Tentativa për të infiltuar të besuarën në drejtësi, Avokatja e Berishës çon në Kuvend emrin e ortakes së Ismail Mulleti! Reagon Avokati i Popullit

Tentativa për të infiltuar të besuarën në drejtësi, Avokatja e Berishës çon në Kuvend emrin e ortakes së Ismail Mulleti! Reagon Avokati i Popullit

Familja Berisha dhe Erinda Ballanca

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me shkrimin e publikuar nga Shqiptarja.com më datën 30 janar 2024 me titull: "Tentativa për të infiltuar të besuarën në drejtësi/ Avokatja e Berishës çon në Kuvend emrin e ortakes së Ismail Mulletit që i dha Shkëlzenit 350 mijë €"

Në saktësimin e saj të gjatë Avokatja e Popullit nuk përgënjeshtron përmbajtjen e investigimit tonë, pra që Erinda Ballnaca ka dërguar në Kuvend emrin e Entela Shehaj (Memishaj) si pjesë e kandidatëve për vendet vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), pavarësisht lidhjeve të saj të errëta me politikën dhe financën off-shore.

Shqiptarja.com zbuloi pikërisht lidhjet e Entela Shehaj (Memishaj) me Ismail Mulletit, biznesmeni i njohur për marredheniet e shumëfishta me Partinë Demokratike, dhe që nga dokumentat rezulton se i ka paguar në 2008 plot 350.000 euro Shkelzen Berishës për një aferë imobiliare shumë të dyshimtë.

 Duke lexuar përgjigjen e Avokates së Popullit kuptohet se këto precedent të errët dhe këto marrëdhënie financiare të dyshimta të kandidaturës së Entela Shehajt (Memishaj) me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, të dy të deklaruar “persona non grata” nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, nuk përbëjnë pengesë për kandidimin e saj si pjesë të drejtësisë së re. Me sa duket koncepti që Erinda Ballanca ka për drejtësinë e re është i ndryshëm nga i yni.

Sa i përket marrëdhënieve të saj me Sali Berishën, sjellim në vëmendje se Erinda Ballanca e ka marrë postin e Avokates së Popullit si kandidate e Berishës dhe e Partisë Demokratike si pjesë e bashkëqeverisjes PS-PD në 2017. Fakti që nuk ushtron më zyrtarisht profesionin e avokates për llogari të familjes Berisha është i papërfillshëm në krahasim me marrëdhëniet e besimit, miqësisë, interesave që e lidhin me ish-kryeministrin dhe vajzën e tij Argita.

Reagimi i Avokatit të Popullit

Në pozicionin e Këshilltares për Media të Avokates së Popullit, znj. Erinda Ballanca ju përcjell më poshtë një sqarim zyrtar mbi një lajm të publikuar në mediat Shqiptarja.com dhe Report TV, që do t'ju lutesha të mbahet në konsideratë për t'u publikuar.

Përsa më sipër, duke marrë shkas nga lajmi me titull “Tentativa për të infiltuar të besuarën në drejtësi/ Avokatja e Berishës çon në Kuvend emrin e ortakes së Ismail Mulletit që i dha Shkëlzenit 350 mijë €”, Avokati i Popullit, vlerëson të domosdoshme, por njëkohësisht edhe detyrim ndaj qytetarëve dhe të gjithë palëve të interesuara, të adresojë një informacion sqarues, lidhur me sa përmban lajmi i sipërcituar.

Bazuar në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Avokati i Popullit sëbashku me Komisionin e Pavarur Ad-Hoc zhvilluan të gjitha procedurat e nevojshme administrative, deri në finalizimin e procesit të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, dhe dërgimin e listës me renditjen përkatëse, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Komisioni i Pavarur Ad-Hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve u krijua në përputhje me parashikimet e neneve 23 dhe 121 të ligjit të sipërcituar, dhe përbëhej nga Avokati i Popullit; Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; dy avokatë si dhe një anëtar i  Akademisë së Shkencave. Administrata e institucionit të Avokatit të Popullit ka shërbyer si sekretariat teknik për lehtësimin e procedurave administrative, teksa hetimi i thelluar dhe vlerësimi i kandidatëve është realizuar nga Komisioni i sipërpërmendur. Në lidhje me këtë proces, sqarojmë sa vijon.

Së pari, vlerësimi i kandidaturave dhe renditja e tyre nuk është kryer nga Avokatja e Popullit, por nga Komisioni i Pavarur Ad-Hoc. Avokatja e Popullit, ishte anëtare e këtij organi kolegjial, me cilësinë e kryetares, duke përfaqësuar vetëm një votë në vendimmarjen e tij.

Së dyti, pasi ka përfunduar vlerësimi dhe renditja e kandidatëve nga Komisioni i Pavarur Ad-Hoc, referuar parashtrimeve sqaruese të mësipërme, Avokatja e Popullit i ka dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë listën me emrat e kandidatëve, sipas renditjes së miratuar nga ky Komision.

Së treti, tërësia e kushteve dhe kritereve ligjore që duhet të plotësojnë avokatët që kandidojnë për pozicionin e anëtarit të KLGJ dhe anëtarit të KLP përcaktohet në nenet 19/3 dhe 117/3 të ligjit nr. 115/2016. Ata duhet të jenë shtetas shqiptarë; të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi; të jenë avokatë të licencuar sipas ligjit; të kenë shlyer rregullisht të gjitha detyrimet tatimore dhe financiare ndaj Dhomës së Avokatisë; të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist, nga të cilat të paktën 10 vitet e fundit të kenë ushtruar profesionin e avokatit pa ndërprerje; të jenë licencuar për të ushtruar profesionin pranë Gjykatës së Lartë dhe/ose Gjykatës Kushtetuese, sipas parashikimeve të ligjit “Për profesionin e avokatit”; të mos kenë masë disiplinore në fuqi;të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike; të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistetë Shqipërisë”; të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës; në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar; të mos jenë larguarnga detyra të mëparshme si gjyqtar, prokuror ose oficer i Policisë Gjyqësore me masë disiplinore; të mos jenë kandidatë të propozuar nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, si dhe nga shoqëria civile.

Për shkak të rëndësisë që kishte procesi i verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, Komisioni i Pavarur Ad-Hoc, realizoi një verifikim të thelluar lidhur me secilën kandidaturë, duke përfshirë verifikimin e detajuar të plotësimit të kritereve ligjore për secilin kandidat; marrjen e informacioneve apo dokumentacionit shtesë nga kandidatët; marrjen e informacionit zyrtar nga institucionet publike në lidhje me integritetin, shlyerjen e rregullt të të gjitha detyrimeve tatimore dhe masat disiplinore, etj. Në përfundim të procesit të verifikimit, për të gjithë kandidatët për të cilët është konstatuar mosplotësimi i kushteve të parashikuara nga ligji, është përfunduar procedura e verifikimit dhe vlerësimit të mëtejshëm. Lidhur me kandidaten në fjalë, të cilës i referohet lajmi i publikuar, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidaturës së saj, nuk ka rezultuar që ajo të mos plotësonte ndonjë nga kushtet apo kriteret e parashikuara nga ligji.

Rrjedhimisht, konkluzionet e arritura në investigimin të cilit i referohet lajmi, nuk kanë asnjë bazë faktike.

Së fundmi, për qartësi Avokati i Popullit sqaron se znj. Erinda Ballanca shërben si Avokate e Popullit e Republikës së Shqipërisë dhe tashmë prej rreth 7 vitesh nuk ofron asnjë shërbim avokatie.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion