Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, kritikoi propozimin e PS për hartën e re, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së.

Gjatë fjalës së tij, Boçi tha se edhe Reforma Territoriale e vitit 2014, që shitej si histori suksesi nga PS, në të vërtetë ishte një dështim, pasi solli mungesë shërbimesh për qytetarët.

Sipas Boçit, PS ka për qëllim centralizimin politik të pushtetit lokal, me qëllim që sipas tij ta përdorë si magazinë votash për pushtetin qëndror.

“Në këto 9 muaj për mua është bërë një punë e jashtëzakonshme nga ekspertët e PD-së. Rrëzuam propagandën që reforma e 2014-ës ishte një histori suksesi. Ishte histori e dështuar. E vumë theksin te pasojat e centralizimit, mungesa e decentralizimit, e shërbimeve, largësia e qytetarit nga qendra, mungesa e kompetencave, e funksioneve, nga centralizimi politik i pushtetit lokal që përdoret si magazinë votash për pushtetin qëndror”, tha mes të tjerash Boçi.

Më tej Boçi theksoi se platforma e PD-së për hartën e re territoriale, me 100 bashki, do të ishte zgjidhja më e mirë për ofrimin e shërbimeve te qytetarët.

“Së dyti, ne debatin e transferuam nga zyrat e Kuvendit drejt publikut. Dëgjesat kanë pasur impakt të madh publik dhe kanë shkëmbyer si shkëndijë për shpërthimin e protestave. Ne arritëm të paraqisnim alternativën tonë, me 2 nivele qeverisje, me nivelin e bashkive, 100 dhe nivelin e rajoneve apo qarqeve, që është një rregullator dhe që mbron funksionalitetin e pushtetit lokal në raport me dhunën që ushtron pushteti qëndror ndaj tij. Ishte një punë e jashtëzakonshme”, shtoi Boçi.

Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha tha se PD do të mbledhë firma me qëllim mbrojtjen e bashkive që PS ka planifikuar t’i shkrijë. Ai tha se Karta Europiane e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, e cila parashikon referendumin për ndryshimin e kufijve të bashkive apo komunave.

“Këshilltarët kanë mbrojtur interesat e qytetarëve, por tani Partia Demokratike do të angazhohet në një veprimtari të fuqishme në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Çfarë do të thotë? Në të gjitha bashkitë që u ka rënë viza Edi Rama, që i zhduk Edi Rama, dhe të gjitha komunitetet ku ne kemi parashikuar bashki, degët e Partisë Demokratike do të nisin sapo të marrin formularin nga sekretariati, do të nisin peticionin, firmat e qytetarëve për bashkinë e tyre. Në mënyrë që të shkojmë drejt kërkesave ligjore në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Pra, protesta po e po, firma në mbrojtje të njësive të qeverisjes vendore. Dhe kjo që bën Edi Rama, është absolutisht në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kartën Europiane të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, e cila parashikon referendumin për ndryshimin e kufijve të bashkive apo komunave. Parashikon konsultimin me referendum”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Këshilli i PD/ Berisha platformë për strategjinë e re të komunikimit: Strukturat ekzistojnë më shumë në letër! TikTok dhe AI, jetike për 'ripërtëritjen'