TIRANE- Kalimi i Himarës si rreth në ndarjen e re territoriale ka sjellë një tjetër propozim nga ai i qeverisë. Krerët e komunave të zonës së bregut, janë shprehur në takimin të zhvilluar dje me ministrin Bled Çuçi, janë shprehur më shumë në rikthimin e Himarës me 52 fshatra. Kufi që ka ekzistuar rreth viteve 1800 dhe që është pranuar si i tillë nga historianët.

Propozimet
Në takimin e organizuar për konsultimin e reformës së re territoriale veç banorëve të zonës, morën pjesë kryetarët e komunave aktuale, kryetarët e fshatrave të Bregut dhe të zonës së Lumit të Vlorës, dhe përfaqësues nga grupet e interesit. Pika e përbashkët mes përfaqësuesve të minoritetit grek dhe kryetarëve të tjerë të komunave ka qenë nevoja për ndarjen e re territoriale. Por se përfaqësues të komunave ku ka pakica greke kanë kërkuar që Himara të jetë së bashki vetëm me Lukovën.

Duke vijuar me tezën se besimi është dhe kombësia është kundërshtuar përfshirja e zonës së Labërisë së Vlorës. Këtë fakt, banorët që kanë marrë pjesë në takim e kanë argumentuar me faktin e mospërputhjes fetare, si dhe të kulturave krahinore të ndryshme. Ndërsa nga ministri Çuçi është mbështetur tek varianti i organizimit të këtij rrethi me Himarën, Lukovën, Kurveleshin dhe Vranishtin. Kjo për shkak se do të sillte një zonë me më shumë mundësi zhvillimi. Ministri Çuçi, argumentoi se bashkimi i Himarës me Vranishtin do t’i sillte kësaj zone të ardhura në blegtori, dhe kjo e fundit do të përfitonte 400-800 ha kullota, për të cilën kjo ide u kundërshtua nga disa të pranishëm, pasi sipas tyre Himara karakterizohet nga turizmi dhe peshkimi, duke ju referuar historisë të saj shumëvjeçare.

Përplasja
Gjatë takimit pati diskutime me tone të larta, pasi disa përfaqësues të PPDNJ-së në Himarë i mëshuan faktit se për këtë reformë duhet të pyetet edhe komuniteti grek që jeton në Himarë.  Por nuk munguar as zërat nacionalistë, sipas të cilëve: “Himariot lind dhe nuk bëhesh, dhe bashkimi i saj, do të cenonte kulturën, traditat dhe fenë që e karakterizon zonën”. Gjithsesi Çuçi theksoi se: “Puna për ndarjen e re administrative-territoriale po shkon në rrugën e duhur, kryesisht në konsultimet me komunitetet”.

Historia
Burimet historike theksojnë se Himara ka qenë gjithnjë e lidhur me zonat e bregut. Madje kronikat flasin se ajo kishte nga 50 deri në 72 komuna. Në vitin 1431-1432 Himara dhe fshatrat e tjera të Bregut ishin ndarë në dy nahije: Nahija e Himarës me vendbanimet Himarë Palasë e Vuno dhe ajo e Sopotit me vendbanimet: Sopoti, Lukova, Piqerasi, Piluri, Qeparoi, Fterra Borshi dhe Çorraj. Po ashtu në vitin 1481 Himara përfshinte më shumë se 50 fshatra, kurse në një burim tjetër numri shkonte deri në 72 fshatra. Për më tej me ndryshimet territoriale thuhet se në vitin 1583 ajo përfshihej në kazanë e Kurveleshit me 33 fshatra. Gjithsesi në të gjithë rastet Himara shënohet si zonë shqipëfolëse dhe jo dy gjuhëshe. Ndërsa duket se zhvillimet ekonomike kanë bërë që banorët e zonës të flasin në të dy gjuhët, shqip dhe greqisht.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)