Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me raportin e INSTAT, në të cilin vlerësohej se inflacioni më muajin shtator shënoi 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vitet që nga dhjetori i vitit 1998. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Blushi shkruan se qeveria është dorëzuar përballë rritjes së inflacionit dhe se nuk ka marrë asnjë masë për të mbështetur qytetarët dhe shtresat në nëvoje për të përballuar krizën.
"Shqipëria shënon rekordin e 24 viteve të fundit për inflacionin. Asnjë masë në shërbim të qytetarëve dhe shtresave në nevojë. Qeveria është dorëzuar plotësisht përpara rritjes së inflacionit, i cili është shoqëruar edhe me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve të shportës. Sipas INSTAT, inflacioni në muajin shtator shënoi 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vitet që nga dhjetori i vitit 1998. INSTAT raportoi sot një vit më parë ky ndryshim ishte vetëm 2,5%. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,91 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,99 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,64 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,41 pikë përqindje.
Bëhet fjalë për të dhëna të INSTAT, i cili si një institucion në varësi të qeverisë është i prirur për të raportuar të dhënat minimale kur bëhet fjalë për tregues negativ, siç është në këtë rast edhe inflacioni. Pra në realitet rritja është më e madhe. Por ndonëse çmimet shënojnë çdo ditë rekorde të reja stratosferike, qeveria nuk merr asnjë masë për të ndihmuar shtresën e ulet dhe atë të mesme. Ajo është mjaftuar me rritje qesharake të pagesës së ndihmës sociale për ata pak persona që e marrin atë dhe për indeksim të pensioneve me vetëm 6 për qind. Nga ana tjetër një efekt akoma më negativ parashikohet të ketë për muajin tetor rritja e pakontrolluar nga qeveria e çmimeve të karburanteve, të cilat këtë fundjavë u kthyen në nivelet e tyre më të larta. Ndaj durimi i shqiptarëve po soset dhe largimi i kësaj qeverie është bërë një domosdoshmëri. Partia e Lirisë është bashkë me shqiptarët për ta bërë agoninë e kësaj qeverie sa më të shkurtër dhe për t’i kthyer atyre shpresën", shkruan Blushi.
Lajmi kryesor: