Tërmeti në Japoni! 90-vjeçarja gjendet e gjallë pas 5 ditësh nën rrënoja, numri i viktimave rritet në 120

Një grua rreth 90 vjeç është gjetur e gjallë nën rrënoja pesë ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi Japoninë qendrore. Punonjësit e kërkim- shpëtimit e gjetën atë nën rrënojat e një ndërtese dykatëshe në qytetin Suzu. Nga tërmeti me magnitudë 7.5 që goditi bregun e Detit Japoni të hënën, më shumë se 120 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 200 janë të zhdukur.

Sipas BBC, e moshuara u gjet e gjallë por vuante nga hipotermia. Në të njëjtin vend, ekipet e shpëtimit gjetën gjithashtu një grua rreth të 40-ave në një gjendje arresti kardiopulmonar, thanë raportet. Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë po përdorin helikopterë për operacionet e shpëtimit dhe dërgimin e furnizimeve në zona të izoluara, pasi disa rrugë mbeten të bllokuara.

Puna e ekipeve të kërkim- shpëtimit po pengohet nga moti i lagësht në disa zona të goditura nga tërmeti, ku autoritetet paralajmërojnë se edhe një sasi e vogël shiu mund të shkaktojë më shumë rrëshqitje dheu. Ata paralajmëruan gjithashtu se sot pritet një front i ftohtë, i cili mund të sjellë reshje dëbore deri të hënën në zonat malore të prefekturës Ishikawa të goditur nga tërmeti.

Që nga e shtuna, rreth 23,200 familje ishin pa energji elektrike në Ishikawa dhe më shumë se 66,400 kishin mungesë të ujit të rrjedhshëm. Guvernatori i Ishikawas, Hiroshi Hase, tha gjatë një takimi për menaxhimin e fatkeqësive se prefektura po përballej me situata jashtëzakonisht të rënda. Ai paralajmëroi gjithashtu se rivendosja e ujit të rrjedhshëm do të marrë një kohë të gjatë pasi shumë tuba uji kanë të çara.

Disa spitale dhe objekte për kujdesin e të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara kanë humbur gjithashtu energjinë dhe ujin. Japonia është një nga vendet më aktive sizmikisht në botë dhe aktiviteti është rritur rreth Notos që nga fundi i vitit 2020. Më shumë se 500 tërmete të vogla dhe të mesme kanë goditur atje gjatë tre viteve të fundit.

S.S/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dyndje për festat! 'Bien' linjat ajrore amerikane, bllokohen mijëra fluturime

Dyndje për festat! 'Bien' linjat ajrore amerikane, bllokohen mijëra fluturime