Teatri i Kukullave, rikthim për fëmijët pas 3 vitesh mungesë. Rama: Shumë shpejt, gati edhe teatri i ri te Parku i Liqenit

Teatri i Kukullave është rikthyer për të vegjlit, tashmë me një godinë totalisht të restauruar. Përmes një ceremonie hapi dyert këtë të hënë godina historike dhe duke filluar nga 20 dhjetori, sallat do të gjallërohen nga fëmijët, që do të mund të shijojnë shfaqjet që do të ngjiten në skenën e tij.

Godina e Teatrit të Kukullave apo siç njihet ndryshe godina e parë e Parlamentit Shqiptar është restauruar si pjesë e programit EU4Culture e Bashkimit Evropian. Procesi i restaurimit ka nisur rreth tre vite më parë dhe është financuar nga fondet e Brukselit edhe si pjesë e ruajtjes së historisë kombëtare.

“Sot jemi të emocionuar të gjithë, sidomos aktorët dhe fëmijët që do të hyjnë për herë të parë, sepse për shumë vite me radhë kanë qenë të detyruar të bëjnë shfaqje në salla alternative. Teatri vjen tërësisht i rilindur, i rikonceptuar, por duke ruajtur tabanin e tij.”, - thotë drejtuesja e Teatrit të Kukullave, Melsi Qirici.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një ndërtesë që të jetë thjesht Teatri i Kukullave.  Është një ndërtesë që ka vetëm histori.  Procesi i integrimit në BE nuk ka të bëjë vetëm me rregullore, me standardet e BE, as vetëm me ekonominë, por me një shndërrim të gjithë shoqërisë, ku të gjithë të kenë të drejta të barabarta dhe t’i gëzojnë të gjithë. Është e rëndësishme që në këtë proces asimilimi, ju vetë të mos humbisni identitetin tuaj.”, - shprehet Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.

“Godina që restaurohet pas 100 vjetësh ka luajtur një rol në historinë e qytetsit dhe të gjithë Shqipërisë. Fillimisht si Klubi i oficerëve, pastaj si Parlament e më pas si teatër. Ka kontribuar në formimin e identitetit kulturor të qytetit tonë”, - nënvizon ministri i kulturës, Blendi Gonxhja.

Ndërsa për Sabine Kania, Drejtuese e UNOPS-it në Shqipëri, “Kjo godinë historike bëhet një shtëpi për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë”.

I pranishëm në ceremoni, Kryeministri Rama theksin e vuri të projektet që synojnë kthimin e objekteve me vlerë te qytetarët. 

“Janë 27 objekte me vlerë të posaçme për historinë tonë, për kujtesën tonë që falë këtij program janë kthyer në sytë dhe duart e qytetarëve dhe komuniteteve shumë më bukur se ç’ishin më parë. Ne ndërkohë kishim nisur projektin për një tjetër godinë të teatrit të fëmijëve, që tanimë ka filluar të marrë formë, diku në anën tjetër të Bulevardit të Tiranës, ku është hyrja në Parkun e qytetit dhe që së shpejti do të çelë dyert me hapësira dhe me një program shumë më të gjerë dhe shumë më të larmishëm për fëmijët e të gjitha moshave. Megjithatë kjo godinë ka histori, ka një arsye të rëndësishme për t’u mbajtur dhe për gjithë këtë investim që u bë, një investim shumë më shumë se çfarë duket në sy të parë, se është investim në pjesën e padukshme, që është dhe pjesa më komplekse e një teatri.”, - thotë Rama. 

 

“Godina ishte shumë e dëmtuar. Një pjesë e çatisë kishte rënë, struktura ka pasur shumë çarje. Është një godinë, monument i kategorisë së parë dhe duhej kujdes i veçantë për konsolidimin e strukturës ekzistuese. Ajo që është e rëndësishme është që të tre fazat janë ndërthurur në godinën që shohim sot dhe elementet autentike të tre fazave janë të ruajtura dhe të restauruara, për të kuptuar zhvillimin arkitektonik të saj ndër vite.”, - vëren Lejla Hadzic, Këshilltare për Trashëgiminë Kulturore në UNOPS.

Shfaqja e parë që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Kukullave është një musical me kukulla, që do të vijë si një festë e madhe për festat e fundivitit për gjithë familjen dhe gjithë moshat. Lajm i mirë është që Teatri nuk do të jetë vetëm për fëmijët, por do të jetë hapësirë multifunksionale, që do të përdoret edhe nga të rinjtë nga e hëna në të diel. 

Pjesë e teatrit është edhe një muze i vogël, ku përshkruhet gjithë rrugëtimi i institucuionit, që nga koha e Parlamentit në fund të viteve ’20 deri në vitet ’60 me shfaqjet e parë të Teatrit.

“Unë kam punuar prej 18 vitesh këtu. Në këtë rast kam ardhur që të jap kontributin për të restauruar dhe për të sjellë një pjesë nga Arkiva e Kukullave, për të krijuar një ekspozitë permanente për fëmijët, e cila ka edhe një historik të caktuar. Skena ka qenë shumë keq, ndërsa sot gjithçka është automatike.”, - shprehet Merita Spahija, skenografe.

Ndërsa regjisorja Klaudia Hila nënvizon se ky moment është shumë i rëndësishëm për të gjithë artistët e këtij institucioni, por jo vetëm.

“Është një emocion që vjen nga jeta ime.  Është gjysma e jetës sime,  kur mendoj që kam 30 vite që kam filluar punë këtu, në ’94-ën. Sot mendoj është një ditë, që duhet vendosur te gjithsecili prej nesh si tatuazh.", - thotë Hila. 

Të gëzuar nga restaurimi i Teatrit të Kukullave ngjajnë se janë edhe fëmijët e vegjël, të pranishëm gjatë ceremonisë së mbajtur.

“Mendoj se është diçka shumë e bukur. Kam që e vogël që vija për të parë shfaqje këtu dhe më pëlqenin shumë.”, - shprehet një vajzë e vogël.

“Kam ardhur me studion e Cirkut dhe do të performojmë një shfaqje. Është një godinë shumë e bukur. Kur kam qenë e vogël vija. Kam parë një shfaqje të Kësulëkuqes më duket dhe më pëlqente shumë.”, - thotë një tjetër vajzë.

Kostoja financiare për restaurimin e Teatrit të Kukullave kap shifrën rreth 2.4 milion Euro. Gjithë godina ka pësuar përmirësim të kushteve, ndryshim të sistemit të skenës, duke e bërë atë të lëvizshme, ndërkohë që për herë të parë ky teatër ka një sistem funksional ventilimi ngrohjeje dhe ftohjeje.

 

B.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Iliri, 'Daja' i Superligës! Dinamo në krye pas 15 vitesh

Iliri, 'Daja' i Superligës! Dinamo në krye pas 15 vitesh