Një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Kurbin.

Ngjarja ka ndodhur në orën 22:17 në ambientin e jashtëm të një hoteli në aksin rrugor Laç-Mamurras afër kryqëzimit të fshatit Gjormë, ku një person ka qëlluar me armë zjarri. 

I vdekur ka mbetur 37-vjeçari Bujar Lika (Hasani), ndërsa të plagosur kanë mbetur shtetasit Paulin Gjergji, 53 vjeç dhe Kreshnik Tusha, 21 vjeç. Dy tw plagosurit janë dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Pranë trupit të viktimës është gjetur një armë, që nuk dihet nëse është përdorur gjatë shkëmbimit me armë zjarri.

Dyshohet se mes të plagosurve ndodhet dhe autori i ngjarjes, por është ende e paqartë se cili prej të plagosurve është ai.

Shkak i shkëmbimit të zjarrit, mendohet të ketë qenë një konflikt mes tyre. Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa nuk dihet nëse viktima dhe të plagosurit janë persona me të shkuar kriminale apo jo. Kamerat e hotelit do të ndihmojnë policinë në zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të saj.

Policia ka ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë nga Drejtoria për Krimet e Rënda në  Departamentin e  Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë  dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për administrimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes.

Në ndihmë të policisë kanë shkuar edhe dy grupe të FNSH-së Shkodër dhe vijon krehja e zonës dhe shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.