Një muaj pasi një pallat në rrugën “Llukë Kaçaj”, pranë QSUT-së në Tiranë, u konfiskua, për 3 ndërtues gjykata e Tiranës vendosi “arrest me burg” pas kërkesës së prokurorisë, ndërsa ndaj një tjetri është vendosur ‘detyrim paraqitje’.
Organi i akuzës në kryeqytet, me prokurore Elsa Kareci, ka konkluduar pas hetimeve paraprake se për ndërtuesit Mirsim Jella, Fedinand Shtëmbari dhe Fiqiri Lika, në arrest, dhe Adriatik Shtëmbari në ‘detyrim paraqitje, ka prova se kanë kryer veprën penale “ndërtim të paligjshëm” për arsye fitimi, që sipas Kodit Penal dënohet nga 3 deri në 8 vite burg.
Kompania “MIRSON - 2A”, aktualisht me emrin “Soni Idea STUDIO”, 100% në pronësi të Mirsim Jellës, në vitin 2019 e kishte marrë lejen për një pallat 9 kate mbi tokë e 2 kate nën tokë. Por gjatë viteve të ndërtimit, sipas prokurorisë janë shtuar në vazhdimësi edhe 2 kate të tjera mbi tokë, plot 2550 m2 më shumë se leja e marrë. Dyshohet se ndërtimi në vite është zbatuar nga ndërtuesit e tjerë, SKY-CONSTRUCTION e Fiqiri Likës apo “Dajti inert” të Ferdinand Shtëmbarit.
Burime i kanë konfirmuar Report Tv se një hetim po bëhet edhe për “fshehje të të ardhurave”, pasi dyshohet se shitja e apartamenteve është bërë përmes kontratave porosi dhe pagesave të pjesshme në para cash.
Shkeljet kanë qenë të vazhdueshme dhe të dukshme në terren, thotë prokuroria duke veçuar se megjithatë organet përgjegjëse si IMT-së apo IKMT-së nuk kanë bëre detyrën për të kontrolluar apo evidentuar këto shkelje. Hetimi për personat përgjegjës në këtë strukturë vijon nga Prokuroria e Tiranës.
Pallati 11 katësh, u konfiskua më 13 maj sipas ndryshimeve ligjore që u bënë në tetor të vitit të kaluar, në të cilat parashikohet konfiskimi automatik, kur pjesa pa leje kalon 10% të ndërtimit të lejuar. Apartamentet rezultojnë të jenë thuajse të gjitha të shitura, madje disa ishin populluar, ndonëse ndërtimi nuk kishte përfunduar ende.
Tejkalimi i lejes i konstatuar është mbi 20% i sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore. Për këtë çështje Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës materialet edhe për dy punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









