TIRANË- Partia Demokratike është rikthyer në tryezën e komisionit të Reformës Territoriale pas 2 muajve bojkot. Deputetët opozitarë bën një hap pas dhe u rikthyen sërish në komision pasi mazhoranca ishte bërë gati të zhbënte formulën e barazisë dhe të merrte drejtimin.

Ndonëse një mbledhje me karakter procedurale për miratimin e planit të punës, palët nuk i lanë pas debatet politike për bojkotin. Bashkëkryetari nga radhët e PD, Luçiano Boçi kërkoi “garanci” nga mazhoranca që në fund të dalin me një produkt konsensual dhe jo një raport me ngjyrën mavi të PS dhe një me ngjyrën blu të PD.

“Komisioni që është ngritur me konsensus, duhet të ketë një produkt, do punojmë me ekspertët por në fund fare ne duhet të dalim me një produkt të dakordësuar. Nëse rruga jonë kalon pjesërisht përmes konsensusit, votojmë raporte të caktuara që kërkojnë konsensus dhe në fund fare del me variant të personalizuar politik, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni. Për këtë duhet të biem parimisht dakord. Po ne duhet të kemi një produkt të përbashkët, nëse ecim me idenë se çfarëdo që themi ne nuk konsiderohet si pjesë e propozimeve që faktohen në raportin final, jemi në rrugëtim hipokrit dhe formal. A kemi siguri për këtë ne? Ko, nuk kemi. Duhet të kemi produkt konsensual. Nëse s’ka produkt është mungesë e gatishmërisë suaj dhe tonës për të pranuar variantin. Po jo një variant me ngjyrën e partisë suaj dhe një me ngjyrën blu të PD”, tha Luçiano Boçi.

Edhe socialistët shprehën gatishmërinë që të dalin me një produkt të përbashkëta. Bashkëkryetari Arbian Mazniku i tha opozitës se PS i ka dhënë “provat” me barazinë dhe të drejtën e vetos që u ka lënë në komision.

“Pozicioni është i qartë i PS, që të ketë një komision i cili të dalë me një pozicion. Nëse është e mundur që kjo reformë të kalojë me unanimitet në kuvend, do ishte zgjidhja ideale, ka tashmë prova të dhëna nga mazhoranca të mirëbesimit për një proces të tillë, duke nisur që nga bashkëkryesia, të kërkesa për ndarjen në mënyrë të barabartë të anëtarëve të komisionit, te kërkesa që ne të thërrasim Kongresin e Autoriteve vendore, por edhe BE, si partnerë të punës së këtij komisioni. Të ndërgjegjshëm për faktin se kjo reformë do ishte e shëndetshme nëse do ja dalim ta kalojmë bashkërisht. Mirëbesimi i dhënë nga PS nuk mund të jetë një mekanizëm për të bllokuar punën për të mos e çuar para këtë reformë”, tha Mazniku.

Diskutimet u rikthyen në pikën fillestare: Ishte apo jo dështim reforma e 2015-ës.

“Reforma ishte dështim. Këtë e tregon fakti që pas 10 vitesh pranoni se ka nevojë për ndryshim. Europa po shkon drejt decentralizimit ju kërkoni më pak bashki”, tha Xhelal Mziu

“Reforma e 2015 është nga kryereformat e Shqipërisë, që ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme. Komenti i kolegut Mziu është qëndrimi tyre për reformën e 2015. Vështirë të gjejmë opinione të përbashkëta për qasje të caktuara”, u shpreh Blendi Klosi

Në mbledhjen e parë pas bojkotit, me votat e mazhorancës u zgjodh sekretari i Komisionit të Posaçëm të reformës Territoriale, socialisti Ermal Pacaj.

Lista e Ekspertëve që do të mbështesin komisionin do të rishikohet e plotësohet sërish nga të dyja palët, ndërsa plani i punës pritet të miratohet në mbledhjen e së hënës.