e mbajti Lin Shllaku që në Dortmund, për arsye shëndetësore, nuk udhëtoi.

Surpriza e formacionit, Dinella i “Skënderbeut” të Korçës 

Një ditë para takimit, ndërsa ishin të grumbulluar në hotel “Donika” në Tiranë, në dilemë, midis Mikel Jankut e Jani Ramës (ky i fundit edhe i dëmtuar), Boriçi i ka shtangur të gjithë kur ka shpallur formacionin, duke deklaruar se në portë, do të ishte Koço Dinella, një i ri 20-vjeçar, pa eksperiencë. Vetë Koço, e kujton kështu atë ndeshje: “Nuk kisha asnjë të dhënë lidhur me formacionin. U befasova, nuk e prisja as unë dhe as skuadra, kur trajneri lexoi listën dhe tha emrin tim. Por edhe të Gjinalit. Mikel Jankun e adhuroja dhe u ndjeva në vështirësi që, në atë takim, ai do të ishte rezerva ime”.

Fred Gjinali i Elbasanit, befasues…!

Nuk do të ishte e para, as e fundit e Boriçit që, me zgjedhjet e papritura të orëve të fundit, do të befasonte jo vetëm mjedisin shqiptar, por edhe atë kundërshtar. Në rastin konkret, befasoi gjermano-perëndimorët, si në ’67-ën, por edhe në vitin 1971, me mbrojtësin Astrit Ziu, si sulmues i majtë. Ideja për të marrë në kombëtare Fred Gjinalin, mbrojtësi anësor energjik i “Dinamos” së Tiranës, erdhi për shkak të disa mungesave, si ato të Fatmir Frashërit e Mihal Gjikës, të dëmtuar.

I pa grumbulluar, Gjinalin e kanë njoftuar vetëm pak ditë para takimit, që të paraqitet në Konvaleshencën e Ministrisë së Mbrojtjes te Plepat e Durrësit. Me tipare sulmuese dhe gjuajtje të fuqishme, dalje në sulm nga krahu, ishte trajner Skënder Jareci që, si konsulent, i’a pat propozuar Boriçit këtë lojtar. Ai u afrua pa zhurmë, ndonëse pa asnjë minutë në miqësoret e luajtura ndaj të rinjve të “Partizani”-t e “Vllaznisë”, e vendos titullar në formacionin kundër gjermano-perëndimorëve.

Republika Federale Gjermane, në Tiranë për herë të parë!

Nga finalja në “Wembli” e Londrës, deri para takimit me Shqipërinë, RFGJ-ja kishte zhvilluar dhjetë ndeshje. RFGJ – Marok, 5-1, miqësore; 1-0 me Bullgarinë; 6-0 me Shqipërinë; Jugosllavi – RF Gjermane, 1-0, RFGj – Francë, miqësore 5-1, RFGJ – Jugosllavi 3-1 dhe e fundit, me 22 nëntor 1967, në Bukuresht, Rumani – RFGJ, 1-0 (miqësore).

Në këtë takim, RF Gjermane luajti me Volter, Patzke, Shulc, Veber, Bekenbauer, Overat, Libuda, Meyer, Zeler, Lohr, Myller. Ndërsa në Tiranë, Gjermania e futbollit vinte për herë të parë, ndonëse Overat e Veber me Këlnin, kishin qenë më 1964-ën për Kupën e Kampioneve, 0-0 me “Partizani”-n në Stadiumin “Qemal Stafa”.

Ndërkohë, po për Kupën e Kampioneve, ndërsa shorti për edicionin 1967 – ’68 kishte vënë përballë “Dinamon” e Tiranës me “Eintracht” te Braunshvejkut, ky takim nuk u zhvillua, pasi në çastet e fundit, skuadra shqiptare u tërhoq nga aktiviteti. Kështu, ato 90-të minuta të 17 dhjetorit ’67, midis përfaqësueseve, përveç kuriozitetit të madh, ishin deçizive dhe ndiqeshin me shumë interes nga Europa, në veçanti nga Jugosllavia, pasi rezultati i saj, ndikonte direkt në kualifikimin e europianit, “Italia ’68”.

Të gjithë të bindur se Republika Federale Gjermane, ishte normalisht favorite, askush nuk e kishte menduar se stadiumi “Qemal Stafa”, kishte qenë një herë dëshmitar i një rezultati dhe eliminimi të bujshëm, të Irlandës së Xhorxh Bestit të famshëm, nga Botërori “Angli ’66”, pas barazimit spektakolar 1-1. Këtë here, impianti modest kryeqytetas do të ndëshkonte një tjetër formacion të madh, Gjermaninë Perëndimore, nënkampione të botës.

Parullat në stadium, që habitën gjermano-perëndimorët!

Të mësuar tashmë me publicitete sportive, ato të markave të njohura, gjermanët janë befasuar kur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në mjediset e brendshme e të jashtme të tij, janë ndeshur me parulla (banera) gjigande, tipike me mesazhe me përmbajtje socialiste, si: “Edukimi fizik, është pjesë e edukimit komunist”; “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”; “Rroftë Komiteti Qendror i PPSH”; “Mbrojtja e atdheut është detyrë patriotike” etj.

