Rreth 85 infermierë dhe sanitarë në Spitalin e Tepelenës dhe Memaliajt, kanë dalë sot në protestë kundër reformës së shkurtimit të personelit të spitalit. Sipas tyre, reforma bëhet mbi bazë të bindjeve politike.

Ata kanë protestuar sot para këtij institucioni kundër pushimit nga puna. Sipas një urdhëri nga Ministria e Shëndetësisë, në muajin dhjetor këta duhet të lënë pozicionin e punës. Ata ankohen se për heqjen nga puna të punonjësve po veprohet me dy standarde dhe me bindje politike. 

E njëjta situatë është paraqitur edhe në Spitalin e Memaliajt, ku është urdhëruar për heqjen nga puna të 25 infermierëve dhe sanitarëve.

Ndërkohë kjo reformë ka prekur edhe spitalin e Lushnjes si dhe atë të Mirditës, të cilët kanë protestuar njësoj si këta më parë. Ata e kanë pritur me shumë zemërim largimin nga puna dhe shtojnë se kjo reformë po bëhet mbi baza politike dhe nuk po shihet eksperienca e punës.

Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)