Mbi 12.000 të vdekur nga tërmetet në Turqi e Siri! Erdogan mbërrin në rajonet më të godituara

Numri i viktimave të tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë është më shumë se 12.000 persona. Në Turqi viktimat e konfirmuara nga tërmeti janë më shumë se 9000, ndërsa në Siri janë afër 3000 viktima.

Bilanci i ri është hartuar në bazë të informacionit të shpërndarë nga burime zyrtare dhe mjekësore. Dhjetëra mijëra persona kanë mbetur të plagosur në Turqi dhe Siri. 

Shifra nuk është aspak përfundimtare, sepse në të dyja vendet ka ende shumë njerëz të bllokuar nën rrënojat e mijëra ndërtesave që ranë për shkak të magnitudës 7.9 ballë të tërmetit. Pas tërmetit që zgjati më shumë se dy minuta, Turqia është goditur edhe nga tërmete të tjera të fuqishme.

Në Turqi, mbi 11.300 ndërtesa janë shembur në shtatë provinca të ndryshme, duke prekur kryesisht qytetet Adana, Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Iskenderun dhe Adiyaman. Në Siri, vendet arkeologjike janë dëmtuar dhe në veçanti mbetjet e Aleppos, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 2018.

Një gjendje e jashtëzakonshme tre mujore është shpallur në Turqi nga presidenti Recep Tayyip Erdogan në 10 provincat më të prekura nga tërmeti. Vendet në mbarë botën po dërgojnë mbështetje për të ndihmuar ekipet e kërkime shpëtimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:33
VIDEOLAJM/ U nxor nga rrënojat, lumturia e këtij vogëlushi nuk ka çmim! Luan me ekipin e shpëtimit

1675888533_Screenshot144.jpg

Siri një grup vullnetarësh ka nxjerrë të gjallë një fëmijë të vogël dhe kanë publikuar një video emocionuese.

I vogli buzëqesh menjëherë pasi nxirret nga gërmadhat dhe fillon të luajë me ekipin e shpëtimit që nuk i kursen brohoritjet dhe përqafimet.

 

Ora 21:18
Shkon në 12,000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi

1675887611_62475fff66df4d57b604bcf7e6be96660511c5258b76c446fa3a54cf8a639cd97k0dU3400729042355d7H656x492CorriereWebSezioni.jpg

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka kaluar mbi 12,000. Shifra është konfirmuar nga autoritetet e të dy vendeve.

 

Ora 18:49
Erdogan reagon ndaj kritikave: E pamundur të jesh gati për një fatkeqësi të tillë

1675847759_a72219ca71534ec7b128f011d162a16f.jpg

“Nuk është e mundur të jesh i përgatitur për një fatkeqësi të tillë”. Kështu iu përgjigj presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikave të banorëve për vonesat e mjeteve të urgjencës dhe për keqmenaxhimin e emergjencës, të shkaktuar nga tërmeti që goditi të hënën pjesën jugore të Turqisë. 

Erdogan, duke vizituar provincën e Hatay, ku kanë vdekur më shumë se 3,300 njerëz, siguroi se qeveria nuk do të lërë vetëm "asnjë nga qytetarët". Më pas ai i quajti “njerëz të pandershëm” ata që përhapin “gënjeshtra dhe shpifje” për reagimin e qeverisë ndaj urgjencës.

Ora 16:34
Pasojat nga tërmeti, tjetër krizë humanitare në Siri! Spitalet të tejmbushura me të plagosur! Mjekët e shoqatat humanitare thirrje për ndihmë emergjente

Lufta civile që vijon prej 12 vitesh, i ka rrënuar sirianët, por tërmeti i së hënës që goditi veriun e vendit i la ata në dëshpërim dhe me shpresa thuajse të humbura. Zona që u prek është nga më të varfrat në Siri, nën kontrollin e rebelëve të opozitës, dhe banorët e saj ishin zhvendosur aty për t’i shpëtuar konfliktit në pjesët e tjera të vendit.   

Në qytetin Darkish në Sirinë veriperdimore ka radhë të gjata të njerëzve të plagosur që kërkojnë ndihmë, por spitali është i tejmbushur. Një I mbijetuar thotë se nga ndërtesa 4 katëshe ku jetonte vetëm ai dhe gruaja e tij dolën të gjallë. 

Në një spital tjetër, në qytetin e Idlibit, Shajul Islami, mjek britanik thotë se po kalonte ditën më të keqe në shtatë vitet që punon në Siri.

