Ish-Kryeprokurori i Elbasanit, Dritan Gina, është tërhequr pas një qëndrese njëditore për të mos liruar zyrën, pas largimit nga detyra me vendim të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Gina deklaroi ditën e sotme se nuk do të vazhdojë të qëndrojë në zyrë, duke shtuar se në Shqipëri nuk çahet me kokëfortësi.

"Unë jam profesionist, unë e kuptoj që me kokëfortësi nuk çahet. Nuk pretendoj të rri në atë zyrë, pasi puna e prokurorit ka të bëjë me raportin administrativ dhe përfaqësimin, që ka të bëjë me thesarin, etj. Pasi firma ime nuk njihet më, por edhe zyrat e shtetit që nuk e njohin më firmën time. Reagimi dje ishte i një prokurori që nuk lejon të nëpërkëmbë mua apo kolegët. Këtu është bërë Shqipëri hesapi", tha ish-kryeprokurori i ELbasanit.

Dritan Gina u paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku depozitoi një kallëzim penal ndaj Kryeprokurores Arta Marku.

"Bëra kallëzim ndaj kryeprokurores, për gjykimin e padisë për cenim të figurës. Kjo është kompetencë e Krimeve të Rënda. Unë natyrisht kam pretenduar një sërë shkeljesh të rënda, i kam argumentuar në kallëzimin penal. Më vjen keq që përfaqësues të popullit flasin në emër të prokurorëve", deklaroi Gina

Ky është kallëzimi i dytë penal ndaj Markut, pas atij të bashkëshortes së Ginës, prokurores Rovena Gashi. Kallëzimi i Ginës vjen vetëm një ditë pas largimit të tij nga detyra me vendim të Kryeprokurores Marku. Në një prononcim për media, Dritan Gina deklaroi se në Shqipëri nuk çahet me kokëfortësi.