‘Te vendi i fshehtë, që lidhte radion e TV, u dashuruan shumë çifte, regjisorë e gazetarë‘, dëshmia e rrallë e ish-redaktores së RTSH-së

‘Te vendi i fshehtë, që lidhte radion e TV, u dashuruan shumë çifte, regjisorë e gazetarë‘, dëshmia e rrallë e ish-redaktores së RTSH-së

Godina e RTSH

Në përgjithësi urat kanë marrë famë edhe për ngjarjet që mbartin e kanë përcjellë në shekuj. Tejet intriguese janë kur pas tyre fshihet një histori sa romantike aq dramatike, për të cilën janë shkruar libra pa fund, realizuar e vënë në skenë mjaft pjesë teatrale si dhe filma kolosalë nga Hollivudi. “Ura e Psherëtimave” në Venecia, 11-të metra e gjatë e projektuar nga Antonio Conti në fillim të viteve 1600, me një kalim të dyfishtë u ndërtua për të lidhur Pallatin ‘Dukal’ me burgjet e reja, duke kaluar mbi Rio di Palazzo. Emri “Ponte dei Sospiri” (Ura e Psherëtimave), nuk ka  origjinë romantike, madje është larg prej saj. Legjenda thotë se psherëtimat ishin ato të të burgosurve që kalonin urën, duke shkuar në burg, dhe nga dritaret e saj shihnin lagunën, që ishte edhe imazhi i fundit i lirisë së humbur përgjithmonë.

Në realitet, asgjë nuk mund të shihet nga brenda urës dhe prandaj ndoshta emri i referohet frymës së fundit të të burgosurve si një liri e çastit sepse, kushdo që u dënua nuk kishte fatin tjetër sesa të vdiste në burg. Edhe më shumë, psherëtimat ishin në të vërtetë një thirrje e të burgosurve, që bënte jehonë në kanalin nëpër dritaret e ngushta të burgjeve.

Një legjendë, ndoshta e shpikur për përdorim dhe konsum nga miliona turistë që vizitojnë Venecian çdo vit, i bind shumë çifte të kalojnë nën Urën e Psherëtimave me gondolë, sepse një puthje që shkëmbehet në perëndim të diellit, kur kambanat e San Marco fillojnë të tingëllojnë, si një garanci për dashurinë dhe lumturinë e përjetshme.

Nga kjo “legjendë” është bërë edhe “Një histori e vogël dashurie”, me Lorenc Olivier e D. Lane, një film i vitit 1979, i vlerësuar me Oskar. Në qendër janë Daniel një adoleshent, parizien, që njeh moshataren Lauren, vajzë amerikane. Midis tyre lind një dashuri e shpejtë por që nuk pëlqehet nga nëna e vajzës. Të tmerruar nga idea se nuk do të takohen më, të dashuruarit vendosin të shkojnë në Venecia, për t’u puthur romantikisht, duke kaluar me një gondolë nën Urën e Psherëtimave.

Në Botë ekzistojnë disa struktura të quajtura “Ura e Psherëtimave”, si ajo në Kembrixh e Oksford, Angli, apo në Lima, të Perusë, “Puente de los Suspiros”, një nga vendet më romantike të qytetit, tejet e vizituar nga turistët. Në Shqipëri, në përgjithësi urat e njohura janë të lidhura me ato të ndërtuara mbi lumenj, si ajo e Mbretit Zog mbi Mat, apo Ura e Bunës, etj.

Ndonëse Tirana ka Urën e Madhe në Bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit”, atë të Tabakëve, një tjetër jo me famën e ngjarjet epike të dashurive platonike “mbi një urë, ose nën një urë”, është ajo e e Radio-Televizionit Shqiptar, me historinë e saj unikale si “Ura e Dashurisë”.

Bashkë me qëllimin pse u ideua, dhe për funksionin kryesor, ajo ruajti në fshehtësi një sekret të madh, emrin dhe për çfarë shërbeu më shumë. “Ura e Dashurisë”, në Radio Televizionin Shqiptar, e pranishme në dekada në jetën, marrëdhëniet, punën e përditshme të punonjësve, ka qenë edhe simboli i dashurive nga ato modeste pa zhurmë tek të bujshmet e atij institucioni.

Pse i’u vu ky emër?! I panjohur për një pjesë të qytetarëve, por jo për ata që e kanë përjetuar, aq sa kur i pyet punonjësit veteranë të saj, e tregojnë me pasion, se edhe ajo urë ka historinë e saj, si pjesë e dashurisë për shumë prej tyre. Njohjet e para, shkëmbimet e vështrimeve, takimet rastësore, pikërisht mbi atë ose në atë kalim janë bërë.

