Valter Lleshi, baba i dy fëmijëve, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e së hënës në Reps të Mirditës. 45-vjeçari po udhëtonte me një automjet të kompanisë “Balkan Basalt”, ku punonte, kur iu bë atentat në një rrugë rurale pa kamera sigurie.

Sipas burimeve nga vendngjarja, Lleshi u qëllua me breshëri plumbash dhe mori plagë të shumta në kokë e trup. Në vendngjarje u gjetën 18 gëzhoja. Trupi i tij u gjet nga një koleg që po shkonte në punë, i cili njoftoi menjëherë policinë. Pika kontrolli janë ngritur në të gjithë zonën dhe po kryhen kërkime intensive, edhe me qen gjurmues, për identifikimin e autorëve.

Tre muaj më parë, në kamionin që drejtonte Lleshi u gjet lëndë plasëse që nuk shpërtheu. Ai njoftoi policinë dhe deklaroi se nuk kishte konflikte, por dyshonte se tritoli mund të ishte një mesazh ndaj kompanisë. Ngjarja po verifikohet nëse ka lidhje me atentatin e sotëm.

Megjithëse 45-vjeçari nuk kishte precedentë penalë, hetimet janë përqendruar te lidhjet e tij shoqërore me fisin Reçi, i cili prej tre dekadash është në konflikt me fiset Gjini dhe Bardhi në Mirditë.

Pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve dhe dinamikës së konfliktit të vjetër, hetuesit po verifikojnë nëse atentati lidhet me vrasjen e Anton Kelit në dhjetor 2020 në Rrëshen. Keli ishte kushëri i Tonin dhe Preng Gjinit. Sipas burimeve policore, Lleshi ishte i dyshuar asokohe, por nuk u procedua, pasi nuk u gjetën prova që e implikonin në krim.

Hakmarrja mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi konsiderohet një nga sagat më të përgjakshme në veri të vendit. Në vitin 1995 u vra Ilir Reçi. Një vit më herët, Dod Gjini kishte vrarë shefin e Krimeve, Ndue Kaza, i cili kishte ndërhyrë për të ulur tensionet mes palëve. Në vitin 1997 u vranë Dod dhe Agustin Gjini, ndërsa më pas u ekzekutua edhe Nikolin Gjini në burgun e Shënkollit.

Në vitin 2016 u vra Saimir Jaku, ndërsa më 28 prill 2017 Gasper Reçi u ekzekutua në Romë. Pesë muaj më pas, në Belgjikë u vra Kreshnik Gjini. Në gusht 2018 u plagos Arben Gjini, ndërsa më 13 gusht 2019 u vra Armando Gjini në qendër të Rrëshenit. Më 7 janar 2020 u ekzekutua Kastriot Reçi me snajper në Rrëshen. Në shtator të po atij viti, Preng Gjini i shpëtoi një atentati me eksploziv në Tiranë.

Më 15 dhjetor 2020 u vra Anton Keli, ngjarje që po verifikohet edhe në lidhje me atentatin e së hënës ndaj Valter Lleshit. Në mars 2023, Saimir Reçi i shpëtoi një atentati në Rrëshen, ndërsa gjashtë muaj më vonë u vra Martin Bardhi. Në vitin 2025 u vra edhe nipi i tij, Kristian Marku (Bardhi).

Hetuesit po verifikojnë nëse vrasja e Valter Lleshit është episodi më i fundit i këtij konflikti shumëvjeçar mes fiseve rivale në Mirditë, i cili ka lënë të paktën 14 viktima dhe disa të plagosur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:23
U ekzekutua me breshëri plumbash brenda në automjet, del foto e viktimës në Mirditë! Dyshohet se u vra për hakmarrje

1781518979_valterlleshi.jpg

Report Tv ka siguruar foton e 45-vjeçarit Valter Lleshi, i cili u vra me breshëri plumbash brenda një automjetin e kompanisë ku ishte i punësuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shkorrët, përgjatë rrugës Reps–Spaç rreth orës 07:10 të mëngjesit sot.

Një prej pistave që po hetohet është ajo e hakmarrjes pasi dyshohet se viktima të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen. Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit. Megjithatë, burime nga policia sqarojnë se deri më tani Valter Lleshi nuk ka qenë i hetuar dhe as i skeduar si i dyshuar për vrasjen e Anton Kelit.

Ora 10:31
Vrasja e 45-vjeçarit në Mirditë, dyshohet se u ekzekutua për hakmarrje!

1781512457_mirdite.JPG

Foto: Policia në vendin e ngjarjes

45-vjeçari Valter Lleshi dyshohet se është ekzekutuar për motive hakmarrjeje. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai njihej për lidhjet miqësore me fisin Reçi.

Një nga pistat që po hetohet është edhe një dyshim i hershëm për përfshirjen e Lleshit në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen. Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit.

Megjithatë, burime nga policia sqarojnë se deri më tani Valter Lleshi nuk ka qenë i hetuar dhe as i skeduar si i dyshuar për vrasjen e Anton Kelit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e krimit dhe për të identifikuar autorët.