Sali Berisha ka thirrur të premten protestën e 8-të me shpresën se kësaj here do të rrëzojë Edi Ramën. Skenari që do të zbatojë Partia Demokratike kësaj here nuk janë shëtitjet në bulevard por fjalimet para godinës së kryeministrisë.  

Për avokatin Romeo Kara, njerëzit, sado të pakënaqur të jenë me Ramën, nuk shkojnë në protestat e Berishës sepse nuk duan të riciklojnë të shkuarën.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori, avokati tha se ndryshe nga sa premton, Berisha nuk e ka seriozisht në ‘zotimin’ e tij  për ‘ta bërë Shqipërinë', për faktin që është 'i korruptuar' dhe me probleme me drejtësinë por edhe me faktorin ndërkombëtar. Në këtë aspekt, Kara i bëri thirrje Berishës të hapë krahun. 

"Protesta duhet të jetë e fortë. Me atë skenar nuk shkon më. Le të hapë krahun. Le të bëjë dhëmbët kaq.. njerëzit nuk shkojnë në protestë. Berisha duhet të hapë krahun dhe të hapë rrugën. Nuk shkojnë në protest nëse nuk ndryshon thelbi. Njerëzit nuk shkojnë tek riciklimi. Ndrysho qasjen dhe Rama bie për 24 orë. Opozita duhet të jetë e fortë. Berisha nuk e ka seriozisht që do ta bëjë Shqipërinë. Ai është në një pozicion delikat me faktorin ndërkombëtar dhe me drejtësinë. Ai e ngroh deri diku opinionin pro-SPAK kur goditet korrupsioni, por kur i vjen dita që të shkojë tek SPAK e bën si lopa që I bie me shkelm. Berisha duhet të sqarojë njëherë  pozicionin me drejtësinë dhe me oligarkët, sepse e ka ulur menderen tek oligarkët” tha Karaj duke I bërë thirrje berishës të tregojë ku i ka fshehur ‘vezët e korrupsionit’ të tij.