Teodor Laço:Ta bëjmë letërsinë me
tendenciozitet klasor revoluciona

Teodor Laço:Ta bëjmë letërsinë me<br />tendenciozitet klasor revoluciona
Një poezi e Visar Zhitit botuar në numrin 3 të “Nëntorit” 1972 dhe një diskutim i Teodor Laços në Kongresin e Dytë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë janë përzgjedhja jonë për sot në rubrikën “Koleksioni Nëntori” me krijimtari dhe publicistikë të botuar në revistën “Nëntori” në vitet e diktaturës. Nga poezia e Zhitit mjafton të shkëpusim vargun “Shiu vazhdon të bjerë, eci me armë në dorë, roje, në gji kam një vëllim të shokut Enver...” për të kuptuar frymën e këtij krijimi, nënshtruar ideologjisë së kohës. Ndërsa diskutimi i shkrimtarit Teodor Laço është i mbytyr me perifrazime nga porositë e Partisë e të shokut Enver dhe se si duhet të ishte letërsia dhe artet në atë kohë.
 
TEODOR LAÇO
Ne ndiejmë ngrohtësinë e madhe që na ka krijuar partia
Kongresi ynë i dytë, që vjen si kurorëzim i një rruge të gjatë e të vështirë lufte nën udhëheqjen e Partisë, për triumfin e artit vërtetë të realizmit socialist do të mbetet në historinë e artit e të letërsisë sonë si një moment i shquar për nga gjerësia e tij dhe rëndësia e problemeve që po diskuton.

Fjalimi i fundit i shokut Enver për problemet e letërsisë e të artit, që ishte si një dritë e madhe për ne, po na bën sot që t’i përcaktojmë më me pjekuri e guxim, me një qartësi të madhe ideore detyrat tona ndaj popullit e ndaj momentit historik që po hetojmë. Ky moment historik na zbulon çdo çast një heroizëm të madh e masiv, shfaqje të larta të ndërgjegjes revolucionare. Detyra jonë, tani, ndofta i ngjason asaj të shkencëtarit eksperimentues në bujqësi që ndër qindra variante e përsëritje, zgjedh atë varietet që shfaq tiparet më pozitive, tipare të reja e më produktive.

Të tjerat i lë pas dore dhe kultivon të renë, të fuqishmen, prodhimtaren, të nesërmen, që jeta materiale të bëhet më e begatë. Edhe shkrimtari, në këtë det ndodhish e fenomenesh të reja duhet të zbulojë atë që është më e re, më e avancuar, tiparet e së ardhmes, dhe t’i kultivojë ato. T’i kultivojë e t’i ngrejë mbi piedestal, sepse po ashtu siç e bën më të begatë jetën materiale çdo varietet i ri, më produktiv, po ashtu e bën jetën shpirtërore të popullit më të begatshme çdo heroi i ri, që mbart tiparet revolucionare, ndërgjegjen e lartë klasore, të nesërmen komuniste.

Që këtu, mendoj se përcaktohet një nga detyrat më kryesore të letërsisë sonë: vënia e heroit pozitiv në qendër të krijimtarisë e të vëmendjes së forcave krijuese. Letërsia jonë po e kërkon dhe po e krijon me këmbëngulje e me sukses këtë hero, po shkruan me dashuri për të; por heroizmi i popullit tonë është i gjerë, i madh dhe i heshtur si deti. Që ta zbulosh atë me gjithë bukuritë e veta, duhet të zhytesh në të “të jetosh gju më gju me të” – siç thotë shoku Enver. Këtë heroizëm masiv, me simbole e përgjithësime të forta na e ka dhënë disa herë poema    të!”. Megjithatë, ne i jemi ende borxhlinj njeriut tonë të thjeshtë e të madh. Njeriu ynë duhet të jetë shqetësimi ynë i përhershëm. Kur gëzimet e shqetësimet e tij hyjnë edhe në jetën tonë, ahere ne do të kemi zbuluar shpirtin e tij dhe do të shkruajmë më mirë.

Jam i ngarkuar nga shkrimtarët dhe artistët e rrethit të Korçës t’i them Kongresit se pikërisht këtë mësim dhe detyrë themelore do të mundohemi ta vëmë në jetë më parë se gjithçka tjetër sepse çdo shkrimtar që i shërben revolucionit duhet të revolucionarizojë më parë vetveten, konceptet, mënyrën e jetesës.
Dua të shtroj disa probleme për degët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në rrethe, sidomos për rrethin e Korçës, për perspektivat e saj.
Krijimi i degës së Lidhjes në vitin 1962, kishte për qëllim grupimin e shkrimtarëve dhe artistëve, krijimin e një kolektivi krijues ku të vlonte shkëmbimi i sinqertë i mendimeve, kritika në dobi të krijimtarisë së secilit dhe të gjithë letërsisë.
Ky ishte një sukses dhe dega bëri e po bën një punë të dobishme.

Siç duket, kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve qëlloi në shenjë kur i pagëzoi këto organizma të saj me një emër të gjallë, të huajtur nga bota bimore (sepse mund t’i quante edhe seksione ose diçka tjetër), sepse çdo degë e njomë që ushqehet nga një trung i shëndetshëm, rritet e zhvillohet.
Kështu u rritën degët nëpër rrethe, dolën degë të reja, do të dalin edhe të tjera.

Puna është këtu: të mos e lemë degën të rrezikohet nga tharja. Dhe tharja vjen nga mungesa e lëngjeve të reja.
Për fat të mirë, forcat e reja letrare e artistike, erdhën dhe po vijnë me guxim e me ngulm në trungun e Lidhjes dhe në degët e saj.
Lidhja jonë, duhet të kërkojë e të gjejë kurdoherë burimet e t’i thithë si një motopompë këto lëngje të reja, sepse ndryshimet e thella cilësore që kërkojmë në letërsi nuk mund t’i kryejë një grusht shkrimtarësh por një armatë e tërë.

Në rrethin e Korçës, brenda këtyre viteve që nga krijimi i saj, numri i anëtarëve të Lidhjes u trefishua. Sukseset më të mëdha, hë për hë, i kanë prozatorët që në këto dy-tre muaj të këtij viti p.sh. kanë shkruar dhe kanë në shtyp dy romane dhe shtatë përmbledhje tregimesh.
Menjëherë pas fjalimit të shokut Enver në Konferencën e 17-të të Partisë në Tiranë, të orientuar nga komiteti i partisë të rrethit, ne bëmë një analizë të gjerë të punës sonë. Krijimtarinë e viteve të shkuara e pamë me një vështrim kritik. Vlerësuam sukseset por kritikuam fort edhe tendencat e gabuara që mund të ishin dukur ose që mund të duken ende, sepse të zbulosh gabimet e të mësosh prej tyre, do të thotë të krijosh një bazë të fortë për të shkuar  më përpara. Këto tendenca shfaqeshin në disa drejtime dhe janë shfaqur edhe në gjithë letërsinë tonë: si trajtimi i temave anësore, të parëndësishme ose të ashtuquajtura të përjetshme (kujtoni p.sh. se si ca vite të shkuara iu vunë punës me ngulm sikur të ishin në garë dy poetë dhe shkruan e botuan nga një poemë të gjatë me motivet e një poezie të njohur për zemrën e nënës që e ka shkulur biri bukëshkelës për të dashurën e vet). Këto tendenca nuk duken tani më në letërsinë tonë, por, nuk duhen harruar ama.

Nuk janë të pakta veprat ku çdo gjë rrëshqet si mbi ujë, kontradiktat zgjidhen me një mbledhje kështu që lufta e vërtetë klasore del e dremitur dhe e zbehtë. Kështu, zbehet edhe heroizmi i vërtetë që triumfon pas një lufte të vështirë me të vjetrën. Shfaqje të kësaj tendence ne patëm në dekadën e parë të rrethit dhe i kritikuam me të drejtë.
Por ne u ndalëm gjatë sidomos në çështjen e përtëritjes së Lidhjes me brezin e ri të shkrimtarëve që duhet të mbushë radhët e kësaj armate dhe nxorëm detyra konkrete.

Të rinjtë vijnë në letërsi nga rrugë të ndryshme: nga uzinat e shkollat e qyteteve dhe nga shtigjet e maleve, dikush hyn me vrull dhe imponohet dikush hyn më me ndrojtje e me ngadalë, por prapë hyn, dikush mbetet në mes të rrugës. Por ne le të mos shqetësohemi se dikush mbeti, le të mos shqetësohemi bile edhe sepse librin e parë të një autori nuk po e pason shpejt edhe i dyti, sepse letërsia ka shumë zhgënjime. Prapë edhe ai libërth i parë, është i dobishëm, sepse shton ato grumbuj sasiorë që kërkojmë dhe që do të sjellin pastaj ndryshime cilësore.

Më duket se më kot e kanë kritikuar Ndërmarrjen e Botimeve se qenka nxituar që ka botuar vëllimet me poezi të disa të rinjve sepse poezia e tyre qenka pak më e ulët se niveli i përgjithshëm i poezisë sonë. Çdo letrar i ri sjell me krijimet e veta një botë të re, diçka të tijën, të freskët. Natyrisht ai ka edhe shumë gjëra të huajtura, po këtu duhet ta drejtojë tani vëmendjen kritika: në zbulimin e kultivimin e individuales dhe në shkuljen e të huajturave. Fatkeqësisht kritika jonë letrare rrallëherë merret seriozisht me problemet e të rinjve dhe me veprat e tyre. Edhe ndonjë vështrim recensional që i rrumbullakos problemet me frazën e njohur burokratike: “sigurisht, vepra ka edhe të meta; por në përgjithësi është mjaft e mirë” nuk ndihmon aspak, ashtu siç nuk ndihmon edhe ajo lloj kritike me syze të zeza që kërkon qimen në vezë dhe që duke u zhytur në terrin e të metave, nuk sheh asnjë filiz që mund të kultivohet. Vitet e fundit ndërmarrja e botimeve, organet tona letrare, vetë Lidhja i kanë zbatuar më mirë mësimet e Partisë për zgjerimin e frontit të letërsisë dhe të artit dhe është rritur dashamirësia për forcat e reja krijuese.

Natyrisht, jemi kundër vulgarizimeve në këtë çështje dhe dihet se jo çdo gjë që fluturon është e ngrënshme, fjala është që të bëhet një punë më këmbëngulëse për zbulimin dhe edukimin e talenteve të reja. Veç seminareve të rralla me letrarët e rinj, ç’bëhet për t’i mësuar forcat e reja letrare? Dikush mund të thotë që talenti çan vetë përpara dhe se s’ka asnjë shkollë që të nxjerrë shkrimtarë. Kjo është vërtetë, por mund të ketë shkolla ama, ku të mësojnë letrarët që debutojnë me sukses, të mësojnë estetikën marksiste, gjuhën shqipe, rregullat e drejtshkrimit kështu që të mos sfiliten më redaktorët e gjorë duke ndrequr gabimet e prozatorëve të rinj e të mos thonë më: “Gjynah shkreti! Ka talent po i ka keq punët me gjuhën shqipe!”.

Mund të dalin shumë më tepër talente të reja sidomos nga radhët e nxënësve. Por ata nuk zbulohen dot ose mësojnë të shkruajnë në mënyrë të përgjithshme e bombastike nga disa mësues të letërsisë që janë bërë të tillë nga ndonjë rastësi fatkeqe si ato që ndodhin edhe sot rrallëherë kur letrarët e rinj dërgohen për të mësuar kimi industriale! Kjo mund të duket si shqetësuese por si mund të shpjegohet p.sh. fakti që prej disa vjetësh nga shkolla “Asim Zeneli” e Gjirokastrës po dalin letrarë të mirë që ecin me siguri kurse nga shkollat e tjera të mesme kemi shumë pak? Shpjegohet me faktin se aty punon e drejton talentet një mësues letërsie shkrimtar. Është absurde të mendohet se të gjithë mësuesit e letërsisë të jenë shkrimtarë, por është fare e mundshme të mendohet që kontingjenti i nxënësve që mësojnë për mësues letërsie të zgjidhet me kritere më të drejta.

Për t’i pasur sa më afër forcat e reja letrare dhe artistike, ne, në rrethin e Korçës, të gjitha aktivitetet e degës së Lidhjes si diskutime krijuese etj., i bëjmë bashkë me anëtarët e rretheve letrare e të arteve figurative që anë pranë pallatit të kulturës dhe ku grupohen talentet më të mira që gjenden në shkolla e qendra pune. Gjithashtu, shkrimtarët kanë nën drejtimin e tyre rrethet letrare në qendrat e mëdha të punës dhe mendojmë që këtë drejtim ta shtrijmë edhe në shkollat e mesme. Një afrim i tillë i përhershëm i anëtarëve të Lidhjes me talentet e reja që janë perspektiva e saj mendojmë se është shumë i dobishëm.

Desha të them edhe disa fjalë për trajtimin e temës së fshatit tonë të ri nga letërsia jonë. Është një fakt i njohur që fshati, më tepër se qyteti, ka tërhequr vëmendjen e shkrimtarëve sidomos të prozatorëve. Kjo ndoshta shpjegohet me origjinën fshatare të shumë shkrimtarëve. Ne kemi tashmë romane të tillë si “Lumi i vdekur” dhe “Ata nuk ishin vetëm” që kanë drama të vërteta të jetës e luftës së fshatarësisë sonë para çlirimit. Edhe proza e shkurtër sukseset e saj më të dukshme i ka pasur kur ka trajtuar temat e fshatit.

Ndryshimet e thella revolucionare që kanë ndodhur vitet e fundit në fshatin tonë, në mal ose në fushë, kanë tërhequr shumë vëmendjen e romancierëve. Dolën “Ara në mal”, “Brezat”, “Kthesa të forta” etj., vepra që duke qenë kundër teorisë së distancës, siç jemi të gjithë, u bëjnë jehonë çështjeve të ditës. Ky është një sukses i gjithë letërsisë sonë, por natyrisht,kjo po nxjerr në pah edhe probleme e vështirësi të reja që duhet t’i kapërcejmë.

