I ftuar në një nga rubrikat e emisionit Esencë ishte edhe artisti dhe violinisti Tedi Papavrami, ku ndër të tjera ai tha:
Tedi Papavrami: -Babai ishte nisma e çdo gjëje. Ishte ai që na mbushi mendjen se në Shqipëri nuk duhet të jetohej më, se horizonti ishte mbyllur dhe frymëmarrja po bëhej e pamundur.
Eljan Tanini: Si e kujton takimin me Enverin dhe të tjerat më pas?
Tedi Papavrami: - E kujtoj edhe sot takimin tim me Enver Hoxhën! Isha shumë i ri apo i vogël, ndërsa ai fliste me një qetësi të çuditshme, unë mendoja me vete: A i dëgjon ai mendimet e mia apo jo? Në takimin e parë u tregua i sjellshëm, madje dashamirës. Më tha se harkun duhet ta mbaja si shpatë për të çarë lavdinë e Shqipërisë. Ishte një metaforë e bukur, por brenda meje kishte nisur një tjetër rrugëtim.
Eljan Tanini: - Si ndodhi çështja juaj e azilit politik?
Tedi Papavrami: -Kur vendosëm të largoheshim, nuk donim ta kërkonim menjëherë azilin politik, shkuam fillimisht te disa miq, që Sigurimi i Shtetit të mos na vinte më pranë. Franca na dukej vendi që mbronte lirinë, një tokë ku njeriu mund të merrte frymë pa frikë.
Eljan Tanini: -Miqësia juaj me Kadarenë?
Tedi Papavrami: - Në fillim nisa unë të sillja të ardhura në shtëpi, me përkthime e punë të ndryshme, duke ndërtuar jetën hap pas hapi. Në Francë takova më pas edhe Ismail Kadarenë, e dija shumë mirë kush ishte, miqësia jonë lindi shpejt, natyrshëm. Ai ishte entuziast për shqipen time dhe kishte një shqetësim të madh për përkthimin e veprave të tij. Nisa të bëj prova në frëngjisht; i pëlqente mënyra si e sillja tekstin. Libri i fundit që përktheva prej tij ishte “Kur sunduesit grinden”. Kadare njihet në Francë, dhe bashkë me të njihet edhe Shqipëria e veprës së tij. Jeta ime mori një dimension tjetër. Në Francë Sigurimi i Shtetit na ndiqte, madje kanë dashur të na arrestojnë në një shtëpi miqsh të ngushtë. Erdhën deri te dera dhe bënin sikur nuk dinin gjë prej gjëje, por patën frikë të na arrestonin se mund të bëhej skandal. Kështu ndodhi edhe gjatë një lëvizjeje me avion, kështu kudo me ata…
Komente