"Unë po i heq një pacienti ventilatorin e oksigjeni, për t'i dhënë shans një pacienti tjetër, duke vendosur se cili pacient ka më shumë gjasa të mbijetojë", tha Islami.

Spitali, i përballur me infrastrukturën e dobët shëndetësore dhe shkurtimet financiare, tha ai, është i mbingarkuar pas tërmetit, sepse spitalet e tjera në zonë janë jashtë funksionit pasi janë dëmtuar nga lufta.

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues i luftës me seli në Britani, tërmeti shkaktoi dëme të plota ose të pjesshme në ndërtesa në të paktën 58 fshatra, rrethina e qytete në Sirinë veriperëndimore.

Drejtori i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve për Lindjen e Mesme, Carsten Hansen, tha se "kjo fatkeqësi do të përkeqësojë gjendjen e mjerueshme të sirianëve që tashmë po përballen me një situatë të rëndë humanitare".

Numri i viktimave e mposhti shpejt kapacitetin e spitalit, tha Majdi al-Ibrahim, një kirurg i përgjithshëm që punon aty. “Kemi nevojë për ndihmë urgjente. Kjo është përtej kapacitetit tonë”, tha ai.

Shoqëria Mjekësore Siriano-Amerikane, e cila drejton spitalet në Sirinë veriore dhe Turqinë jugore, tha në një deklaratë se objektet e saj janë "të mbingarkuara me pacientë që mbushin korridoret" dhe bëri thirrje urgjente për "furnizime dhe një përgjigje gjithëpërfshirëse e urgjente për të shpëtuar jetë dhe për të trajtuar të lënduarit”. Fatkeqësia natyrore ndodhi mes stuhish të forta të dimrit, duke shtuar më tej mjerimin e atyre që mbetën pa strehë.

Ora 15:45
Kuzhinieri spanjoll udhëton drejt Turqisë për të gatuar për të shpëtuarit e tërmetit

1675709715_Screenshot1.jpg

Turqia vazhdon të jetë në gjendje mjerane nga tërmeti tragjik i cili numëroi 11.200 viktima. Ekipe shpëtimi nga e gjithë bota kanë shkuar në Turqi për të ndihmuar të prekur nga tërmeti në zonat më problematike të Turqisë. Rasti i fundit i ndihmës vjen nga një kuzhinier spanjoll, Jose Andres, i cili njihet për organizatën e tij jofitimprurëse për të ofruar mbështetje në raste fatkeqësisht natyrore apo sëmundjesh, siç ishte më parë edhe rasti i ndihmës nga Covid-19. Jose Andres po ngre kuzhinën e tij në zonën më të prekur nga tërmeti, i cili shkatërroi plotësisht dhjetë qytete.

Andres, themeluesi i World Central Kitchen, tha se do ndihmojë popullin turk duke ofruar ushqim.

“Siç folëm në Madrid disa muaj më parë, @WCKitchen është një Organizatë Ushqimi emergjente! Tashmë po mbërrijmë në terren dhe me partnerë vendas do të ndihmojmë popullin turk në këtë orë të vështirë! #ChefsForTurkey”, tha Andres në një mesazh që postoi në Twitter.

Në një mesazh tjetër, Andres tha se ishte "krenar" kur pa zjarrfikësit spanjollë në bordin e fluturimit për në Stamboll nga Valencia. Ai vuri në dukje se më pas do të udhëtonte për në Adana.

“Përgjigja fillestare e mahnitshme e komunitetit ndërkombëtar. Le të shpresojmë që qentë të gjejnë shumë njerëz të gjallë”, tha ai.

Numri i të vdekurve nga tërmetet vdekjeprurëse në Turqi kaloi 11. 200 viktima, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar njerëzit nën rrënoja më të gjitha format e mundshme. Dy tërmete të forta goditën  të hënën tronditën pjesën juglindore të vendit. Tërmetet u ndjenë edhe në disa vende fqinje të rajonit, duke përfshirë Libanin dhe Sirinë. Turqia ka shpallu gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj.

 

Ora 12:01
Tërmeti tragjik, Erdogan mbërrin në rajonin e goditur nga tërmeti

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po viziton zonat më të prekura nga tërmeti. Erdogan do të vizitojë zonën e Kahramanmaras, Hataj si dhe Pazarcik, qendra e tërmetit.

