Gjykata e Kukësit ka pranuar kërkesën për shuarje e masës së sigurimit për Burim Durakun, i kërkuar nga drejtësia greke pasi akuzohej për veprën penale “vrasje me paramendim në bashkëpunim”. Kërkesa u drejtua nga avokati Sokol Tahiraj për arsyen e humbjes së fuqisë së paraburgimit për tejkalim të afateve maksimale hetimore nga koha e përcaktuar në baze te nenit 261/1c / te Kodit Procedurës Penale.

Duraku u arrestua më 20.12.2019 nga forcat RENEA pasi akuzohej për veprat penale "Vrasja me dashje", "Armëmbajtja pa leje", "Vjedhja me dhunë" dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit, në bashkëpunim". Gjatë operacionit, forcat “Renea” ushtruan kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 palë dylbi dhe fishekë luftarakë.

Burim Duraku akuzohet për vrasjen e kryer në vitin 2010 më datë 1 Maj në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias të Greqisë.  Duraku, në bashkëpunim me Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të një shtetases greke A. V. Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit,  e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda. Aty kanë gjetur  greken A. V., të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit ngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin ngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë  e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen. Këta dy shtetas më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash dhe disa sende të çmuara.