Një arkitekturë krejt normale, jo me gojëdhëna, me projekt të inxhinierit Sami Pashallari, ajo urë u realizua për të bashkuar dy ndërtesat e për të krijuar kompleksin e madh Radio-Televizion Shqiptar, një urë komunikuese funksionale kryesisht për lëvizjen e punonjësve.

E vendosur në një lartësi, në katin e sipërm, inxhinier Pashallari, as që e kishte e menduar se ajo Urë do të shërbente edhe si “Ura e Dashurive”, lidhjeve sentimentale e pasionante ndërmjet njerëzve të atyre dy institucione, përfshirë regjisorë, gazetarë, drejtues emisionesh, etj. Ndonëse në vite, struktura e saj ka pësuar ndryshime, “Ura” e Agron Çobanit, me historitë e dashurive që mbart janë aty, diku në muret, kangjellat, soletën e saj.

Duke lexuar librin “Ju flet Radio-Tirana…..”

Shumëkush mund ta ketë parë me mijra hera herë atë urë lidhëse ndërmjet Radios e Televizionit. Por, vetëm kaq, pa e ditur se ajo do të kishte nga pas ngjarje e histori të mëdha dashurie. E kam parë edhe unë, madje kam kaluar pafundësisht përballë saj, pa e menduar asnjëherë, se do të ishin faqet e një libri të gazetarit të mirënjohur të atij institucioni, Agron Çobani, i ndarë nga jeta disa vite më pare, që do të më ngacmonin.

Një libër tejet interesant, me titull “Ju flet Radio Tirana”, me histori, ndodhi të njohura, të panjohura, për ata që i kanë jetuar e punuar aty, por edhe për lexues të thjeshtë. Një përshkrim i gjatë, kujtues, në çdo detaj, nga dora e libohovitit Çobani, njeriut që e ka jetuar atë ndërtesë nga hapat, radio-kronikat e transmetimet e para radio-televizive, të gjitha të instaluar në memorien e tij, ku në qendër janë edhe mjaft personazhe, emra publikë.

Bashkë me “Urën e Dashurisë”. Dy fjalë të vetme, të cilat i ndesh kur në njërën nga faqet e librit lexon: ”….. Për herë të fundit, Todin e takova te Ura e Dashurisë. Kështu quhej soleta prej betoni me parmakë anash që lidhte godinën e Radios me atë të Televizionit.

Edhe për këtë emërtesë u kritikua Todi, sepse, medemek, fliste për lidhjet imorale të punonjësve të Radios me ata të Televizionit”. Pra, një “Urë dashurie”, e takimeve, lidhjeve deri atyre romantike të njerëzve që kanë punuar në ato dy ndërtesa. Një urë jo më shumë se 15-metra e gjatë, e pambuluar nga shiu, dielli, era, por e mjaftueshme për të kaluar dhe u takuar aty, si fillimet e “një dashurie radiotelevizive”.

Suzana (Grashi) Lubonja: “Tek ajo urë kemi shkëmbyer shikimet, ka qenë vendi ku jemi njohur, dashuruar!

Një histori që edhe kjo lidhet me njohjen, më pas takimet dhe dashurinë e dy personazheve publikë të Radio-Televizionit Shqiptar, çiftin Suzana Grashi dhe Pushkin Lubonja. “Nuk ka të dashuruar në Radio e Televizion, që të mos kenë kaluar, qëndruar apo të mos ketë lidhje me “Urën e Dashurisë”! E tillë ka qenë edhe e jona”.

Redaktore nga fillimet e saj në vitet ‘70-të, pastaj njohja dhe bashkëjetesa profesionale, familjare me gazetarin Lubonja, i ndarë nga jeta pak vite më parë. Në një rrëfim ku ajo tregon se cilat kanë qenë sekretet, miqësitë, emocionet, kujtimet, deri edhe dashuritë e atij institucioni. “Ajo e Zerinës me Palin nga më të famshmet, por edhe të tjerat, të gjitha histori me “Urën e Dashurisë”, protagoniste”- thotë.

Zonja Suzana, ju kujtohen fillimet tuaja në Radio-Televizionin Shqiptar?