Por, ajo: “Elektrifikimi i plotë i fshatit më 1971 vepër madhështore e Partisë”, e vendosur përgjatë tribunës përballë, i ka bërë mjaft kuriozë, miqtë nga Gjermania kapitaliste. Duke e konsideruar një mesazh të madh tifozerie, miqësie apo diçka tjetër, gjithmonë sportive, ata janë habitur kur, përkthyesi dhe shoqëruesi i tyre, stomatologu i mirënjohur Pano Lula, u ka treguar se për çfarë bëhej fjalë.

Biletat në “Qemal Stafa”, vetëm me autorizim!

Biletat për ndeshjen e shumëpritur, Shqipëri – RFGJ, jepeshin vetëm me autorizim. Kështu ka funksionuar në ato vite, kur luhej një takim i rëndësishëm ndërkombëtar, jo vetëm në futboll, por edhe në tjera sporte. Për ndeshjen me Gjermaninë, të gjeje një biletë, ishte pothuaj e pamundur. “Tregu i zi”, pak funksiononte dhe biletat jepeshin me autorizim në institucione e ndërmarrje prodhuese, për zyrtarë, drejtues dhe punonjësit e dalluar. Çmimi dyfishohej, nga 30 lekë (të vjetra) që ishte tribuna në ndeshjet e kampionatit, shkonte në 60 lekë.

Kryesisht në tribunën A dhe B ishin zyrtarët e lartë, ose familjarët e tyre. Pak bileta jepeshin për futbollistë, madje kapiteni Lin Shllaku, kujton se, edhe disa orë para takimit, futbollistët endeshin zyrave të FSHF-së, për t’u siguruar bileta njerëzve e miqve të tyre. Për gazetarët, radio kronistët, telekronistët e paktë, ishin kabinat. Një pjesë e spektatorëve, qëndronin në këmbë në tribunën qendrore, po kështu edhe mbi stola të vegjël në radhën e fundit në tribunën përballë, apo siç njihej ndryshe, te njëzetçet.

E diel, 17 dhjetor 1967, Stadiumi “Qemal Stafa”, ora 14:00

Shqipëria: Koço Dinella, Fred Gjinali, Frederik Jorgaqi, Justin Kazanxhi, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Lin Shllaku, Sabah Bizi, Panajot Pano, Medin Zhega. Trajner: Loro Boriçi.

R.F. Gjermane: Volter, Patzke, Veber, Shulc, Held, Hotges, Overat, Netzer, Kupers, Meyer, Lohr. Trajner: Helmut Shën.

Arbitër: Ferdinand Marshall, Franc Verer, Jozef Titel (Austri).

Kornet: 3-3

Spektatorë: Mbi 20 mijë.

Terreni: Pak i rënduar, kohë e keqe me shi të imët.

Ngjyrat e fanellave: Shqipëria kuq e zi, R.F. Gjermane, bardhezi.

Ndeshja Shqipëri – Republika Federale Gjermane, në 17 dhjetor 1967, është ndjekur masivisht nga e gjithë Shqipëria, që në atë mesditë, ka mbajtur frymën tek zëri i Radio- Tiranës dhe ai Televizionit Shqiptar, kush zotëronte një aparat të tillë. Takimi është komentuar në Radio Tirana, nga legjenda e mikrofonit sportiv shqiptar, Anton Mazreku dhe Ismet Bellova dhe është transmetuar në RTSh, (nga Qendra Eksperimentale Televizive) me komentin e gazetarit të njohur, Alfons Gurashi, asokohe djalë i ri.

Gjuajtja e Gjinalit dhe goli i mohuar…!

Ai 90-të minutësh, ka qenë i pari dhe i fundit për elbasanasin Fred Gjinali, bashkë me dy gjuajtjet e paharruar të cilat, përmblidhen në karrierën e tij me kombëtaren. Minuta 52: Nga një pasim i Ali Memës, Gjinali godet tokazi, befasishëm dhe portieri Volter, reagon me vonesë, e pret topin, por për shumë të pranishëm në stadium, (kryesisht ato të tribunës “A”), topi e ka kaluar vijën e portës, por që nuk mendojnë kështu ,asistenti Verer dhe arbitri Marshal.

Madje edhe fotoja e vetme e këtij çasti, e fotografit të njohur të ATSH-së (Agjensisë Telegrafike Shqiptare), Enver Sahabani, e tregon në pozicion të dyshimtë hedhjen e portierit gjerman, Volter, ku në gjoksin e tij, duket qartë njolla e gëlqeres së vijës së bardhë.

Ai e ka filluar menjëherë lojën, por nga hutimi, mbrojtja gjermane e ka lënë topin të dalë jashtë vijave anësore. Me ri futjen e shpejtë të tij në lojë, në pak sekonda, topi ndalon te këmbët e Gjinalit, i ndodhur në të atë pozicion e distancë rreth 20 metra nga porta jugore, godet edhe një herë fuqishëm dhe Volter, fluturimthi largon topin në korne./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj