Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në Tiranë, Durrës, Laç dhe Lezhë, Ministria e Financave ka nxjerrë një shkresë të brendshme institucionale, ku theksohet se pas datës 15 dhjetor nuk do të pranohet për pagesë asnjë faturë shpenzimesh.
Një masë e tillë sipas Ministrisë së Financave është marrë për të siguruar fondet e nevojshme për emergjencën e shpallur në vend.
Sipas kësaj letre pas datës 15 dhjetor nuk pranohet më asnjë faturë për llogari të buxhetit të vitit 2019 që ka të bëjë me shpenzime të zakonshme, ndërkohë që nuk do të nënshkruhet asnjë kontratë e re që lidhet me tenderët e kontraktuar.
Sipas informacioneve ky nuk është një udhëzim i zakonshëm, por është një kërkesë e brendshme për Degën e Thesarit me qëllim fokusimin tek shpenzimet imediate dhe që të krijohen sa më shumë fonde për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti.
Në këtë mënyrë është vendosur që të bllokohen shpenzimet shtetërore, madje edhe për kontratat që janë lidhur për prokurime të përfunduara. Pas rishikimit të buxhetit ky është hapi i radhës që ndërmerret nga Ministria e Financave për të ndihmuar për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
URDHRI I PLOTË
Në vijim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë” dhe vendimeve të lidhura (Lezhë, etj) për sigurimin e fondeve të nevojshme për emergjencën, pagesat e transaksioneve të shpenzimeve të njësive të qeverisjes së përgjithshme do të kryhen si më poshtë:
1. Faturat e datuara brenda vitit 2019 do të paraqiten pranë degëve të Thesarit deri më datë 15 dhjetor 2019. Përtej kësaj date nuk pranohet më asnjë faturë për llogari të buxhetit të vitit 2019.
2. Autoritetet kontraktore ndalohen menjëherë të nënshkruajnë kontrata të reja që janë në proces prokurimi apo të ndërmarrin procedura të reja prokurimi me fondet publike (përveç fondeve të emergjencës/fatkeqësisë).
3. Prioriteti i radhës së pagesave për transaksionet e shpenzimeve të njësive të qeverisjes së përgjithshme, përcaktohet në rend shterues si më poshtë:
a) Pagesat për shërbimin e borxhit;
b) Pagesat për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje oksigjen, gjak, ushqim, etj);
c) Pagat e punonjësve të qeverisjes së përgjithshme dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore;
d) Transfertat në Institucionin e Sigurimeve Shoqërore për pagesat e pensioneve;
e) Ndihma ekonomike/pagesë papunësie;
f) Pagesat për ujin dhe energjinë elektrike;
g) Çdo pagesë tjetër nga fondet publike në zbatim të një Vendimi të Këshillit të Ministrave për përballimin e situatave emergjente apo katastrofave natyrore në rastet e pagesës së punëve, mallrave dhe shërbimeve, të shkaktuara prej tyre, ose që konsiderohen prioritet kombëtar;
h) Pagesat në valutë nga llogaria e unifikuar e Thesarit “Depozitë e Qeverisë” (TSA) në lekë në Bankën e Shqipërisë.
4. Faturat që nuk parashikohen në pikën 3, do të regjistrohen në SIFQ nga degët e Thesarit në llogarinë ekonomike “4865100-Shpenzime të periudhave të ardhshme-Detyrime që rrjedhin nga prioriteti i emergjencave” dhe do të paguhen në vijim sipas rendit kronologjik hyrje e parë-dalje e parë (FIFO).
Urdhri mban firmën e ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.