Unë kam nisur punë në korrik të vitit 1972, si redaktore e programeve artistike. Janë fillimet e televizionit i cili u mbush me rini, të gjithë të diplomuar, një brez me vajza të bukura, djem të pashëm. Erdhën gazetar, muzikantë regjisorë. Midis tyre Vera Grabockën, Pali Kuken, Mevlan Shanaj, Albert Mingën, Pandi Laçon, etj. Filluan njohjet, qëndrimet, si për të pirë një cigare, edhe për të pritur e parë, e takuar dikë.

E keni lexuar librin e Agron Çobanit? 

Po sigurisht, që kur doli kohë më parë, më ka pëlqyer dhe nga fakti se secili nga ne, është aty e gjen veten si pjesë e historisë shumë vjeçare të atij institucioni.

E dini që në RTSh, ka ekzistuar edhe “Ura e Dashurisë?

Kur kam lexuar librin e kam ndeshur dhe këtë emërtim. Diçka kemi ditur, se ai kalim ose urë lidhëse midis dy ndërtesave quhej edhe ashtu. Sidoqoftë jam befasuar, një gjetje ideale, shumë romantike. Një ‘Urë’ jo si ato të famshmet, jo publike, jo me zhurmë as edhe e frekuentuar nga vizitorë e turistë, por që për ne ka patur një ndjesi të veçantë.

Vërtet e tillë ka qenë?

Ura shërbente për një kalim të dyfishtë nga Radio në Televizion, ose anasjelltas. Me dyer nga të dyja anët por, asnjëherë të mbyllura, gjithsesi gjendej motivi, apo një shkak për të kaluar aty më shumë se një herë në ditë. Një kalim, ka mjaftuar për t’u parë, u takuar e shkëmbyer disa fjalë. Por edhe për të pirë një cigare, si justifikim për të qëndruar edhe nën shi, i lagur disa minuta aty. Ose për të dalë fshehurazi nga Televizioni, nga Radio duhej të kalonim tek ajo urë. Dikush përpara, tjetra më vonë, ose e kundërta, për të mos rënë në sy.  Të gjithë ata që janë dashuruar në atë institucion, aty kanë kaluar, aty janë dashuruar.

Shumë të dashuruar radiotelevizivë, të gjithë tek “Ura”?

Nuk ka patur dashuri në Radio-Televizion që të mos këtë një çast tek “Ura e Dashurisë”. Të gjithë kush më shumë e kush më pak, e kanë një moment, një takim, një frymëmarrje të thellë, një emocion ndryshe kur janë shkëmbyer, janë parë e takuar te Ura. Për të dashuruarit, takimi në studiot e Radios, ishte më komod, më intim, ndërsa në mjediset e Televizionit Shqiptar, ishin vetëm studio e mëdha të regjistrimit.

Cilët mund të jenë dashuritë e para të Urës?

Nga të parat, por që nuk i kam jetuar, mund të jenë janë ato të Vera Zheit me Emil Plumbin, apo Vitori dhe Abaz Xhomos.

Ju kujtohen disa nga dashuritë klasik të Urës?

Mjaft çifte që janë njohur e dashuruar, aty dhe që historitë e tyre kanë lënë gjurmë pasi ja njihnim e ja dinim lidhjet me njëri tjetrin. Të gjitha me “Urën” në qendër të marrëdhënieve. Nuk janë pak, si p.sh:, çifti Shoshi, Mark dhe Evgjeni, çifti Shpuza, Natasha e Vladimir, familja Rexhvelaj, Zana e Shaqir, Luljeta dhe Apostol Notin, Timo me Vjosa Luton, Moza e Vullnet Musaraj, Arjan Bakiri me Teutën, Nadia dhe Shpëtim Qatipi, Ilir Bega me Pandorën, Violeta dhe Ibrahim Madhi, Bardha me Skënder Krajën, çifti Shtino, Arjana e Gazmir, Afërdita e Petraq Gramo, Amali e Kosta Dhamo, Xhixhi e Përparim Kapllani, Gaspër Gjonçaj me Rajmonda Belin, (mbesën e Stoli Belit), Violeta Gjoka me këngëtarin Dorian Nini, Elvira Dones me violinistin Pirro Gjezi, familja Meçani, Liljana e Pëllumbi, Mira Bregu me Ruzhdi Pulahën. Pa harruar edhe Francesk Radin me Teftën. Ata u njohën në Fushë Arrëz, por në RTSh e konkretizuan dashurinë. Ka edhe të tjerë.

A ka një famshme të “Urës së Dashurisë”?

