Ky mëngjes e gjeti Vjosën të qetësuar pranë Urës së Mifolit. Prurjet janë ulur ndjeshëm dhe uji nisi të tërhiqet gradualisht duke iu larguar kuotave maksimale mbi 9 metra që arriti të enjten. Megjithatë, pasojat e përmbytjeve nga reshjet intensive të shiut, janë ende të pranishme në disa fshatra, kryesisht brenda argjinaturës, si në pjesën e Vlorës, ashtu edhe të Fierit.
Rreth 20 familje në Bishan të Vlorës, i kanë banesat të rrethuara nga uji, si pasojë e çarjes së argjinaturës pranë fshatit në kulmin e prurjeve nga Vjosa gjatë natës. Uji ka pushtuar me dhjetëra hektarë toka bujqësore dhe serat.
“Kam plakën dhe djalin të paralizuar, nuk mundëm të bëjmë gjë…Më është prishur një frezë, karroca e çunit dhe nja 50 pula, ato po kërkoj që s’po i gjeja”
“Të gjithë tokat e përmbytura nën ujë me grurë me elb”
“Shumë dëme, kemi të mbjella. Komplet toka është me ujë. Shumë prurje, shumë të mëdha dhe ka akoma”, thonë disa banorë të Bishanit.
Nënkalimi i Bishanit është i përmbytur, dhe në fshat mund të shkohet vetëm me mjetet e ushtrisë. Në rrugët e fshatit të mbushura me ujë, forcat e armatosura i shkuan në ndihmë një të moshuari. Edhe ekipet e OSHEE shkruan në disa banesa që patën probleme me energjinë elektrike
Edhe varrezat e fshatit nuk i shpëtuan dot përmbytjeve.
13 familje u evakuuan gjatë natës në njësinë e Novoselës, aty ku paraprakisht flitet për mbi 50 ha tokë nën ujë.
Në anën tjetër të Vjosës, në Fier, më i dëmtuari nga përmbytjes, është fshati Ferras me 75 banesa. Uji ka hyrë në banesa, brenda dhe jashtë argjinaturës, dhe sot dëmet janë të dukshme nën gjurmët e baltës. Megjithë masat që banorët thonë se morën, uji u depërtoi në shtëpi.
“Mbrëmë në darkë erdhi dhe nga para dhe nga mbrapa me rrëmbesë të madhe, vumë bllok, zhavorr, prapë hyri brenda. Jemi gdhirë në kuzhinë të vjetër. Jemi jashtë argjinaturës, por u mbytëm. Vajti uji më tepër nga 1 metër brenda në oborr dhe mori brenda”, thotë një banore e fshatit Ferras në Fier.
Prurjet e larta të Vjosës si pasojë e reshjeve intensive, mendohet të kenë vërshuar mbi kanalin e Martinës, që kalon përbri fshatit Ferras.
“Keq sa s’ka më, çdo gjë e përmbytur, brenda dhomat, jashtë çdo që e mbytur që nga shpendët, zahireja me ujë, divane e çfarë ishin. 2 netë në makinë. Ishim të detyruar të hiqnim bagëtitë. Dëme kemi pasur por ky ishte më i rëndi”.
“Jemi brenda argjinaturës, ku do vemi? Po gjendja, po ekonomia? Të marrim vend tjetër me pensionin tonë s’ia dalim dot. Dhe të marrim kredi kush i jep pensionistit me orë pune. Aty do rri me zonjën do ndez zjarrin”.
“Çfarë ndihme të duam? Të marr shtëpinë në krah dhe ta çoj matanë”, shprehen për Report Tv disa banorë të prekur nga përmbytjet.
Edhe shkolla e fshatit u rrethua nga uji.
Komisionet e verifikimit të dëmeve kanë dalë në terren për verifikimet paraprake.
“Dëmi është shumë i madh. Erdhën sot në mëngjes na verifikuan, do vijmë prapë thanë. S’doja as shpërblim asgjë vetëm mos të ishim dëmtuar. Se mu plevitosën fëmijët e djali, ku kemi fuqi të lajmë, të pastrojmë, sa të blejmë plaçkat e reja vajtëm te vendi”, thotë një banore e Ferrasit.
Rreth 700 hektarë tokë bujqësore është nën ujë në disa fshatra të Qarkut të Fierit. Ekipet e shpëtimit evakuuan 8 familje, 7 në Ferras me 18 persona, dhe 2 persona në Poçem të Mallakastrës.
Furnizimi me ujë pijshëm është ndërprerë qytetin e Fier pasi Stacioni i Pompimit në Kafaraj është nen prezence te ujit nga lumi Vjose. Uji po shpërndahet me autobote në qytetet.
25 ha sipërfaqe toke e kultivuar në serat me luleshtrydhe të fermerëve të Kafaraj, në njësinë administrative Frakull, janë nën ujë nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë. Përmbytjet kanë dëmtuar rreth 60 kultivues të cilët pohojnë se uji në sera ka arritur në nivelin e dy metrave, si asnjëherë më parë teksa theksojnë se luleshtrydhja tashmë është në fazën e prodhimit te saj.
Kjo është situatë e përsëritur thonë fermerët e dëmtuar teksa pohojnë se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë përveçse në përmbytjet e herës së parë në vitin 2015, kur janë dëmshpërblyer me 10% të dëmit që kanë pësuar.
“Këtu për momentin janë rreth 250-300 dynym luleshtrydhe nën pushtetin e ujit. Dëmi është i madh, rasti është i përsëritur, hera e 5. Asnjë masë nuk është marrë. Na kanë penalizuar me argjinaturën që kanë bërë me justifikimin se do të mbrojnë banesat, por neve na dëmtojnë më shumë. Mbrëmë për herë të parë pas kaq vitesh ka hyrë uji tek nënstacioni elektrik dhe tek pompat e ujit të pijshëm pavarësisht se nuk tregojnë.
Tani kemi prodhimin kryesor të luleshtrydhes. Kemi hedhur lekë, tani ishte koha për t’i marrë dhe u përmbytëm. Sa sera duhet të përmbyten që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Shteti tani e ka në dorë, ose na ndihmon ose na le shkretë. Asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer. Na ka ardhur kryeministri na ka thënë një herë më parë se do t’iu dëmshpërblej 100%, ne i thamë duam 50%. Kanë ardhur dhe kanë vlerësuar vetëm 30% të dëmit he nga këto 305 na kanë dhënë 10% të dëmit. Hera e 5 kësaj radhe, nuk ka shkelur këtu këmbë robi. Ne me këtë punë ushqehemi, nuk kemi të ardhura të tjera. Tani vetëm falimentim dhe zhgënjim nga ana e shtetit”, tha njëri prej fermerëve.
Ata pohojnë të indinjuar se teksa ndodhen në situatë katastrofike , askush nuk ka dalë në terren për të parë nga afër situatën e tyre.
“Kjo është një gjendje katastrofike. Këto prurje na kanë shkatërruar si fermerë. Këtu preken mbi 60-70 fermerë. Luleshtrydhja ishte ne fazën e prodhimit. Ishte lulëzimi i parë dhe do ta vilnim. Më mirë lumi të na kishte zënë në muajin mars sesa tani. Po mundohemi të ruajmë bimësinë. Këtu të vijnë ekspertë nga bujqësia dhe të vlerësojnë prodhimin dhe dënim”, tha njëri prej fermerëve.
Sipas fermerëve dëmet janë të pallogaritshme në një kohë kur ekonomia e tyre familjare është e bazuar te të ardhurat nga kjo kulturë. Ne po përpiqemi të shpëtojmë bimën thonë fermerët , pasi prodhimi është shkatërruar plotësisht teksa njëzëri apelojnë për ndihmë nga shteti pasi në të kundërt do të shkojnë drejt falimentimit.
Komente








