Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar protestën e qytetarëve që tashmë vijon prej 1 jave në kryeqytet e në vende të tjera, kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit. Për Report Tv, Spahiu tha se kjo protestë, rrezikon të forcojë më tej pushtetin e Sali Berishës dhe Edi Ramës nëse nuk arrin të prodhojë një lëvizje politike sfiduese, në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk është çudi që Rama të japë dorëheqjen, të shpallë zgjedhje të parakohshme. Nëse këta mijëra protestues nuk e strukturojnë lëvizjen e tyre në politikë, kërkesa për dorëheqje është zero. Kërkesa për dorëheqje dhe zgjedhje çon në zero rezultat politik.
Nëse nga kjo protestë nuk prodhohet një megalëvizje politike kundër PD dhe PS, oferta për zgjedhje të parakohshme është që në 20 korrik populli të shkojë në zgjedhje prapë me Berishën dhe Ramën. S’ka shanse për krijimin e ri të një partie. Këta organizatorë, nëse nuk e shfrytëzojnë këtë moment historik për ta kthyer në lëvizje politike, për të sjellë ndryshime në Shqipëri, mendoj se do të ikë treni dhe pastaj pas 20 vitesh mund të vijë përsëri.
Mendoj që nuk ka shqiptar që mos të jetë lodhur nga një dyshe që ka 40 vite në politikë. Çështja është që kur futesh në kërkesa politike, ka nga ata që marrin fletën dhe deklarojnë zgjedhje të parakohshme, por kjo mund të na sjellë një dëm, sepse po shkon në zgjedhje me Ramën e Berishën, i bie t’i forcosh. Këta duan që fushata elektorale të bëhet kur të gjithë po shohin ndeshjet e Botërorit. Këta s’kanë lënë aty as kryetarët e partive të reja. Me kë do të shkojnë në zgjedhje? Këta nuk lënë faktor të ri politik. Do të mbeten vetëm lëvizje sociale, të qëndrojnë te pelikani”, tha Spahiu.
Ndër të tjera, Spahiu tha se shkaku që ka nxitur qytetarët të ngrihen në protestë, është se në investimin në Zvërnec, kryefjalë është emri i Ivanka Trump, vajzës së Donald Trump. Kjo thotë analisti, është dhe një arsye pse kjo protestë është trumbetuar dhe nëpër mediat ndërkombëtare.
“Rama sigurisht që e dinte mirë se, në momentin që firmosi Bordin e Paqes me Trump, që kur nënshkroi një projekt me vajzën e Trump, kjo nuk do të mirëpritej nga gjithë Evropa. Të kam thënë para 3 muajsh që do të vonohen negociatat për mbylljen e kapitujve me BE-në, sepse BE nuk do një satelit të SHBA-së brenda në BE. Nuk do një Hungari të dytë. Në një moment të caktuar ndodh që ta përdorin Shqipërinë. Duhet të ishte e përgatitur edhe Rama që kjo kontratë që ka bërë me familjen Trump do të ngjallte një reagim diplomatik e mediatik.
Kur themi a ka dorë të huaj, ka dy interpretime. Një është që protestuesit janë çuar sepse ka zëra që janë të blerë, vijnë nga Greqia, pavarësisht që ata janë me familjet e tyre dhe nuk janë paguar as nga Greqia, as nga Serbia, as nga Irani, por kanë dalë për hallin e tyre. Të gjitha montazhet me foto janë një mashtrim. Në të gjithë botën, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, protesta të këtij lloji inspirohen edhe nga jashtë. Mjafton që mediat e këtyre vendeve të interesuara nga Trump t’i ekspozojnë mediatikisht.
Dikush thotë: “Është mbushur kupa”. Po pse nuk u mbush kupa para një muaji në Rrjoll, ku dhunuan pronarë e protestues? Sepse nuk ishte Ivanka. Pse nuk u irrituan kur Porti i Durrësit iu dha arabëve? Nuk protestuan. S’ka mundësi që kupa të mbushet kur amerikanët kërkojnë diçka. Tani thonë se ishte sebep Zvërneci. Është fyerje kjo. Këtu është problemi më i madh i kauzës, kur thua që kjo nuk është kauza kryesore. Këtu mund të fillojë rënia e lëvizjes. Nëse kauzën e ke fiktive, atëherë ti nuk krijon dot themelet për një lëvizje politike”, tha Spahiu.
Komente











