Një tërmet me magnitudë 5.6 ballë të shkallës Rihter goditi mëngjesin e së mërkurës Turqinë lindore, ndërsa lëkundjet u ndjenë në disa provinca pranë kufirit me Sirinë deri në Liban, duke detyruar me qindra banorët të dalin të frikësuar nga ndërtesat.

Sipas Autoritetit Turk për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD), tërmeti ra rreth orës 09:00 me orën lokale në distriktin Battalgazi të qytetit Malatya, në një thellësi prej rreth 7 kilometrash. Lëkundjet u ndjenë fort jo vetëm në Malatya, por edhe në Gaziantep, Adana, Kahramanmaras, Diyarbakir, Elazig, Kayseri, Sivas, Adiyaman dhe Sanliurfa.

Mediat turke raportojnë se shumë banorë dolën të frikësuar në rrugë dhe nga frika e pasgoditjeve u mblodhën në zona të hapura , ndërsa ekipet e emergjencës nisën menjëherë kontrollet në terren.

Deri tani nuk raportohen viktima apo dëme të mëdha materiale. Guvernatori i Malatyas, Seddar Yavuz, deklaroi se ekipet po vijojnë verifikimet në zonat e prekura dhe se deri më tani nuk ka raportime për incidente serioze.

Edhe autoritetet në Gaziantep, Kahramanmaras, Elazig dhe Adiyaman thanë se kontrollet paraprake nuk kanë evidentuar dëme apo persona të lënduar, ndërsa monitorimi i situatës vazhdon.