Afro 205.1 miliardë lekë janë mbledhur nga tatimet dhe taksat në tremujorin e parë të vitit, duke u rritur me 24 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 13.3% më shumë.

TË ARDHURAT TATIMORE/DOGANORE
Janar-Mars 2025          181.1 mld lekë
Janar-Mars 2026          205.1 mld lekë
Diferenca                        +24 mld lekë

Ministria e Financave thotë se në periudhën janar-mars plani u tejkalua, dhe ndikimi kryesor është dhënë nga TVSH-ja. Nga 77.7 miliardë lekë që ishin në total të ardhurat tatimore për këtë periudhë, 25.2 miliardë u mblodhën vetëm nga tatimi mbi vlerën e shtuar, 19.4% më shumë krahasuar me vjet, dhe afro 3.4 miliardë lekë (35 mln euro) mbi planin e ministrisë.

Kjo vlerë i atribuohet kryesisht rritjes së çmimeve, sidomos të karburantit dhe të perimeve, që nisën të shtrenjtohen menjëherë pas luftës në Lindjen e Mesme. Sa më shumë të rriten çmimet aq më shumë është vlera e TVSH-së që paguhet nga konsumatorët shqiptarë.

TË ARDHURAT TATIMORE
TVSH                                 25.2 mld lekë
Tatimi mbi fitimin              19.6 mld lekë
Tatimi mbi të ardhurat        21.8 mld lekë
Fondet speciale                   48.3 mld lekë

Pas TVSH-së, rritja më e madhe është regjistruar tek tatimi mbi fitimin me 12.7% krahasuar me vitin 2025, dhe në total u mblodhën 19.6 miliardë lekë.

Kurse nga tatimi mbi të ardhurat personale, u arkëtuan 21.8 miliardë lekë, në rritje me 1 miliard lekë. Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 48.3 miliardë lekë ose 4.6 miliardë lekë më shumë se në 2025-ën. Ndikim pozitiv ka dhënë edhe rritja e pagës minimale që në nisje të vitit nga 40 mijë në 50 mijë lekë.

Ndërsa të ardhurat doganore rezultuan 52.9 miliardë lekë me rritje të lehtë krahasuar me vjet. Nga TVSH në import u mblodhën 35.5 miliardë lekë, nga akciza 14.9 miliardë, ndjekur nga taksat doganore me 2.2 miliardë dhe më pas renta minerare në eksport, në shumën 357 milionë lekë.

TË ARDHURAT DOGANORE
TVSH në import   35.5 mld lekë
Akciza                   14.9 mld lekë
Taksat doganore      2.2 mld lekë
Renta minerare       357 mln lekë

Sa i përket shpenzimeve, në këtë tremujor ishin 156 miliardë lekë, me rritje 8.7 miliardë lekë krahasuar me vjet, por plani është realizuar në masën 92.9%. Parashikimi për këtë tremujor ishte për të shpenzuar 167.9 miliardë lekë, pra nuk janë përdorur 11.9 miliardë lekë, duke treguar për vijim të ‘problemit kronik’ mos harxhimi i parave, sidomos të atyre për investime publike.