Çuçi: Po përgatisim dosjen e tërmetit për Konferencën e Donatorëve

TIRANE- Drejtuesi qendror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi u shpreh sot në një deklaratë për mediat se janë rreth 300 inxhinierë që vijojnë punën në terren për të konstatimin e objekteve që janë dëmtuar nga tërmeti. Pas vlerësimit fillestar në fazën e parë, ai tha se tashmë po bëhet vlerësimi përfundimtar për të përgatitur raportin final që do të jetë gati për konferencën e donatorëve që do të zhvillohet në Janar. Çuçi theksoi se të dhënat e mbledhura në formatin e printuar të formularit hidhen në sistemin online të administrimit të informacionit për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, ku mund të shikohen nga të gjithë.

Deklarata e plote e Bledi Çuçit
Në vijim të punës për adresimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, më lejoni t’ju informoj për ecurinë e deritanishme të procesit të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve në ndërtesat dhe banesat brenda perimetrit të zonës së prekur nga kjo fatkeqësi e natyrës. Sikurse e kemi bërë më dije edhe më herët, procesin e vlerësimit të dëmeve e kemi organizuar në dy faza, në përputhje me praktikat standarte ndërkombëtare:

FAZA I. – VLERËSIMI FILLESTAR
Në fazën e parë, menjëherë pas goditjes fatkeqe të 26 nëntorit, në periudhën 27 nëntor – 7 dhjetor bëmë vlerësimin urgjent dhe fillestar të dëmeve në ndërtesa. Ky vlerësim kishte për qëllim përcaktimin e ndërtesave dhe banesave që paraqesin rrezikshmëri, dhe të cilat duhen shembur ose duhen shpallur të pabanueshme përkohësisht, me synim parësor, garantimin e sigurisë së jetës së banorëve.

FAZA II. – VLERËSIMI I RAPORTIT PËRFUNDIMTAR
Ndërkohë, në 8 dhjetor, filluam procesin e vlerësimit të ndërtesave që janë dëmtuar nga tërmeti, për hartimin e Raportit Përfundimtar për Dëmet. Kjo fazë ka synim kryesor përcaktimin e saktë të dëmeve në banesa dhe përllogaritjen e kostos së këtyre dëmeve. Për këtë qëllim, të dhënat për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, në këtë fazë, janë duke u administruar nëpërmjet një formulari të standardizuar, të përgatitur mbi modelet e Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara, ku mbledhja e përpunimi i të dhënave bëhet në kohë reale në mënyrë eletronike.

Ky formular i unifikuar shërben si instrumenti bazë për mbledhjen e të dhënave të vlerësimit në Aktin e Konstatimit nga Grupi përkatës i Verifikimit. Sikurse e kemi njoftuar edhe më herët mbi 100 grupe inspektimi kanë verifikuar banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë qarket Durrës, Tiranë e Lezhë. Dhe në përbërje të këtyre grupeve kemi angazhuar rreth 300 inxhinierë, përfshirë edhe ekspertë e konstruktorë të huaj. Ndërkohë, këtu përkrah meje kemi një Grup Verifikimi të FSHZH-së (Fondit Shqiptar të Zhvillimit), i cili ka 9 grupe në terren dhe ka marrë si detyrë të verifikojë dëmet e tërmetit në Njësinë 5 në Durrës, në të cilën janë 7580 objekte, prej të cilave deri tani, janë verifikuar rreth 2000 ndërtesa. Çdo grup verifikimi, ashtu sikurse edhe grupi ynë, përbëhet nga minimumi 2 inxhinierë.

Më herët gjatë ditës së sotshme, ky grup ka kryer verifikimin dhe vlerësimin e dëmtimeve të ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku të dhënat dhe informacioni janë administruar nëpërmjët këtij formulari të standartizuar (Akt Konstatimi: Mbi verifikimin në terren të subjekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26/11/2019). Të dhënat e mbledhura në formatin e printuar të formularit janë gati të hidhen në sistemin online të administrimit informacionit për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit.

Atëherë, ky ishte një demonstrim në kohë reale se si funksionon në mënyrë të integruar, të centralizuar dhe sistematike procesi i elektronik i mbledhjes së të dhënave të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve të tërmetit nga grupet e verifikimit në terren dhe qendrës së përpunimit të të dhënave online. Ngritja e një sistemi të tillë në kohë rekord, vetëm brenda katër ditëve, është një ndihmesë e madhe për ecurinë e procesit të vlerësimit të saktë të dëmeve në banesa dhe përllogaritjen e kostos së këtyre dëmeve. Këto të dhëna do janë edhe baza e informacionit për hartimin e Raportit Përfundimtar për Dëmet, si një dokument themelor për organizimin e konferencës së donatorëve dhe sigurimin e mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë në procesin e rindërtimit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës