THETH- Të shtëna me armë janë regjistruar në Theth, ku ka mbetur i plagosur një person. Report Tv ka mësuar nga burime zyrtare se i plagosur ka mbetur 47-vjeçari Gëzim Ndrezaj që punonte si murator, i cili ka marrë një plagë në këmbë. 

Dyshohet se konflikti mes tij dhe autorit ka ndodhur për prishje pazari, pasi autori i ka kërkuar që t'i bëjë një punë, po ai nuk ka pranuar. Për pasojë, autori, i cili ishte me një makinë, ka nxjerrë automatikun dhe e ka qëlluar në këmbë.

I plagosuri, përpara uniformave blu, ka thënë se ka pasur vetëm një të shtënë si dhe ka rrëfyer se autorin e njeh, pasi është banor i zonës.

“Ka edhe më keq. Autori më kërkoi të bëja një punë. I thashë se nuk kam mundësi. E njoh autorin, është vendali. Më plagosi me automatik. Ngjarja ndodhi para 10 minutave. Ai ishte me makinë. Më gjuajti një herë”, thotë i plagosuri.

Mësohet se policia ka mundur ta identifikojë autorin dhe është vënë në ndjekje të tij.