Janë disa, por mendoj se ajo e çiftit Kuke ka qenë dhe ka mbetur ndër dashuritë më të bukura. Zerina vajzë e re, elegante, dhe Pali, që u dashurua nga bukuria e saj, nëpërmjet kamerës gjatë emisioneve. Pastaj takimet, herë fshehurazi, herë jo, sigurisht edhe me “Urën”, si dëshmitare e asaj lidhjeje.

Njohja juaj me bashkëshortin, të ndjerin Pushkin?

Pushkini erdhi në RTSh më 1976-ën, në Redaksinë e Informacionit. Djalë i bukur, i qetë, lexonte shumë, thuajse gjithë letërsinë që botohej. Pëlqente muzikën, vinte për të dëgjuar muzikë tek unë, dhe ky ishte  një ndër shkaqet, që u njohëm, u afruam. Dhe në atë “Urë” sa herë jemi kryqëzuar, shkëmbyer, jemi parë, kemi kaluar bashkë, pafundësisht. Pas ndarjes nga jeta, kemi botuar një vëllim me poezi të tij, “Bijës time…..”! Më emocionojnë sa herë i lexoj, i rilexoj ato poezi. Lidhja e tij me vajzën ka qenë e jashtëzakonshme.

Në mjediset e RTSh-së kishte dhe një kafe?

Po, funksiononte edhe një klub, për një kafe mëngjesi, për të takuar miq, kolegë gjatë ditës por, edhe si vend për t’u takuar me të dashurin, klubi i Tanës quhej. Por “Ura” ishte më sentimentale, me e bukur, më e pëlqyer, sidomos në fillimet e dashurive.

Ka patur raste që ajo “Urë” nuk funksionuar si e “Dashurisë”?

Po, sigurisht jo të gjitha njohjet, lidhjet, dashuritë kanë qenë solide. Pjesa më e madhe po, por disa nuk i kanë rezistuar kohës, si dashuri të pabazuara. Kjo për shumë motive, punë me orar pa orar, shërbime me ditë e javë larg familjes shpesh janë bërë shkak për divorce, mos funksionimin e një dashurie lindur e krijuar tek “Ura”. Por, në mjaft raste, dashuria tek ajo Urë, ka shërbyer si një lidhje harmonike, e qëndrueshme, profesionale në punë, me të ardhura të sigurta financiare në familje.

Për “Ura” me histori të tilla janë realizuar filma, për atë të RTSh-së, asnjë…?!

Do ishte mirë pse jo. Edhe ajo ka historinë e saj, ku janë shkruar, përfshirë mjaft ngjarje, me njerëz publikë, çifte simpatike, dashuri të njohura por edhe të fshehta. Një skenarist, regjisor edhe mund ta kishin ideuar me një temë të tillë.

P.sh., Ylli Pepo, më mirë se ai, apo jo?

Pa diskutim. Ai me të tjerë njerëz që me orë, ditë, angazhim pune, por edhe pjesë jete i kanë dhënë atij institucioni. Bashkë dashurinë që kanë gjetur, por edhe kanë ofruar.

Suzana, ju keni qenë edhe një koleksioniste e rrallë për kohën?

Ka qenë një pasion i madh i imi, të koleksionoja fotot e artistëve të famshëm. Janë vitet kur djemtë kishin pasion pullat, ne vajzat foto e aktoreve. Ato i merrja nga revistat e huaja që më sillte im atë, gazetar, shpesh fshehurazi. Krijova në koleksion të bukur, me Brixhit Bardo, Klaudia Kardinale, etj. Vinin shoqet, grumbulloheshim në shtëpinë time për t’i parë. Nuk e kam, pasi e nxitur nga mamaja, frika e saj, një ditë i dogja të gjitha.

Më folët edhe për djalin tuaj regjisor edhe ai me njohje te “Ura”?

Ergys quhet, “produkt” i dashurisë sonë. Regjisor, punon me spektaklet. Në Televizion u njoh me vajzën që dashuron. Nuk e di të ketë kaluar apo te “Ura”, si prindërit e tij. Të tjera kohëra atëherë, ndryshe sot.  Memorie.a

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Denis: 20/11/2022 13:27

    Aty tek banjo ka edhe video degjenerimi i shoqerise te gjithe ne pune me mik

    Përgjigju
  • Mondi: 20/11/2022 08:51

    Ura nuk ka asgje romantike, per më teper e ndodhur afer banjove. Te pakten keshtu e kam pare une, qe kam punuar pas 90-es. Nqs, kjo ure paska qene e tille, atehere mund te themi qe dashurohej më shume ne socializem, se sa kur jy sistem ra dhe njerezit u bene si robote.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!