Ora 11:45
Pas 52 orësh, 8 vjeçari nxirret i gjallë nga rrënojat e pallatit në Turqi

Një djalë 8-vjeçar është nxjerrë i gjallë pas 52 orësh nga rrënojat e një ndërtese që u shemb nga tërmeti i së hënës në provincën Hatay të Turqisë. Fëmija, Yigit Cakmak, u mbajt menjëherë në krahët e të afërmve të tij.

Ora 10:19
Prekëse në Siri, 45 orë nën rrënoja, shihni VIDEO-n si i japin ujë djalit për të pirë me tapën e shishes

Momentet e shpresës janë të pakta në zonat e shkatërruara nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë. Pavarësisht vështirësive ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punë dhe ende kanë shpresa për të shpëtuar personat e bllokuar nën rrënoja.

Një video prekëse në Siri tregon sesi një djali i quajtur Mohummad, iu dha ujë për të pirë nga një tapë shishe para se të nxirrej nga rrënojat. Ai kishte 45 orë i bllokuar në rrënoja.

 

 

Ora 10:15
Tërmeti në Turqi, Erdogan do të vizitojë qytetet me të prekura

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pritet të vizitojë ditën e sotme Kahramanmaras dhe Hatay, ka njoftuar zyra e presidentit. Ai do të shkojë edhe në Pazarcik, epiqendër e tërmetit.

Erdogan ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme tre mujore në 10 provincat më të prekura.

Ora 09:28
Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi dhe Siri, 9500 persona humbin jetën

1675709715_Screenshot1.jpg

Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatwrrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë është rritur në më shumë se 9500, sipas shifrave zyrtare. Në Turqi janë 6,957 viktima të konfirmuara dhe në Siri 2,547, gjithsej 9,504.

Ora 09:10
E trishtë/ Fjalët prekëse të vajzës në Siri që po mbronte të vëllanë nën rrënoja: Më shpëtoni dhe do bëhem shërbëtorja juaj

1675843975_bvdc.JPG

Fotoja e shkrepur në Siri, që tregonte më së mirë se sa dhimbje mund të durojë motra për vëllanë, është shndërruar pa dyshim në portretin kryesor të pasojave nga tërmeti. Mariam, u gjend nën rrënojat e shtëpisë së fëmijëve në Besnaya-Bseineh, një fshat i vogël në Haram, Siri teksa mbronte të vëllanë, Ilaaf, por pas saj qëndron një histori më e trishtë. Në momentin që është gjendur nga ekipi i kërkim shpëtimit, e vogla iu është lutur që ta shpëtonte, e në këmbim do të bëhej shërbëtorja e tyre.

"Më largoni nga këtu, unë do të bëj gjithçka për ju. Unë do të jem shërbëtorja juaj”, iu ka thënë ajo e ndërsa një shpëtimtar përgjigjet, "Jo, jo."

Mustafa Zuhir Al-Sayed, babai i tyre thotë se e gjithë familja e tij ka shpëtuar shëndosh e mirë.

“Ne ndjemë tokën duke u dridhur … dhe rrënojat filluan të binin mbi kokën tonë. Qëndruam dy ditë nën rrënoja. Kemi përjetuar një ndjenjë, një ndjenjë që shpresoj se askush nuk duhet ta përjetojë”, tha ai.

I ngujuar nën rrënoja, Al-Sayed tha se familja e tij recitoi Kuranin dhe u lut me zë të lartë që dikush t'i gjente.

“Njerëzit na dëgjuan dhe ne u shpëtuam – unë, gruaja ime dhe fëmijët. Faleminderit Zotit, të gjithë jemi gjallë dhe falënderojmë ata që na shpëtuan”, tha ai.

Video tregon vendasit duke brohoritur ndërsa Mariam dhe Ilaaf janë marrë nga rrënojat të mbështjellë me batanije. Fëmijët u dërguan në spital, ku po marrin kujdesin mjekësor.

Heartbreaking… Stay strong Turkey & Syria! pic.twitter.com/enLviCIPGz

— Russian Market (@runews) February 7, 2023

 

Ora 09:02
VIDEO/ Mrekulli në Turqi, pas më shumë se 40 orëve, foshnja 2 muajshe nxirret shëndoshë e mirë nga rrënojat

Një foshnjë 2 muajshe është nxjerrë nga rrënojat nga ekipi i shpëtimit në Turqi gjatë mëngjesit të sotëm.

Pas më shumë se 40 orëve nën rrënoja, fatmirësisht vogëlushi ka arritur të mbijetojë dhe tashmë është nën kujdesin e mjekëve.

 

Ora 08:34
VIDEO/ Pas 43 orësh nën rrënoja, shpëtohet 3 vjeçari në Turqi! Babai i tij shpërthen në lot

Një fëmijë 3 vjeçar është shpëtuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti që tronditi Turqinë dhe Sirinë.

Pasi kishte kaluar më shumë se 43 orë nën rrënoja, fatmirësisht ekipet e shpëtimit nxorrën nga rrënojat 3 vjeçarin Arif Kaan i cili kishte mbetur i bllokuar nën pllaka betoni dhe armaturë në Kahramanmaras në temperatura nën zero gradë.

Babai i tij, Ertugrul Kisi, shpërtheu në lot pasi pa që Arifi shpëtoi dhe u dërgua me shpejtësi në një ambulancë.

Ora 08:02
Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti, 8764 të vdekur në Turqi dhe Siri

1675772842_0ad937e288b94bdeaaa8726a5ff183a5.jpg

Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë tani është të paktën 8,764, sipas zyrtarëve.

Turqi, 349 vdekje të tjera u raportuan të mërkurën, duke e çuar totalin në vend në 6,234, sipas zyrtarëve turq. Të paktën 34,810 persona janë plagosur në Turqi, tha të martën zëvendës presidenti turk Fuat Oktay.

Siri, 2,530 viktima janë konfirmuar si në zonat e kontrolluara nga qeveria ashtu edhe në rajonet e kontrolluara nga rebelët. Gjithsej 4,654 të lënduar janë raportuar në të gjithë Sirinë.

Agjencitë dhe punonjësit e shpëtimit kanë paralajmëruar se shifrat ka të ngjarë të rriten, veçanërisht në Siri, me shumë njerëz ende të bllokuar nën rrënoja.

Ora 07:51
VIDEO/ I mbuluar nga pluhuri dhe copat e betonit që bien, i riu sirian nën rrënoja: Nuk e di nëse do jem gjallë apo do vdes! Çdo gjë po dridhet

 

Një i ri sirian i cili ka mbetur nën rrënojat e ndërtesës së shembur nga tërmeti ka arritur të regjistrojë dhe publikojë një video në rrjetet sociale. Gjatë momentit që ai po fliste, copa betoni binin mbi të, ndërsa i riu thotë se edhe 4 familje fqinje ndodheshin po ashtu nën rrënoja.

“Nuk e di nëse do jem gjallë apo do vdes. Nuk e di sesi ta përshkruaj ndjesinë që përjeton dikush që ndodhet në këtë situatë të vështirë. Siç mund ta shikoni, jam nën rrënoja (ndërkohë bie një tjetër pjesë e mureve). Ka më shumë se tre apo katër familje nga fqinjët tanë të cilët janë po ashtu nën rrënoja. Zoti na ndihmoftë! Nuk di si ta përshkruaj, çdo gjë po dridhet”-thotë ndër të tjera i riu.

 

Ora 07:20
Mijëra të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri, Blinken: SHBA do të dërgojë ndihma për popullin sirian, jo për Asadin

1664483526_Blinken.jpg

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po punojnë për të ofruar ndihmë për viktimat e tërmetit në Siri, por nuk duan të bashkëpunojnë me qeverinë në Damask. Washinton është gjithashtu i gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme në Turqi, pasi ka dërguar dy ekipe shpëtimi te aleati i saj në NATO. 

"Ne kemi partnerë humanitarë të financuar nga SHBA në Siri, të cilët po koordinojnë ndihmën për shpëtimin e jetës," u tha gazetarëve Sekretari i Shtetit Antony Blinken teksa takoi homologun e tij austriak. “Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë ndihmë për të ndihmuar popullin e Sirisë të shërohet nga kjo katastrofë, ashtu siç kemi qenë donatori i tyre më i madh humanitar që nga fillimi i luftës në Siri. Dua të theksoj se këto fonde, natyrisht, shkojnë për popullin sirian. jo ndaj regjimit. Kjo nuk do të ndryshojë.”

Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan normalizimin e marrëdhënieve me presidentin sirian Bashar al-Assad ose ndonjë ndihmë të drejtpërdrejtë për rindërtim, duke mbajtur parasysh abuzimet e kryera gjatë luftës brutale civile që zgjati gati 12 vjet. Asadi ka ripushtuar pjesën më të madhe të vendit dhe në vitin e kaluar ka rivendosur marrëdhëniet me kombet e tjera arabe dhe me Turqinë.

B.V/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës