DURRES-Më 11 janar teatri "Aleksandër Moisiu" i Durrësit do të kujtojë 62-vjetorin e themelimit. Është një ditë e veçantë jo vetëm për aktorët, por për këdo që është ulur si spektator në sallën e këtij teatri që mban emrin e artistit të madh me origjinë shqiptare.
Për këdo që ka përjetuar emocionet e thella që dijnë të krijojnë regjisori dhe aktorët qoftë nga një tekst që nuk të ka bërë përshtypje gjatë leximit; magjinë që përcjellin efektet e ndriçimit e dekoret e realizuara apo kënaqësinë që të jep muzika e përzgjedhur në sfondin e shfaqjes.
62 vjet pas premierës themeluese Vajza nga fshati me regji të Pandi Stillus të djelën do të ngjitet në skenë premiera e tragjedisë së Sofokliut "Elektra" me regji të Laert Vasilit.
Kinemaja e vjetër - skena e parë 
Skena e sallës që më vonë morri emrin Kino "14 nëntori" u bë mikpritësja e parë e teatrit profesionist të Durrësit që nga 11 janari i vitit 1953. Shumica e aktorëve themelues nuk jetojnë më, ndërsa disa nga spektatorët e atyre viteve tashmë të thinjur kujtojnë radhët e gjata për bileta në pritje të mbrëmjes kur bashkëqytetarët e tyre aktorë shndërroheshin papritmas në personazhe nga më të ndryshmit e më të çuditshmit.
Artistja e Merituar Vera Urumi, e cila kishte nisur rrugën e aktrimit në teatrin "Migjeni" të Shkodrës kujton si sot telegramin që e ka mbërritur nga Durrësi në ditët e para të janarit 1953: "Teatri profesionist u aprovua. Të presim". Firmosur nga Nikolin Xhoja e Todi Thanasi.
I pari, Xhoja, do të bëhej një nga aktorët më të shkëlqyer të komedisë shqiptare, i pavdekshëm më pas edhe në ekranin e kinemasë me rolin e xha Beqos në filmin "Kapedani". Ndërsa i dyti, Tod Thanasi, një nga intepretët më të mirë të karaktereve të spikatura, një prej të cilëve në dramën "Mulliri i Kostë Bardhit". Që të ishin të padiplomuar në shkolla arti, njëlloj si kolegët e tyre që i dhanë jetë premierës "Vajza nga fshati" të autorit të njohur Fatmir Gjata.
Ishte 12 prill 1953 dhe trupa e re profesioniste nën drejtimin e kryeregjisorit të Teatrit Popullor, Pandi Stillu, do të korrte duartrokitjet e para. Kjo komedi u shfaq 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues-dëshmojnë statistikat e teatrit. Rruga ishte çelur.
Por si çdo gjë edhe suksesi i parë nuk kishte lindur në tokë djerrë. Shfaqjet e para të diletantëve durrsakë kishin nisur që në vitet 1920, atëherë kur qyteti bregdetar po kërkonte ti rikthehej lavdisë së antikitetit. Sipas të dhënave të arkivit të teatrit edhe gjatë periudhës 1945-1953 teatri amator përgatiti 36 premjera me 281 shfaqje gjithsej.
Nderim për artistët e teatrit
"Një shfaqje teatrale të kujton një fjalë të shkruar në rërë, vjen vala dhe e fshin"  -  shkruan një kritik arti. Dhe vërtet pas shfaqjeve të viteve të para atëherë kur nuk ekzistonte TV dhe kur aktorët shqiptarë ende nuk kishin "luksin" e interpetimit në kinema, gjithçka mbetej vetëm në mëndjen dhe ndjesitë e spektatorëve, duartrokitjet e të cilëve ishin shpërblimi më i mirë për artistët.
Regjisorët Panajot Kolo, Sokrat Mio, Misto Zoto, Kadri Pirro, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanku, Driada Dervishi, etj. kanë sjellë në skenën e teatrit "A. Moisiu" drama dhe komedi mjaft të dashura për publikun shqiptar si "Prefekti", "Martesa", "I sëmuri imagjinar", Kartela e verdhë", "Pulëbardha", "Vjehrra dhe nusja", "Prindër edukatorë", "Ylli pa emër", "Rrënjët", "Njerëz mbi shkëmb", "Familja e Peshkatarit", "Dreqnit e Kënetës", "Dredhitë e Skapenit", "Çështja e Ivanovit", "Votra e Huaj", "Festa e Fenerëve", "Invadimi", "Hijet e Natës", "Shërbëtori i Djallit", "Mulliri i Kostë Bardhit", "Çështja e inxhinjer Saimirit", "Karnavalet e Korçës", "Koha e komisarëve", "Ylli pa emër", "Revizori", "Një shok i klasës simë", "Mirëseerdhe Elona", "Pulëbardha", "Stacioni I fundit", "Qyteti pa dashuri", "Hotel Ballkan", "Shokë lufte", "Dështimi i një kryqëzate", "Aeroporti", "Nusja e humbëtirës", "Beslidhja shqiptare", "Dorina", "Gërsheti i luftërave", "Tri ditët e qametit", "Trokitje në dyert e dhimbjes", "Të jesh nënë", "Dy vëllezër e gjysëm", "Vajza pa prikë", etj.
Shumë nga aktorët e teatrit "Aleksandër Moisiu" janë bërë të njohur në shkallë kombëtare përmes intepretimeve dhe individualitetit të spikatur artistik.
Loja aktoriale dhe nuri skenik i Artistit të Popullit, Nikolin Xhoja në rolin e Podgolisenit te "Martesa" e Gogolit njihet si një nga majat e intepretimit të komedisë.  Ndërsa "Nderi i Kombit", Mirush Kabashi pas formimit dhe kontributit 23-vjeçar në këtë teatër u nderua me çmimin e parë në Festivalin e teatrit eksperimental në Kajro për monodramën "Apologjia e vërtetë e Sokratit".
Bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Marta Burda, Filika Dimo, Guljelm Radoja, Liri Lushi, Ali Bega, Xhevdet Ferri, etj. janë disa nga aktorët e tjerë mjaft të vlerësuar që i dhanë këtij institucioni një vend të nderuar në teatrin tonë kombëtar. Bashkë me regjisorët dhe aktorët një meritë të veçantë në suksesin e teatrit kanë patur edhe skenografët Zef Ujkaj, Ilia Rota, Fatos Mati, Thanas Popi, etj. si dhe punonjësit e "prapavijës" siç thirren edhe sot sektorët e dekorit, ndriçimit, fonisë dhe rekuizitës, pa të cilët shfaqjet teatrale nuk do të ishin të plota.
Veprimtaria e teatrit "Aleksandër Moisiu" lidhet kryesisht me godinën  aktuale të saj, e cila është përuruar  më 8 shkurt të vitit 1965. Salla me cilësi shumë të mira akustike dhe e pajisur me aparaturat e domosdoshme teatrale jo vetëm që i dha një impuls të ri punës së trupës, por afroi gjithnjë e më shumë spektatorë.
Në 62 vjet veprimtari teatri i Durrësit ka patur një denduri repertori duke vënë në skenë afro 230 vepra dramatike dhe komedi të autorëve tanë dhe të huaj. /ATSH/