Drejtori sportiv i Tiranës, Tefik Osmani ka treguar se interesi nga Shkëndija e Tetovës për trajnerin Orges Shehi ishte real, me bardheblutë që do e linin të lirë teknikun për 200 mijë euro. Në "Rubrika Sportive" në RTSH, korçari ka thënë se disa javë më parë tetovarët kanë shprehur interes për durrsakun, edhe pse ai ishte nën kontratë me 26 herë kampionët e vendit. Veç saj, Osmani rrëfen se Tirana nuk do shësë më lojtarë më pak se 500 mijë euro në merkato.
"Të them të drejtën, në një bisedë që kam bërë me presidentin, edhe pse nuk ishte korrekte nga ana e Shkëndijës sepse Shehi ishte në kontratë me ne. Nuk debatojmë sepse jemi shqiptarë. I kam thënë që është gjë shumë e mirë që Shkëndija të paguajë për trajnerin. Ishte një shifër rreth 200 mijë euro. Ne po bënim debat pak më parë. Na tha profesori që ta mbajmë stekën lart. Ne nuk do të shesim më lojtarë poshtë 500 mijë eurove", tha Tefik Osmani.