Transmetimet e televizionit dhe radios publike në Hungari u ndërprenë pasditen e së martës, pasi qeveria e re e kryeministrit Péter Magyar vendosi një drejtim të përkohshëm në krye të transmetuesit publik dhe largoi nga detyra një pjesë të drejtuesve e gazetarëve të akuzuar për një qasje të njëanshme në favor të qeverisë së mëparshme të Viktor Orbán.
Riorganizimi i medias publike ishte një nga zotimet kryesore të Péter Magyar, i cili mori drejtimin e vendit në prill, pas fitores ndaj Viktor Orbán, që kishte qëndruar në pushtet për 16 vjet.
Në vend të programacionit të zakonshëm, kanali televiziv i MTVA-së transmetoi një ekran të zi me një mesazh të pazakontë drejtuar publikut:
"Media publike nuk mund të gënjejë. Ne ju kërkojmë ndjesë që ju kemi gënjyer gjithsesi. Kërkojmë falje për të gjitha rastet kur nuk kemi përmbushur detyrën tonë për t'ju informuar me ndershmëri, saktësi dhe paanshmëri. Në të ardhmen, media publike do të ristrukturohet për t'u bërë një institucion i pavarur, i besueshëm dhe në shërbim të publikut."
Një ditë më parë ishte emëruar ekipi i përkohshëm i menaxhimit, i ngarkuar me drejtimin e procesit të reformimit të transmetuesit publik. Menjëherë pas marrjes së detyrës, disa drejtues dhe gazetarë u shkarkuan, ndërsa mediat hungareze raportuan se ata u shoqëruan jashtë ambienteve të institucionit nga rojet e sigurisë.
Kryeministri Péter Magyar e cilësoi zhvillimin si fundin e një epoke, duke shkruar në rrjetet sociale "Sot është një ditë historike. Sot mori fund transmetimi i propagandës në mediat publike."
Prej vitesh, MTVA ka qenë në qendër të kritikave nga opozita dhe organizata ndërkombëtare, të cilat e kanë akuzuar për raportim të njëanshëm në favor të qeverisë së Orbán. Gjatë zgjedhjeve të këtij viti, transmetuesi u përball gjithashtu me akuza për përhapje të dezinformatave.
Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në raportin e saj pas zgjedhjeve të prillit, vlerësoi se mbulimi i MTVA-së ishte sistematikisht i anuar. Sipas OSBE-së, programet informative mbështetën hapur dhe në mënyrë disproporcionale narrativën e partive në pushtet, ndërsa zërat e opozitës u lanë në hije ose u paraqitën në mënyrë negative.
Organizata theksoi gjithashtu se transmetuesi publik nuk arriti të garantonte kushte të barabarta për forcat politike gjatë fushatës zgjedhore, duke nënvizuar se politikanëve të opozitës pothuajse nuk iu dha mundësia të shpreheshin në edicionet informative, ndërsa në rastet kur u përfshinë, deklaratat e tyre u shoqëruan me komente editoriale që synonin t'i diskreditonin.
Komente






Keshtu duhet te ndodhe dhe ne shqiperi me Televizionet qe pa ndalim futin frymen e urejtjes,frymen e nxirjes te shtetit e Shqiperise me te vete punesuar analiste
Përgjigju