Me të drejtë një lexues në “Drita” shkruan se ai vë re në disa romane mbi fshatin, të njëjtat linja si edhe të njëjtën të metë kryesore: zgjidhjen e lehtë e të shpejtuar të konflikteve. Krijohet përshtypja sikur, me dashje nuk duam të na dalë nga sfera e vëmendjes asgjë dhe bile, duket sikur vepra shihet me syrin “ç’gjë më shpëtoi nga e sotmja pa thënë vallë?”. Një trajtimi tillë që i ngjan një fotografimi masiv të realitetit, është një nga format e skematizmit. Por, këto vështirësi të rritjes janë krejtësisht të kapërcyeshme nga shkrimtarët tanë.
Ne shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë, kemi fatin që jetojmë në një epokë të madhe, në një tokë me frymëmarrje të madhe, në atdheun e horizonteve të hapura, duhet ta bëjmë letërsinë të tillë si vetë atdheu ynë, me frymëmarrje të gjerë, me tendenciozitet të theksuar klasor revolucionar.

Ne kemi filluar të ngremë godinën e kësaj letërsie: themelet e muret janë të forta, por ndërtesa duhet të ngrihet gjithnjë e më lart, gjithnjë më e fortë. Ne muratorët kësaj ndërtese që ndiejmë rreth vetes ngrohtësinë e madhe që na ka krijuar partia, le të futemi kokë e këmbë në mes të kësaj atmosfere të ngrohtë. Mbi supet tona do të ndiejmë dorën e madhe e dashamirëse të popullit, atë dorë që mban erë vajra makinash dhe erë toke. Dhe ahere do të vëmë më shumë gurë në këtë ngrehinë, do të shkruajmë më mirë, bile edhe vetë do të bëhemi më të mirë, ashtu siç thoshte dikur një poet i madh që kishte dalë nga gjiri i popullit: “Tani e shoh sekretin se si bëhen më të mirë njerëzit, të rritesh n’ajr të lirë,të hash e të flesh me dherin!”.

Një natë pa gjumë nga Visar Zhiti
Një natë pa gjumë, i lodhur,
vetëm, midis natës dhe heshtjes, roje
me automatik në dorë. Një natë pa gjumë, eci.
Pa cigare, ftohtë, bie shi, këpucët e mia
shtypin gurët e vetmisë, eci.
Yje të lagur. Një natë pa gjumë, mbështjellë
me kapotë, jam ushtar, rripi i automatikut
mbi supin tim. Duar vajzash më janë varur mbi
supe, gishta të gjatë, të bukur, duar
që s’i ndërroja me asgjë në botë, tani ky automatik,
më i sigurt se çdo dorë, i përjetshëm
deri në  komunizëm. Një natë pa gjumë,
dhe të tjerët nuk flenë, shekulli im
nuk fle, horizontet tunden si afishe,
të flakura nga era, bie shi me gëzhoja,
njomen kapotat e ushtarëve, me kapotë të njomur,
eci, me automatik në dorë. Është koha
kur armiqtë prodhojnë më tepër tanke se karroca fëmijësh,
ajri i botës dridhet nga vibracione vigane,
moderne. Vuaj bashkë me ata që vuajnë.
 
II
Jam me ata që sonte flenë pa bukë, në duar
kam prangat e të burgosurit politik,
të atij që nuk nënshtrohet, që ëhstë
KOMUNIST, frëngjia është e vogël, nuk shoh
asgjë: pak qiell, pak yje, pak ajër, jam unë
ajo koka e prerë vietnameze në duart e xhelatit,
sytë i kam hapur, sytë e mi vështrojnë
të nesërmen, jam unë zezaku,
që s’më lënë të shëtit,
që s’më lënë të këndoj,
që s’më lënë të shkruaj vjersha. Jam unë ai
që do të pushkatohet sonte, jam unë ai
që do të lindë nesër, që akoma është pa emër,
jam unë kudo, kudo, kudo. Shiu
vazhdon të bjerë, eci me armë në dorë
roje, në gji kam një vëllim të shokut Enver.
Eci, marr frymë, thith
ajrin e shqetësuar të botës. Dhe të tjerë
nuk flenë, gjersa të agojë, dhe të tjerë
nuk flenë, gjersa të dalë dielli që të parakalojë
mbi çatitë e lagjes sime, që të parakalojë
mbi çatitë e gjithë lagjeve të botës
si një avion i kuq që do të shpërndajë
në të gjithë rrugët fletët e bardha të fitores
dhe të paqes...
 
 
 Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ndikimi i vitaminës D në organizëm dhe problemet që sjell mungesa e saj

Ndikimi i vitaminës D në organizëm dhe problemet që sjell mungesa e saj