''Të urtët'' - Servet Pëllumbit:
Ne s'jemi ''byroistë'', gabohesh

TIRANE- Ka shkaktuar shumë debate deklarata e ish kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili teksa është shprehur nga pozitat e një të “urti” të larguar nga Këshilli Politik pranë kryetarit të PS, ka thënë se “nga pjesëmarrja në dy mbledhje të tij, me keqardhje konstatoj që ky këshill i ngjan një lloj ‘Byroje Politike’ që përdoret për relaks, sepse asnjë lloj obligimi nuk ka në parti për të diskutuar rreth atyre problemeve që shtrohen në këtë këshill”.

Ndonëse me tone tepër të rezervuara, anëtarët e Këshillit Politik pranë kryetarit të PS, Rama kanë reaguar sipas mënyrës së tyre, ku emëruesi i përbashkët ka qënë se ata kanë rol këshillimor dhe jo vendimmarrës siç kërkon Pëllumbi. Ndërkohë që akuzën se është kthyer në një byro politike që relakson kryetarin Rama, ata e kanë cilësuar si një deklaratë të gabuar, pa hyrë shumë në detaje në lidhje me kushtet dhe pozicioni në këtë cilën është dhënë një deklaratë e tillë.

Kanë qënë tre ngë pjestarët e këshillit të të "urtëve", përkatësisht Rexhep Meidani, ish-President i Republikës, Namik Dokle, nënkryetari aktual i Kuvendit dhe Sabit Brokaj ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish-këshilltar i Presidentit për Sigurinë ata që kanë vlerësuar rolin konsultativ dhe këshillimor të të "urtëve" në PS, strukturë kjo jovendimmarrëse e ngritur pranë kryetarit socialist Rama.

Edhe Meidani, një ndër kritikët e kryetarit socialist Rama ka qënë në të njejtën linjë me të gjithë anëtarët e Këshillit të të Urtëve në PS se roli i kësaj strukture ka qënë këshillimor dhe s’ka të drejtë të marrë vendime, sikurse kërkon ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi. Ndërkohë që Dokle është shprehur se deri më tani ky Këshill e ka realizuar misionin e tij konsultues e këshillimor në përputhje vendimin e Asmablesë Kombëtare të PS. Nga ana e tij, Brokaj ka nënvizuar faktin se me dy tre mbledhje është tepër e vështirë që të arrihet në një konkluzion në lidhje me faktin nëse janë marrë parasysh nga strukturat dhe forumet drejtuese të PS këshillat dhe konsultat e këshillit të të Urtëve me kryetarin Rama. Njëherësh dhe pjestarë të tjerë të grupit të të urtëve, teksa nuk kanë preferuar të flasin me zë për gazetën, janë shprehur se ka një disrakordancë mes deklaratës “byro politike” dhe “na përdorin për relaks”, pasi Byroja Politike e asaj kohe kishte vendimmarrje që ka dërguar njerëz në burg, litar apo në internime, ndërkohë që ky këshill politik s’merr vendim përkundër asaj që kërkohet nga Pëllumbi që të ketë vendimmarrje.

Rexhep Meidani, ish-presidenti i Republikës:
Këshilli politik, apo të urtët është një strukturë politike këshilluese e ngritur pranë kryetarit të Partisë Socialiste pikërisht për këtë qëllim. Ky këshill nuk është për të vepruar apo për të marrë vendime në strukturat e partisë. Janë këto struktura ato që marrin vendime. “To move or not to move”, pra jo për të vepruar si strukturë vendimmarrëse. Prandaj them se është vetëm një këshill politik konsultativ, pa të drejtë vemdimmarrje.

Namik Dokle, nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë:
Këshilli Politik e ka kryer dhe po e kryen më së miri misionin për të cilin është ngritur pranë strukturës më të lartë të Partisë Socialiste, kryetarit Edi Rama. Ky Këshill ka funksion këshillimor pranë kryetarit të PS dhe të gjitha këshillat dhe propozimet për situatën politike dhe në funksion të mbarëvajtjes së aksionit politik të opozitës janë reflektuar në grupin parlamentar të PS, në Asmablenë Kombëtare të PS dhe në kryesinë e partisë. Pra janë marrë mendimet dhe janë reflektuar të gjitha në forumet dhe strukturat e larta të Partisë Socialiste.

Sabit Brokaj, ish-ministër i Mbrojtjes:
Nuk e di se cili ka qënë qëllimi i Pëllumbit që ka bërë këtë deklaratë dhe në çfarë rrethanash e ka bërë. Unë vetë këto takimet e fundit nuk kam qënë në këshillin Politik për arësye personale, dhe jo për asgjë tjetër. Por mendoj se Serveti e ka gabim, pasi me dy tre mbledhje nuk mund të nxirret një konkluzion përfundimtar për rëndësinë dhe efikasitetin e këshillit politik të ngritur pranë kryetarit të PS. Por as nuk duhet të pritet që këshillat dhe propozimet që mund të bëhen në dy tre mbledhje të implementohen menjëherë në strukturat dhe forumet e partisë si veprim politik. Ndaj them që është shumë e vështirë të nxjerrësh një konkluzion përfundimtar pas dy tre mbledhjeve dhe konsultimeve në këtë Këshill Politik, nëse janë marrë parasysh ose jo të gjitha këshillat apo konsultat e bëra. Mendoj se është një strukturë e rëndësishme dhe se është efektive, ku të gjithë dëgjohen me vëmendje dhe mbahet shënim.

(jm/sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave