Edhe në një shkrim të mëparshëm, por edhe tani vijoj të kem bindjen se për argumentin apo për topikën «Teatër» u shkrua aq shumë dhe me aq pasion nga profesionistët më të mirë që ka Shqipëria në lëmë të shkrimit publicistik, trillues, antropologjik, historik e kështu me radhë, sa nuk është shkruar për asnjë argument tjetër.
Për një çast, godina e teatrit, që tashmë është prishur, u bë shenjueshmëria e semiologjisë urbane, e traditës, e harmonisë strukturaliste të hapësirës shqiptare në Tiranë, por u bë edhe tema e preferuar për të gjithë ata që kanë si profesion të spikatur, siç e thashë, të shkruarit.
Nëse i vështron sot ato shkrime, do të gjesh se tema e teatrit shqiptar u bë një variacion për të gjitha analogjitë me dijen moderne dhe postmoderne. Akti i prishjes së teatrit u vështrua si një veprim që shkatërronte të gjitha raportet delikate të harmonisë kulturore në Shqipëri, aq sa të krijohej përshtypja se me shembjen e teatrit shqiptar po shembeshin kështjella, kisha, po hidheshin në erë tempuj, po rrafshoheshin monumente, godina, vetë Tirana dukej sikur po hidhej në erë dhe në vend të saj, ashtu si në filmat me temë apokalipsin, po shfaqeshin dinosaurë shumëkatësh, përbindësha kullash që ngjiteshin në qiell dhe binin poshtë e shembnin hapësirat e ulëta dhe shtëpitë e pafajshme tiranase.
Pastaj, në ngashërim e sipër nisën të rivinin shkrime të gazetarëve italianë që kishin zbuluar Tiranën në vitet ’20.
Të gjithë dukej se i kishte kapluar malli për Tiranën e vjetër, atë që humbiste në rrugicat me gurë e me baltë, apo atë që mbyllej me mure të bardha që fshihnin kopshtije, shtëpi të ulëta dhe një popull që e kishte ndërtuar jetën me punimin e samarit për kafshët, me kovaçhanën dhe me punimin e qeleshes së bardhë e me dhënien e marrjen e bagëtivve të imëta në udhët e pazarit ku përzihej urina e kafshëve me ujin që lagte këmbët e fshatarëve që zbrisnin në treg.
Ajo që më ra në sy, po ashtu, duke ndjekur shkrimet e natyrës së kritikës semiologjike e kulturore për teatrin ishte natyra e tyre e dyfishtë. Vura re se ata që shkruanin nga jashtë Shqipërisë, pra ata që nuk jetojnë këtu, për shumë arsye kishin më tepër mall
për Tiranën e Shqipërinë dhe prishja e Teatrit iu dha mundësinë që të lexonin edhe një herë romanin e dëshpëruar të kujtimeve dhe nostalgjinë që nuk ta shëron dot asnjë patetizëm modern apo zhvillimor. Në ato shkrime vura re një vuajtje të justifikueshme që autorët e shfaqnin jo kur vizatonin aktin e prishjes së teatrit, por kur, më në fund, ndiheshin të çliruar nga pesha e madhe e dëshpërimit sepse e kishin gjetur shkakun e keqkuptimit me atdheun e pushtuar nga ata që po e drejtojnë atë jo sipas motivimit nostalgjik. Godina e teatrit, ashtu e hollë, dhe pamjet e dhëmbëve të rruspave që iu ngulën në gjoks, në shumë shkrime, u përjetuan si kafshime në trupin e Tiranës së ruajtur poshtë jastëkut të ëndrrave.
Ndërsa autorët që jetojnë në Shqipëri dhe që u morën me temën e teatrit, patën rast që të tregojnë në shkrimet e tyre gjithë mllefin që ka shkaktuar sidomos Mirela Kumbaro për sa kohë që ka qenë ministre kulture. Në historinë e atij dikasteri, kjo ish-ministre perceptohet nga komunitetit i gjerë i atyre që merren me art e letërsi, si femra më agresive, arrogante, mendjemadhe dhe frikacake, njëkohësisht, që i ndërpreu të gjitha urat e komunikimit me artistët dhe ruajti vetëm një lidhje: atë me një grup të fakultetit të saj, të cilët i respektonte jo nga bindja, por nga frika. Kjo ministre shkatërroi të gjitha institucionet e çmimeve, të financimeve dhe për një vit e ktheu gjithë komunitetin artistik në Tiranë kundër Edi Ramës. Ajo do mbahet mend si ministrja që në hierarkinë e gjinive të artit dhe letërsisë vendosi të parin përkthimin me qenë se dhe vetë thotë që merret me përkthim. Ndaj edhe në protestat për teatrin kishte shumë artistë, piktorë, fjala vjen, apo muzikantë që te godina e teatrit shihnin portretin e Mirela Kumbaros dhe politikat e saj të armiqësisë me ta. Madje, një nga piktoret më të mira të vendit, Meri File, pati realizuar disa vizatime ku teatrin e paraqiste me portretin e Kumbaros.
Në anën tjetër u thirr në log të burrave dhe u hodh si provë e gjakosur vizatimi i arkitektit italian që dikur e kishte pagëzuar atë vend si «Fondacioni Skanderbeg». Këtu duhet të bëjëm një sqarim. Italianët krijuan Fondacionin « Skanderbeg », i cili do të mundësonte ngritjen dhe financimin e Institutit të Studimeve Shqiptare.
Megjithëse tani u sqarua se ai kompleks nga pikëpamja e ndërtimit dhe arkitekturës nuk u realizua asnjëherë, ka vlerë të thuhet se godina e shfaqjeve, ta themi kështu, është e vërtetë që ka shërbyer edhe si sallë koncertesh. Ndërsa godinat në anën përballë patën shërbyer edhe si vende ku u mblodh « Instituti i Studimeve Shqiptare » që, pavarësisht se u ngrit me frmyëzimin fashist, shënoi disa arritje të padiskutueshme
në lëmë të kulturës dhe albanologjisë shqiptare. Por… nuk duhet të harrojmë një gjë, që ai Institut dhe ai Fondacion nuk e pranuan Mitrush Kutelin në radhët e tyre asnjëherë dhe për këtë arsye Kuteli ishte shpirtvrarë me hierarkët fashistë që drejtonin atë Fondacion. Ata nuk mund t’ia falnin Kutelit zemërimin dhe urrejtjen që ai kishte për ta kur i dogjën shtëpinë në Pogradec dhe krimet e tjera që kryen aty.
Po ashtu, më 24 shkurt 1944, padër Anton Harapi sapo zgjidhet në krye të Asamblesë, shkon pikërisht në ato zyra ku mban fjalimin e famshëm « Pro kultura » dhe e rithemelon atë Institut.
« Me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare Italia synonte jo aq fort qëllimin e përfundimet shkencore, sa mbështetjen morale t’elitës shqiptare kolektive ». (At Anton Harapi, Vlerë shpirtërore, Botues Hylli i Dritës, f. 157). Dhe pak më poshtë thotë se edhe emri i tij do të ndryshojë. Këtej e tutje ai do të quhej INSTITUTI SHQIPTAR PËR STUDIMET DHE ARTET.
Është e vërtetë se ai vend, ku dikur ka qenë godina e Tetarit Kombëtar, ka shumë ngjarje e histori; gjyqet në kinema « Kosova », koncertet e këngëtareve të famshme si Tefta Tashko Koço, po ashtu edhe vendet ku është mbledhur Instituti që përmendëm apo Konferencat për Krijimin e Lidhjes. Vetëm se asnjë qeveri pas vitit 1990 dhe sidomos qeveria demokratike nuk bëri asnjë përpjekje për të rifreskuar këtë kujtesë.
Në historinë e kulturës së një vendi ka dy anë: teksti, narrativa e shkruar dhe narrativa e tekstit arkitekturor. Fondacioni « Skanderbeg » që nuk u realizua kurrë, por mbeti vetëm si një vizatim, i kishte të gjitha mundësitë që të përfundonte. Dhe këtë mund ta bënte sidomos qeveria e PD-së, e cila erdhi dy herë në pushtet. Kjo narrativë arkitekturore jo vetëm që nuk u përmend asnjëherë sa herë qeveriste PD-ja, por edhe kur u vendos që Teatri Kombëtar do të bëhej Piramida, askush nuk e nxori nga sepetet vizatimin e arkitektit italian. Edi Rama e shpalli projektin e tij për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar që në vitin 1999, në mos gaboj.
Në anën tjetër, sa i takon narrativës letrare, pra historisë së letërsisë shqiptare, me aq sa kam mundur, në dy librat e mi « Semiopragmatika e realizmit socialist » (2013) dhe « Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri » (2020) jam munduar të rindërtoj të paktën narrativën e kulturës dhe letërsisë shqiptare nga viti 1944 deri në vitin 1952.
Është shumë e rëndësishme që të ruhen edhe vendet ku janë zhvilluar ngjarjet, por unë mendoj se në rastin më të keq, kur për të ruajtur artefaktet urbanë nuk jemi të
fuqishëm, askush nuk na pengon që të ndërtojmë siç duhet historinë e brishtë të kulturës shqiptare.
Nga kjo pikëpamje, romani i Teatrit mund të shërbejë edhe për të rindërtuar këtë narrativë.